Lidhje

Lufta e Ftohtë në sytë e historianëve


Gjatë Luftës së Ftohtë Uashingtoni ishte i rrethuar nga pozicione raketash kundër avionëve për t’u mbrojtur. Këto pozicione janë braktisur tashmë, megjithatë historianët kanë gjetur një mënyrë krijuese për të përdorur të paktën njërën prej tyre.

Një bunker i braktisur do të jetë së shpejti banesa e përhershme e Muzeut amerikan të Luftës së Ftohtë. Aty do të mbahen konferenca dhe do të ekspozohen objekte që dëshmojnë përt luftën ideologjike që u shfaq pas Luftës së Dytë Botërore.

Muzeu ka filluar aktivitetin për organizimin e bisedave historike: një prej tyre në një shkollë të mesme pranë Washingtonit kishte si temë kryengritjet polake dhe hungareze të vitit 1956. Pasuesit e figurave të asaj kohe nga të dyja anët e perdes së hekurt diskutuan ngjarjet e periudhës sovjetike.

Francis Gary Power, themelues i muzeut u rrit nën hijen e Luftës së Ftohtë. I ati i tij u kap nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1960. “Edhe sot ka tensione me vendet e huaja. Koreja e Veriut për shembull, edhe tani pas 50 vjetësh është në faqen e parë me zhvillimet e kohës së tanishme. Është një trashëgimi direkte e Luftës së Ftohtë”.

Camp David, një rezidencë pushimi e presidentëve amerikanë e ka marrë emrin nga nipi i Presidentit Eisenhower, David. Ai thotë se viti 1956 ishte një pikë kthese në Luftën e Ftohtë. “Më kujtohen dritat e zbehta dhe ekranet e televizionit në Shtëpinë e Bardhë, lajmet e zymta nga Evropa Lindore, skenat frikësuese të tankeve sovjetike. Unë e di nga letrat e Presidentit Eisenhower se nga momenti që u duk qartë se rusët do të ndërhynin me forcë dhe vendosmëri, logjika ishte që fillimisht të parandalohej një Luftë e Tretë Botërore”.

Nga skaji tjetër i Luftës së Ftohtë, Sergei Khrushchev, i biri i ish-kryeministrit sovjetik ishte dëshmitar i procesit vendim-marrës. Ai thotë se babai i tij Nikita Khrushchev nuk ishte penduar për ndërhyrjen ushtarake të vitit 1956. “Kishte viktima nga të dyja palët, ne na vjen keq për ta, por në atë kohë ne ashtu e kuptonim se ç’ishte e drejtë e ç’ishte e gabuar”. Revolucioni hungarez ishte kryengritja e parë masive në Evropën Lindore e pasuar nga ajo e Çekosllovakisë në vitin 1968 dhe Polonia në vitin 1980. “Ishte një proces gradual, por që nga viti 1956 ishte i pashmangshëm”.

“E ardhmja ngrihet mbi të shkuarën. Kur flasim për kryengritjen hungareze, bëhet fjalë për njerëz që duan të jetojnë ndryshe. Tani ata kanë zëvendësuar aleancën ushtarake sovjetike me NATO-n, Bashkimin Sovjetik me Bashkimin Evropian. Jo ndonjë ndryshim i madh, por ata janë të lumtur dhe kjo ka rëndësi. Është gjithashtu e rëndësishme të kuptohet se ata ishin gjithashtu viktima të fuqive të mëdha dhe politikës së tyre në Luftën e Ftohtë”. Muzeumi punon që brezat e ardhshëm të kujtojnë sesi ngjarjet e Luftës së Ftohtë i transformuan marrëdhëniet ndërkombëtare. Eisenhower, Profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Pensilvanisë thotë se të rinjtë amerikanë kanë interes të madh për historinë e Luftës së Ftohtë.

Muzeu i Luftës së Ftohtë po i ekzpozon objektet e veta në shkolla dhe muzeume të tjera në pritje për vendosur në selinë e tij të përhershme.

XS
SM
MD
LG