Lidhje

Konfliktet largojnë frymën e Krishtlindjeve nga Betlehemi


Të krishterët po mblidhen për festimet e Krishtlindjeve në Betlehem ku ata besojnë se Jezu Krishti lindi para mbi 2 mijë vjetësh. Sipas njoftimeve, rreth 1 mijë pelegrinë, më pak se në vitet e kaluara u mblodhën në qytet. Festimet do të kulminojnë me një meshë në mesnatë në Kishën e Lindjes së Krishtit.

Sot Patriarku latin mbërriti në Betlehem nga Jeruzalemi duke përshkuar barrierat ndarëse që izolojnë Betlehemin nga qyteti i shenjtë. Arkipeshkvi Michel Sabbah, zyrtari më i lartë i katolicizmit në Tokën e Shenjtë bëri thirrje për përpjekje të reja në procesin për paqe në Lindjen e Mesme.

Edhe Presidenti mysliman palestinez Mahmoud Abbas ishte në Betlehem për festimet. Zyrtarët palestinezë thonë se barrierat ndarëse dhe situata e vështirë ekonomike e palestinezëve janë motivet për numrin më të vogël të pelegrinëve.

Çdo vit në këtë kohë, të krishterët në mbarë botën e përqëndrojnë vëmendjen e tyre në Bethlehem, qyteti i vogël në Bregun Perendimor ku sipas traditës kristiane, ka lindur Jezu Krishti. Të krishterët kanë jetuar në Betlehem për shekuj, por shumë prej tyre po largohen tani. Kryengritja e përgjakshme palestineze gjatë viteve të fundit dhe ndërtimet e barrierave masive të sigurimit përreth qytetit e kanë thyer frymën e Krishlindjeve nga Betlehemi.

Kjo është Kisha e Betlehemit, ku të krishterët besojnë se është vendlindja e Jezu Krishtit, një nga qytetet më të mëdha në territoret palestineze.

Një dekadë më parë – Sheshi i Grazhdit i cili është në anën tjetër të Kishës - do të ishte i mbushur me mijëra turistë në këtë kohë të vitit. Megjithatë vitin e kaluar më pak se tre mijë turistë e vizituan atë gjatë krishlindjeve nga 90 mijë që e kanë vizituar atë mesatarisht në këtë kohë më pak se dhjetë vjet të shkuara.

Këtë vit situata nuk duket më mirë. Pelegrinët ende vijnë në Betlehem, por ata janë të paktë në numër. Frika nga dhuna e mundshme dhe një barrierë izraelite e sigurimit i ka mbajtur ata larg.

Në të njëjtën kohë, shumë banorë të këtij qyteti historik po largohen, veçanërisht anëtarët e komunitetit të krishterë që përbën shumicën.

Më shumë se 3 mijë të krishterë, rreth 10 përqind e popullësisë së Bethlehemit, janë larguar nga qyteti qysh kur filloi Intifada palestineze gjashtë vjet më parë. Edhe tani që kjo lëvizje nuk është shumë aktive, të krishterët vazhdojnë të largohen nga qyteti duke e rënuar ekonominë dikur të fuqishme të tij.

Në bashkinë e qytetit, zyrtarët po luftojnë të bashkërendojnë përpjekjet të përballur me një popullësi në largim dhe krizën ekonomike në territoret palestineze që erdhën këtë vit nga kundërshtimi i grupit Hamas për të njohur Izraelin. Dhuruesit ndërprenë ndihmat si rezultat i qeverisë palestineze të kontrolluar nga Hamasi dhe Izraeli ndaloi kthimin e të ardhurave nga taksat dhe doganat tek palestinezët – punonjësit e qytetit të Betlehemit nuk janë paguar për muaj të tërë.

Kryetari i Bashkisë Victor Batarseh, që nuk është anëtar i Hamasit – por një anëtar i familjeve kryesore të komunitetit të krishterë thotë se barrierat ndarëse të Izraelit – të ndërtuara për të mbajtur larg vetvrasësit nga Izraeli e kanë rënuar gjithashtu qytetin.

“Ndikimi i murit jo vetëm për Sheshin e Grazhdit por edhe për të gjithë tregëtarët ka qënë shumë negativ. Ai ndalon hyrjen e lirë të turistëve dhe pelegrinëve në qytetin e Betlehemit që është një nga aktivitetet krysore që sjell të ardhura për qytetin”.

Barriera 650 kilometërshe e Izraelit ndan rrugët e Betlehemit duke i kthyer shumë prej tyre në rrugë ka krye. Barrierat e kanë ndarë Betlehemin nga Jeruzalemi fqinj i cili shtrihet në anën tjetër të tyre. Palestinezët e Betlehemit thonë se muri e ka kthyer qytetin e tyre në një burg.

Por izraelitët thonë se lagje si kjo që mund të shihen nga kodrat e Bethlehemit janë më të sigurta tani nga sulmuesit vetvrasës.

Autoritetet izraelite thonë se kufizimet që palestinezët hasin në pikat e kontrollit si kjo janë të nevojshme pasi barriera e sigurimit ka ndaluar sulmuesit të hyjnë në Jeruzalem nga Betlehemi. 172 banorë të Jeruzalemit kanë vdekur nga sulmet vetvrasëse gjatë viteve të fundit. Në qytet nuk ka patur më sulme që nga ndërtimi i barrierave të sigurimit.

Atallah Mansour, ekspert për Lindjen e Mesme, thotë se të krishterët po largohen nga rajoni – kryesisht për arsye ekonomike. Ai thotë se disa të krishterë të Betlehemit që janë kthyer në qytet gjatë viteve të fundit, po largohen tani përsëri për shkak të procesit të bllokuar të paqes midis palestinezëve dhe izraelitëve.

“Deri 15 vjet më parë Bethlehemi kishte shumicë të krishterë. Njerëzit që u larguan nga vendi 100 vjet apo 50 vjet më parë për në Kili dhe Brazil, po ktheheshin dhe kishte një ndjenjë se gjerat po përmirësoheshin. Tani, gjithnjë e më shumë njerëz po largohen dhe do të ketë gjithnjë e më pak të krishterë. Në se kjo histori vazhdon për një dekadë apo një tjetër atëherë këtu ndoshta do të mbeten vetëm priftërinjtë”.

George Baboul dhe familja e tij kanë patur dyqanin e tyre të suvenireve në Betlehem pranë sheshit kryesor për 40 vjet. Ai thotë se jeta për të krishterët në Betlehem është bërë shumë e vështirë dhe të rinjtë veçanërisht janë ata që duan të largohen.

Ata duan të largohen për një jetë më të mirë, për punë më të mira. Shumica e të krishterëve kthehen në Shtetet e Bashkuara si dhe në Evropë, Suedi apo edhe Gjermani. Ata janë të pakënaqur me jetën këtu – duan të jetojnë si njerëz dhe të ndjehen si të tillë.

George Baboul thotë se ka parë disa turistë të jenë kthyer gjatë ditëve të fundit, por jo aq sa të lehtësojnë vështirësitë ekonomike të të krishterëve në Betlehem. Krishlindjet në Betlehem thotë ai nuk janë më të gëzuara. //kk//

XS
SM
MD
LG