Lidhje

Shqipëri: Zgjedhjet në prag të dështimit


Në Shqipëri, mbajtja e zgjedhjeve më 20 janar është tërësisht e dështuar nëse shumica dhe opozita nuk bien dakort për një marrëveshje mes tyre. Kjo për faktin se asnjë kandidat nuk mund të rregjistrohet duke qenë se nuk mund të ngrihen komisionet zonale. Sipas kodit aktual në fuqi, sot ose maksimumi nesër në mesnatë skadon afati për regjistrimin e kandidatëve.

Dy kampet kryesore politike janë tashmë të dënuara të ulen në tryezën e bisedimeve me njëra tjetrën që të ndryshojnë kodin elektoral e të përcaktojnë afate të reja ligjore përtë gjitha hallkat e procesit. Në gjendjen aktuale zgjedhjet më 20 janar janë praktikisht të pamundura. Kodi ekzistues përcakton në nenin 78 të tij se kandidatët duhet të paraqesin dokumentacionin pranë Komisioneve Zonale të Qeverisjes vendore ose KZQV, jo më vonë se 32 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

Pra sot ose maksimumi nesër në mesnatë, kur eshte dhe dita e 32-të, duhet të realizohet regjistrimi i tyre. Por një gjë e tillë është e pamundur pasi deri më tani nuk është ngritur asnjë komision për shkak të vendimit të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Në këtë mënyrë edhe përpjekjet e së djathtës për të hyrë e vetme në zgjedhje ngjajnë të pamundura. Sipas anëtarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve përfaqësuesit të së opozitës Fatmir Kumbaro, edhe listat e paraqitura nga shumica për anëtarë të komisioneve janë me mangësi dhe me shkelje. Por edhe në rast se do të ngriheshin komisionet vetëm aty ku ato dominohen nga shumica e djathtë, sërish procesi do të ishte gjysmak pasi 50 përqind e kandidatëve në të gjithë vendin nuk do të mund të regjistroheshin dhe i pari që do të penalizohej direkt është kandidati demokrat për kryeqytetin Sokol Olldashi.

Në këtë situatë e vetmja zgjidhje është që palët të ulen në bisedime dhe kjo bëhet realisht e detyrueshme. Ato nuk mund të vazhdojnë pafund të bjën thirrje për dialog dhe marrëveshje vetëm nga tribuna partishë apo e parlamentit. Nëse mos spostimi i datës së zgjedhjeve nuk pranohet nga e djathta me arsyetimin se preket kushtetuta, pamundësia ligjore e organizimit të zgjedhjeve konsiderohet nga shumë vëzhgues si një akt mjaft i rëndë për imazhin e një shteti.

Disa juristë shprehen se me dështimin e zgjedhjeve presidentit Alfred Moisiu mund t’i lindë e drejta për të shpallur një datë tjetër. Por dhe kreu i shtetit nuk mund të veprojë pa patur një bazë ligjore ku të mbështetet dhe ku të motivojë një tjetër datë të mundshme nëse nuk miratohen ndryshimet në kodin zgjedhor.

Tani, pas një lufte të gjatë nervash duket se mbetet të shihet se kush do të lëshojë në ditët e ardhshme. Mbajtja e pozicioneve të ngurta nga palët nuk do të bënte gjë tjetër vecse do ta fuste vendin në një spirale pa rrugëdalje.

XS
SM
MD
LG