Lidhje

A ka arritur dhuna në Irak në skajet e luftës civile?


Shumë po flitet mbi nivelin e dhunës sektare në Irak. Analistët po debatojnë nëse konflikti atje është shkallëzuar në atë pikë sa që duhet cilësuar si luftë civile. Përse është e rëndësishme të bëhet një përcaktim i tillë? Pasi sipas mendimit të disa analistëve përfshirja e Irakut nga lufta civile nënkupton që duhet të ndryshojë strategjia amerikane atje. T

Gjatë vitit të fundit dhuna sektare në Irak u ka kushtuar jetën mbi 1 mijë vetëve në luftimet mes dy apo më shumë fraksioneve në vend. Ky nivel i lartë dhune përmbush përkufizimin akademik të luftës civile, thotë Seth Jones, një analist politik në Korporatën Rand. Është e rëndësishme të kuptohet kjo, thotë ai, pasi luftrat civile mund të zgjasin më shumë dhe të jenë më të vështira të zgjidhen se sa luftrat ndër shtetërore. "Në luftrat civile në përgjithësi nuk ka territor për tërheqje. Sapo mbaron lufta, luftrat civile kanë më shumë gjasa të rifillojnë edhe pasi të arrihet një marrëveshje me negociata. Pasi shpesh këta njerëz vazhdojnë të jetojnë në të njëjtin vend".

Michael O’Hanlon, ekspert i politikave mbi Irakun në Institutin Brookings, thotë se është e rëndësishme që të kuptohet se Iraku nuk është në luftë civile, por në një luftë etnike ndërmjet sunive dhe shiitëve. Ai thotë se kjo mund të ndihmojë për të përcaktuar strategjitë e mundshme për t’i dhënë fund dhunës. "Përgjithësisht, kur ka shpërthyer konflikt etnik ka raste kur ekziston mundësia e zgjidhjes bazuar në ndarje territoriale, pasi njerëzit nuk veprojnë bazuar në një ideologji që të kenë nevojën të bindin këdo se ata kanë të drejtë dhe të detyrojnë edhe të tjerët të zgjedhin rrugën e tyre. Në luftë etnike ata mbi të gjitha po kërkojnë avantazhe për grupin e tyre".

Ndërhyrja e suksesshme ndërkombëtare në luftra të tjera civile në botë, thonë këta analistë, ofron mësime që Shtetet e Bashkuara mund t’i zbatojnë në Irak.

Zoti Jones thotë se në vitin 1999, Australia dhe Shtetet e Bashkuara luajtën role vendimtare në ndaljen e dhunës në Timorin Lindor. Ai shton se çelësi nuk ishte ndërhyrja ushtarake, por ndihma për qeverinë duke ofruar ushqime dhe shërbime bazë si elektricitet për të siguruar mbështetje popullore. "Pra mësimi që nxirret në këtë rast është se qeverisë mund t’i ofrohen ndihma nga jashtë për të luftuar kryengritësit në luftë civile, por nëse qeveria nuk gëzon mbështetje popullore dhe legjitimitet, në fund ajo do të dështojë".

Analisti O’Hanlon thotë se në vitet ’90 ndërhyrja ushtarake e Natos e detyroi Serbinë të fillonte negociatat për zgjidhjen e konfliktit të Bosnjes. "Në Bosnje Natoja me pak fjalë u tha serbëve se megjithëse ata kërkonin 75 për qind të Bosnjes, nuk mund ta merrnin. Dhe nëse përpiqeshin ta merrnin një masë të tillë territori, Natoja do të vazhdonte sulmet, pasi e kishte treguar se nuk do të nguronte. Në këto rrethana, serbët pranuan një territor më të vogël dhe u arrit një farë zgjidhjeje". Disa zyrtarë në Shtetet e Bashkuara theksojnë se ushtria amerikane nuk duhet të angazhohet në luftimet mes fraksioneve në Irak, qoftë luftë civile apo sektare. Por zoti O’Hanlon thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të mbeten të angazhuara për të parandaluar humbje katastrofike jetësh dhe paqëndrueshmëri rajonale. //rd//

XS
SM
MD
LG