Lidhje

DiKarlo u bën thirrje partive në Shqipëri që të arrijnë marrëveshje


Një zyrtare e lartë e Departamentit të Shtetit i tha sot Zërit të Amerikës se ka rëndësi të jashtëzakonëshme që palët në Shqipëri të arrijnë marrëveshje lidhur me mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe me datën e tyre. Rozmari DiKarlo, Zëvendës ndihmës sekretare në zyrën e Departamentit amerikan të Shtetit për çështjet e Evropës dhe të Azisë, tha se zgjedhjet do të jenë një nga standardet që do të vlerësohet kur të shqyrtohet anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri ndodhemi përballë një situate në të cilën të gjitha afatet ligjore për zgjedhjet lokale janë shkelur dhe është krijuar një precedent. Kush, sipas mendimit tuaj, mban përgjegjësi për këtë gjendje?

Rozmari DiKarlo: Së pari më lejoni t’ju them se jam e gëzuar që më jepet rasti të flas për teleshikuesit në Shqipëri. Ju e dini se ne kemi tashmë një miqësi të gjatë me Shqipërinë. Ajo është aleatja jonë e ngushtë në luftën kundër terrorizmit dhe ne dëshirojmë shumë që ta shohim Shqipërinë të ecë përpara e të bëhet anëtare me të drejta të plota në institucionet euroatlantike. Nuk ka nevojë të hyjmë në vlerësime se kush e ka fajin për gjendjen e tanishme të bllokuar. E rëndësishme në këtë moment është që të gjithë të ulen së bashku dhe ta kapërcejnë këtë gjendje për të patur zgjedhje lokale normale, të cilat janë absolutisht të domosdoshme për zhvillimin demokratik të Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Opozita ka ngritur çështjen e standardeve të nevojshme për të patur zgjedhje normale dhe thotë se meqenëse këto standarde aktualisht nuk mund të garantohen, ajo nuk do të marrë pjesë, gjë që praktikisht do të thotë se po e bojkoton procesin. A ka opozita të drejtë të bojkotojë?

Rozmari DiKarlo: Është e qartë se standardet janë të rëndësishme. Natyrisht unë nuk jam eksperte e çështjeve juridike shqiptare. Por ajo që mund të them është se ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe që të arrihet një marrëveshje, një konsensus lidhur me mënyrën e zhvillimit të këtyre zgjedhjeve dhe me datën e tyre. Komuniteti ndërkombëtar natyrisht mund të ndihmojë për të ndërmjetësuar dhe për të shpjeguar ligjet dhe standardet. Por në fakt janë udhëheqësit politikë të Shqipërisë ata që duhet të arrijnë marrëveshje për këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Mendoni se tani është tepër vonë për të arritur një kompromis pa e dëmtuar procesin zgjedhor?

Rozmari DiKarlo: Është e qartë se koha nuk pret më që zgjedhjet të zhvillohen më 20 janar. Prandaj është e nevojshme të arrihet një marrëveshje shumë shpejt. Por do të dëshiroja të theksoja edhe një herë rëndësinë që ka mbajtja e zgjedhjeve lokale normale në Shqipëri. Është e rëndësishme jo vetëm për zhvillimin demokratik, i cili është absolutisht i nevojshëm por është në fakt me rëndësi për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Është një nga standardet që do të vlerësohet kur të shqyrtohet anëtarësimi.

Zëri i Amerikës: Në të kaluarën, OSBE-ja dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë kanë luajtur rolin e ndërmjetësit sa herë që Në Shqipëri kanë lindur kriza të tilla politike. A ka plane kësaj here për të ndërmjetësuar përsëri? A po luan për shembull Departamenti i Shtetit një rol në këtë aspekt?

Rozmari DiKarlo: Komuniteti ndërkombëtar mund të luajë rolin e këshilltarit dhe në fakt OSBE/ODIHR-i luajnë një rol kryesor në këtë aspekt, por në fakt varet nga udhëheqësit vendas që ta zgjidhin këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Shqipëria ka shprehur dëshirën për t’u pranuar në Nato dhe ka nënshkruar tashme një marrëveshje asocim-stabilizimi me Bashkimin Evropian. Mendoni se problemet e tanishme me zgjedhjet mund të bëhen një pengesë serioze drejt arritjes së këtyre synimeve? Cilat janë rreziqet për Shqipërinë?

Rozmari DiKarlo: Shtetet e Bashkuara dëshirojnë shumë që Shqipëria të ecë në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe ne kemi kohë që punojmë me udhëheqësit e Shqipërisë për këtë objektiv. Mbetet shumë për të bërë në aspektin e reformave, dhe lufta kundër korrupsionit është njëri aspekt. Por zgjedhjet, zhvillimi i zgjedhjeve normale është me rëndësi absolute për anëtarësimin në NATO.

Zëri i Amerikës: Ne shikojmë mjaft mosbesim mes dy forcave kryesore politike në Shqipëri. Si mund të ndërtohet besimi mes tyre në mënyrë që të krijohet ajo situatë që do ta çonte vendin përpara në rrugën e zhvillimit demokratik?

Rozmari DiKarlo: Mendoj se ata duhet të shikojnë se cilat janë aspiratat e tyre. Dhe unë mendoj se të dyja palët, të dyja partitë kryesore kanë të njëjtat aspirata ashtu si edhe populli i Shqipërisë, pra një e ardhme demokratike, një e ardhme e begatë në Evropë dhe në NATO.//ii

XS
SM
MD
LG