Lidhje

Google dhe Yahoo - Konkurenca mes dy motorëve që mbizotërojnë internetin


Qendrat e kompanive Yahoo dhe Google janë fare pranë njëra-tjetrës në afërsi të San Franciscos në Kaliforni. Të dy kompanitë janë të vendosura ta ruajnë popullaritetin e madh mes përdoruesve të internetit.

Google është një sukses i jashtëzakonshëm. U themelua në vitin 1998 nga dy studentë pasuniversitarë që gjetën një mënyrë të veçantë për të organizuar material në internet. Sot Google mbizotëron në kërkimin me internet në gjithë botën dhe është bërë një kompani shumë e pasur. Kompania ka filluar të veprojë në drejtime të reja: e-mail, video, harta dhe kthimi në formë elektronike i librave të botës. Adam Smith është menaxher për kërkimin e librave me internet në Google. “Objektivi ynë është që tekstet e librave të gjithë botës, në të gjithë gjuhët dhe kulturat të mund të kërkohen në internet, ashtu siç bëhet me faqet e internetit”. Zoti Smith thotë se ky projekt nuk përbën kërcënim për autorët dhe botuesit. “Ne mendojmë që vlera e librave rritet në këtë mënyrë. Ne mund t’ju bëjmë të gjeni libra që ju nuk mendonit kurrë se ekzistonin”.

Yahoo dhe Google të dyja kanë qëllim të tërheqin të rinjtë, ato theksojnë anën jo zyrtare dhe lirinë e zbavitjes gjatë punës. Yahoo, tre vjet më e vjetër se Google ka pasur humbje në reklama në krahasim me rivalin e saj dhe është prapa përsa i takon kërkimit në internet.

Por zëvendës presidenti i Yahoo-së Tapan Bhat thotë se kompania e tij kryeson me e-mail-in dhe është shërbimi me internet me më shumë trafik. “Faqja kryesore e Yahoo-së është më e vizituara në internet”. Megjithëse Yahoo ka 21 lloj faqesh të para në 21 gjuhë, Tapan Bhat thotë ka një ngjashmëri për t’u shënuar mes atyre që duan përdoruesit e internetit. “Kur i pyesim njerëzit se çfarë do të donin në një faqe ideale që të ndihmon për t’u futur në internet, ata përmendën tre gjëra: të lidhen me njerëz dhe informacion që u duhet, të jetë pjesë e rutinës së përditshme dhe t’u tregojë se çfarë po ndodh”.

Jeff Bonforte është drejtor i Yahoo-së për komunikimet. Ai thotë se shërbimi i Yahoo-së për shkëmbimet e mesazheve të menjëherëshme ka 70 milionë përdorues, shumica jashtë Shteteve të Bashkuara. “Isha në Vietnam para disa muajsh. Në çdo kompjuter që pashë Yahoo ishte instaluar. Në çdo kompjuter, çdo kafene, çdo zyrë”. Shkëmbimi i mesazheve të menjëherëshme po lulëzon thotë ai, sidomos me video. “Sepse ky lloj komunikimi krijon një marrëdhënie jo shumë e bujshme mes të dyja palëve. Mund të lidhesh në çdo moment me të afërmit dhe miqtë”.

Google ka ecur përpara Yahoo-së. Aksionet e saj shiten me mbi 500 dollarë dhe vlera e saj në treg është katër herë më e lartë sesa ajo kompanive Ford dhe General Motors të marra së bashku. //rd//

XS
SM
MD
LG