Lidhje

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë përfundon vizitën në Kosovë


Me vizitat në familjet e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe ish komandantit të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Besnik Mustafaj, i dha fund vizitës së tij të filluar të premten në mbrëmje në Kosovë.

Ai gjatë kësaj kohë është takuar me udhëheqësit kryesorë të institucioneve ndërkombëtare e vendase dhe të partive politike, përfshirë edhe ato të komuniteteve pakicë. Zoti Mustafaj ka theksuar gjatë kësaj vizite se Kosova dhe Shqipëria do të jenë faktor i qëndrueshmërisë në rajon dhe askush nuk ka arsye të frikësohet nga marrëdhëniet e ngushta midis tyre.

Sipas shefit të diplomacisë shqiptare, ajo që aktualisht i duhet Kosovës është stabiliteti dhe të folurit në një zë para faktorit ndërkombëtar, meqë statusi i Kosovës tani është në duart e diplomacisë ndërkombëtare.

Ai ka përsëritur qëndrimin se një Kosovë e pavarur dhe sovrane ka kuptim vetëm si një shtet i të gjithë qytetarëve të saj, duke nënvizuar se pas takimeve të zhvilluara, ka ardhur në përfundim se Kosova ka një klasë politike plotësisht të pjekur për të marrë në duar fatet e saj dhe për të ndërtuar një shtet modern e shumetnik, që ndërton marrëdhënie të mira me fqinjët.

Ai tha se është i inkurajuar nga mesazhet konstruktive që udhëheqësit e Kosovës dërgojnë drejt shqiptarëve që janë jashtë Kosovës, atyre të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës. Me këtë tha ai, jepet një garanci se shteti i ardhshëm i Kosovës do të jetë një shtet që do ta forcojë stabilitetin në rajon, e jo e kundërta.

Përfaqësuesit politikë në Kosovë thanë ndërkaq se Shqipëria është aleati i natyrshëm i Kosovës dhe askush nuk ka arsye që t’u frikësohet marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Rrugëtimi i shefit të diplomacisë së Shqipërisë për në Prishtinë dhe anasjelltas është kushtëzuar nga moti i lig që ka mbretëruar këto ditë në rajon. Mjegulla e cila mbylli disa nga aeroportet e rajonit, kushtëzoi një takim të shkurtër edhe ndërmjet kryeministrit të Kosovës Agim Çeku me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq në aeroportin e Shkupit, ku të dy zyrtarët kanë këmbyer pikëpamje për të ardhmen e Kosovës.

Partia Radikale Serbe e ka kritikuar ashpër presidentin serb Boris Tadiq për këtë takim, duke e cilësuar atë madje edhe të turpshëm. Kryeministri Çeku ndërkaq tha se ishte një takim i rastësishëm dhe ai nuk kishte parë asnjë arsye që të mos takonte presidentin e Serbisë.

XS
SM
MD
LG