Lidhje

Zyrtari evropian flet për një angazhim më të madh të BE për sa i përket shtetit juridik në Kosovë

  • Linda Karadaku-Ndou

Shefi i asaj pjese të misionit të ri planifikues të BE-së që do të merret me drejtësinë dhe policinë, Kasper Klunge, thotë në një bisedë me Zërin e Amerikës, se “ajo që planifikohet është një shkallë më e lartë e angazhimit evropian, sepse Kosova është pjesë e Evropës dhe Evropa e njeh këtë përgjegjësi”. Zoti Klunge pohon se misioni i ri do të ketë një numër përgjegjësish ekzekutive dhe korrektuese në një numër të kufizuar fushash.

Zoti Klunge vazhdon të punojë në Prishtinë muajt e fundit, në përpjekje për vendosjen e kësaj pjese të misionit të ri ndërkombëtar. Ai thotë se “Kosova është pjesë e Evropës dhe Evropa e njeh këtë përgjegjësi”. Zoti Klunge thekson se pushteti ekzekutiv i misionit të ri varet nga propozimi i të dërguarit për statusin, Marti Ahtisari, dhe më pas do të merret vendimi përfundimtar sesi do të duket misioni i ri.

Megjithatë, ai thotë se misioni i ri do të ketë një numër përgjegjësish ekzekutive dhe korrektuese në një numër të kufizuar fushash. “Dua të theksoj se nuk është qëllimi ynë, nuk ka qenë asnjëherë, nuk do të jetë, që të kemi shumë pushtet ekzekutiv, ne duam që ta kufizojmë këtë në nivelin e mundshëm, dhe mendoj se shumica e njerëzve që do të kemi në misionin e ri do të përfshihen më shumë në një funksion vëzhgues dhe këshillues, por është e vërtetë se ne parashikojmë që një numër i kufizuar njerëzish që do të kenë pushtet ekzekutiv apo korrektues për të ndihmuar dhe për tu siguruar që nuk do të ketë shkelje në mbrojtjen e të drejtave njerëzore të pakicave, që të ketë mundësi për gjykim të drejtë nga ana e gjyqësorit”.

Zoti Klunge pohon se disa nga fushat ku pritet të ketë pushtet ekzekutiv të misionit të ri janë ato të krimeve të ndjeshme, krimit të organizuar, korrupsionit, krimit financiar. Ai shton se këto janë fushat ku mendohet se ende ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare, por sic vë në dukje ai, qëllimi përfundimtar është që pushteti të kalohet tek autoritetet vendase.

Zoti Klunge pohon gjithashtu pushtetin korrektues që do të ketë misioni i ri. “Ka shumë mundësi që një pjesë e këtij pushteti të kalojë tek përfaqësuesi civil ndërkombëtar, që do të jetë pjesë e zyrës politike që ne parashikojmë të krijohet pas rezolutës 1244. Arsyeja pse flasim për pushtet korrektues është që në vend që ne të marrim vendime në vend të autoriteteve vendase në Kosovë, është një filozofi më e mirë që të qëndrojmë në prapaskenë, ti lëmë autoritetet tuaja të marrin vendime, të kenë përgjegjësinë përfundimtare dhe të ndërhyjmë në raste kur shkelet marrëveshja për statusin, ose në raste kur shkelen parimet për të drejtat e njeriut, apo të mbrojtjes së pakicave”.

Zoti Klunge thotë se prania e ardhshme ndërkombëtare do të jetë një garanci për të mos pasur shkelje të të drejtave të njeriut dhe të të drejtave të pakicave. Ai thekson se misioni i ri synon ta bëjë Kosovën të aftë për të menaxhuar veten. “Ne dëshirojmë të qëndrojmë sa më pak që të jetë e mundur”, thotë ai, duke shtuar se janë autoritetet vendase ato që do të kenë përgjegjësinë përfundimtare, që mund të bëjnë ndryshime dhe që mund të sigurojnë që prania e re ndërkombëtare do të largohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ai shton se misioni i ri nuk do të jetë UNMIK, por një mission i ri që do të mbështesë perspektivën e Kosovës në lidhje me integrimin evropian.

Rezoluta e re e Këshillit të Sigurimit, thotë zoti Klunge, do të specifikojë se çfarë pushteti do të ketë misioni i ri, i cili pritet të sjellë në Kosovë nga 1000 deri në 1300 persona, nga të cilët 900 deri në njëmijë do të jenë oficerë policie. Një numër gjykatësish dhe prokurorësh të BE-së do të jenë pjesë e këtij misioni, një pjesë në sistemin e burgjeve dhe në dogana.

XS
SM
MD
LG