Lidhje

Presidenti Bush dhe zyrtarët e sigurimit kombëtar diskutojnë mbi një strategji të re në Irak


Presidenti Bush dhe Sekretarja e Shtetit, Kondolisa Rajs u takuan me Sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gejts, i cili sapo është kthyer nga një vizitë 3 ditëshe në Irak.

Në takimin e zhvilluar në vend-pushimin presidencial në Kemp Deivid, morën pjesë edhe Këshilltari i Sigurimit Kombëtar, Stivën Hadlli, si dhe zëvëndësi i tij, J.D. Krouç, i cili po bashkërendon rishikimin e politikës së Irakut për Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Bush tha se po punon për një rrugë të re përpara në atë konflikt, të cilën do t’ia shpjegojë popullit amerikan në janar.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti tha se në Uashington po përjetojmë një kohë ndryshimesh, përfshirë rishimin nga administrata të strategjisë në Irak, Sekretarin e ri të Mbrojtjes dhe demokratët e opozitës, të cilët duke filluar nga muaji i ardhshëm do të jenë në shumicë.

“Për një pjesëtar të forcave tona të armatosura, që shërben në anën tjetër të globit, është e natyrshme të shqetësohet se çdo të thonë për të të gjitha këto ndryshime. Unë dua që trupat tona ta dinë, se ndërsa viti i ardhshëm do të sjellë shumë ndryshime, një gjë nuk do të ndryshojë, që është mbështetja jonë për ju dhe për punën tuaj jetësore për të arritur fitore në Irak. Populli amerikan ju ka juve në mëndjet dhe lutjet e veta, madje ne do të sigurohemi që ju keni burimet, që ju duhen për të zbatuar me sukses misionin tuaj.”

Zoti Bush thotë se arritja me sukses e misionit do të thotë që qeveria irakiane të jetë funksionale, të vetë-mbrohet dhe të bëhet pjesë e një lufte më të gjerë kundër terrorizmit.

Anketat e opinionit publik tregojnë se lufta në Irak po bëhet gjithnjë e më pak popullore. Sipas anketës më të fundit të opiniuonit publik e zhvilluar nga rrjeti televiziv CNN, 70 përqind e votusve amerikane nuk janë dakord me mënyrën se si presidenti Bush po e drejton luftën në Irak.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se një prej objektivave të strategjisë së re është nxitja e një besimi më të madh tek populli amerikan. Gjatë fjalimit të tij në radio, presidenti Bush bëri thirrje për patriotizëm gjatë periudhës së festave.

“I bëj thirrje çdo amerikani që të gjejë disi një mënyrë për të falenderuar ushtrinë tonë në këtë sezon Krishtlindjeje. Në se shikoni një ushtar, marinar, pilot, marins ose anëtar të Rojes Bregdetare, për një moment ndaloni t’u thoni: Falemnderit për Shërbimin tuaj.”

Kundërshtimi ndaj luftës në Irak luajti një rol të madh në fitoren e demokratëve në zgjedhjet e muajit të kaluar, duke u dhënë atyre kontrollin në të dyja dhomat e Kongresit.

Në fjalimin në radio në emër të demokratëve, senatori nga shteti i Indianës, Evan Bej, foli rreth gati 3 mijë amerikanëve, që janë vrarë në Irak që prej fillimit të luftës.

“Vdekja e tyre ndjehet edhe më shumë gjatë festave. Për nder të sakrificës së tyre, ne duhet ta përkushtojmë veten në këtë sezon festash për t’u përpjekur që shprehja Paqe në Tokë, të ketë një kuptim të vërtetë duke krijuar qëndrueshmëri në vende si Iraku, Afganistani dhe Darfuri.”

Senatori Bej tha se ka ardhur koha që politikat partiake të lihen mënjanë. Ai tha se demokratët mirëpresin zotimin e presidentit për t’u shtrirë dorën e bashkëpunimit udhëheqësve të opizitës, të cilët nga ana e tyre do ta kërkojnë me ngulm këtë bashkëpunim.

Presidenti dhe Zonja e Parë Laura largohen nga Kamp Deivid të hënën për të kaluar kohën e festave në fermën e tyre në Texas. Atje, zoti Bush do të vazhdojë këshillimet lidhur me Irakun gjatë një takimi me Këshillin e tij të Sigurimit Kombëtar, i cili pritet të takohet më 28 dhjetor. //ze//

XS
SM
MD
LG