Lidhje

Efekti i pronësisë se mediave tek pasqyrimi i lajmeve


Me përjashtim të një rrjeti televiziv, media në Shtetet e Bashkuara janë private. Megjithatë natyra e pronësisë së medias ka ndryshuar dekadat e fundit, ndërsa gjithnjë e më shumë organe shtypi janë vënë nën kontrollin e një grupi të vogël korporatash të mëdha, disa prej të cilave janë bashkuar duke formuar njësi edhe më të mëdha. Por çfarë efekti ka tek pasqyrimi i lajmeve pronësia e medias?

A ka rëndësi fakti se kush i ka nën pronësi dhe kontroll organet e medias ku njerëzit informohen? Sipas një banori të Washingtonit, Jeff Bonin nuk ka diskutim që kjo ka rëndësi. “Sigurisht që i jep nuancën artikujve që lexojmë. Për shembull toni i tyre është relativisht i paanshëm në disa raste dhe në disa të tjera relativisht i djathtë”. Amerikanë të tjerë dallojnë një prirje të majtë tek lajmet. Para 50 vjetësh, shumë gazeta amerikane dhe stacione televizive lokale ishin në duart e pronarëve lokalë, por kjo nuk është më norma, sipas Jeffrey Dvorkin i Komitetit për Gazetarët e Shqetësuar në Washington. “Pesë korporata të mëdha kanë në pronësi organet e medias në këtë vend. The ata janë nën një presion të madh për të siguruar përfitime gjithnjë e më të mëdha për aksionerët e tyre”.

Kompania Gannet ka në pronësi 98 gazeta dhe 18 stacione televizive në Shtetet e Bashkuara. Clear Channel Communication me qendër në San Antonio të Teksasit ka 39 stacione televizive dhe mbi 700 stacione radioje, disa prej të cilave konkurrojnë me njëri-tjetrit për të njëjtin treg lokal.

Zoti Dvorkin thotë se industria e lajmeve, si çdo biznes tjetër duhet të synojë për përfitime. Por ai shton se media është rast i veçantë, me një përgjegjësi të veçanti brenda sistemit demokratik. “Gazetaria ka detyrimin të informojë qytetarët dhe të sigurojë për ta njohuri të mjaftueshme për çështjet që i shqetësojnë ata si qytetarë të komuniteteve të tyre, të vendit të tyre dhe botës në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhje të informuara”. Por sipas njërit prej drejtuesve të gaztës Washington Post, Ben Bradlee shqetësimet për pronësinë e medias janë të tepruara. “Fakti që kompania Washington Post ka në pronësi një gazetë në Everet të shtetit të Washingtonit dhe revistën Newsweek, si edhe gazetën Washington Post, nuk e kërcënon pavarësinë e gazetarisë”.

Ndërsa konsolidimi i korporatave i ka rritur përfitimet për median në tërësi efekti tek cilësia e gazetarisë është një çështje e hapur për debat. Ja ç’thotë Jeffrey Dvorkin i komitetit për Gazetarët e Shqetësuar. “Është krijuar iluzioni se mund të bësh zgjedhje për çka sheh në televizion, ose dëgjon në radio por në fakt ka më pak organe të pavarura që bëjnë gazetari të pavarur”. Analistë të tjerë thonë se pakësimi i buxhetit për mbulimin e lajmeve i ka detyruar shumë organe mediash që të kufizojnë pasqyrimin e lajmeve ndërkombëtare, duke e bërë më të vështirë për amerikanët që të informohen për ngjarje ndërkombëtare.

Pavarësisht nga pronësia, është një parim standard mes gazetarëve amerikanë që lajmet të jenë të sakta dhe sa më të paanshme që të jetë e mundur. //rd//

XS
SM
MD
LG