Lidhje

Presidenti Bush dëshëron ushtri më të madhe për luftën e gjatë ideologjike

  • Al Pessin

Presidenti Bush thotë se synon të rrisë përmasat e këmbësorisë dhe të korpusit të Marinsave në ushtrinë amerikane sepse ai mendon që Shtetet e Bashkuara janë në fillim të një beteje të gjatë mes ideologjive rivale.

Ai tha se i ka kërkuar sekretarit të mbrojtjes Robert Gejts që ta njoftojë atë në hollësi sa më parë që të jetë e mundur lidhur me rritjen e përmasave të forcave të këmbësorisë amerikane. Zoti Bush njoftoi mbështetjen e tij për këtë ide në një intervistë me gazetën Uashington Post të martën dhe foli edhe më shumë rreth të njëjtës ide gjatë një konference shtypi dje në Shtëpinë e Bardhë. “Arsyeja që kam prirjen të besoj se flitet për një ide të mirë është sepse unë e kuptoj se ne do të angazhohemi në një luftë të gjatë kundër radikalëve dhe ekstremistëve. Madje ne duhet të sigurohemi se ushtria jonë ka aftësinë për ta vazhduar këtë luftë për një kohë të gjatë”.

Presidenti tha se do të duhet një farë kohe, siç u shpreh ai, që ideologjia e lirisë më në fund të triumfojë ndaj ideologjisë së urrejtjes. “Ne jemi në fillim të një konflikti midis ideologjive rivale, një konflikt që do të përcaktojë nëse fëmijët tanë do të jetojnë në paqe apo jo”.

Presidenti i ka kërkuar sekretarit të Mbrojtjes Gejts që të vendosë lidhur me numrin dhe kohën e rritjes së forcave amerikane. Vetë Sekretari Gejts ndodhej në Bagdat. “Ne shqyrtuam të gjitha misionet që ushtria dhe marinsat amerikanë janë angazhuar gjatë viteve të fundit, jo vetëm në Irak dhe Afganistan, por sfidat me të cilat mund të përballemi me Iranin, Korenë e Veriut dhe gjetkë, pa përmendur këtu operacione të tjera si misionet e shpëtimit, që kanë lidhje me uraganin Katrina. Dhe ngritëm pyetjen nëse ushtria ka në fakt numrin e duhur për të kryer gjithë këto misione, që i janë ngarkuar”.

Sekretari Gejts tha se kjo çështje u ngrit megjithëse ushtria e ka shtuar aftësinë e saj luftarake brënda forcës ekzistuese nëpërmjet përpjekjeve për reforma. Zoti Gejts tha gjithashtu se ekziston edhe pyetja se sa e përballueshme është për qeverinë amerikane të rrisë përmasat e ushtrisë, duke pasur parasysh veçanërisht faktin që miliarda dollarë po shpenzohen për modernizimin e forcave të tanishme.

Javën e kaluar, oficeri më i lartë i ushtrisë amerikane, gjenerali Pitër Skumejkër, tha se do të ishte një hap ‘i matur dhe i arsyeshëm’ që të shtohet numri i forcave të armatosura për shkak të asaj që ai e quajti ‘sforcim’ i shkaktuar nga operacionet e vazhdueshme luftarake gjatë 5 vjetëve të fundit.

Por Sekretari Gejts vuri në dukje në Bagdat se çdo shtim i trupave amerikane nuk do të ndikojë në situatën e tanishme në Irak. “Një vendim për të rritur përmasat e ushtrisë sot nuk do të ndikojë tek trupat e stërvitura për një farë kohe”.

Shefi i Shtatmadhërisë amerikane, gjenerali Pitër Pejs, ka thënë se do të duhen dy vjet për rekrutimin, stërvitjen dhe pajisjen e trupave shtesë. Luftërat në Irak dhe në Afganistan e kanë bërë më të vështirë për ushtrinë që të plotësojë objektivat e rekrutimit me qëllim që të ruhet niveli i tanishëm luftarak, por kohët e fundit këto objektiva janë përmbushur.

2 presje 8 milion burrat dhe gratë në forcat aktive të armatosura dhe rezervë janë të gjithë vullnetarë. //az//

XS
SM
MD
LG