Lidhje

Shtëpia e Gjeneralit Marshall, një pikë tërheqëse për turistët e huaj


Në qytetin e vogël historik, Leesburg në shtetin Virginia ndodhet villa Dodona, shtëpia e njërës prej figurave më të rëndësishme të shekullit të 20, një njeri që ndihmoi për të rindërtuar Evropën pas Luftës së Dytë Botërore. Në vazhdim një kronikë që na njeh nga afër me shtëpinë e Gjeneralit Xhorxh Marshall:

Vila Dodona, apo siç njihet në anglisht Dodona Manor, ishte banesa e atij që Uinston Çërçilli e cilësoi si amerikanin më të madh të shekullit të 20, George Marshall. Thuhet që ai personifikonte transformimin e Amerikës nga izolimi në mentalitetin e komuniteteve të vogla në një udhëheqëse globale.

Gjatë karrierës së tij Marshalli mbajti poste në 2 luftra botërore nën 8 presidentë amerikanë. Ai ishte i vetmi ushtarak që mori Çmimin Nobel në vitin 1953. Por Rejçëll Tomson, Drejtoreshë për Informimin në vilën Dodona, thotë se Marshalli ndoshta njihet më së miri për planin Marshall për rindërtimin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, që ai ndihmoi të krijohej dhe zbatohej kur ishte Sekretar Shteti në administratën e Presidentit Truman në vitin 1947. "Në Evropë njerëzit e kujtojnë për këtë rol. Këtu në Vilën Dodona presim vizitorë nga Gjermania, nga Holanda dhe vende të tjera evropiane që kanë përfituar nga Plani Marshall. Ata vijnë këtu me lot në sy, dhe thonë se nuk do të kishin mbijetuar po të mos kishte qenë Plani Marshall. Kjo na bën të mendojmë se ai ishte heroi amerikan për botën."

Xhorxh Marshalli lindi në Uniontown të Pensilvanisë në vitin 1880, dhe gjatë jetës së tij ai u bë një ushtarak dhe burrë shteti, i cili la gjurmë të pashlyeshme në historinë amerikane. Ai u diplomua në Institutin Ushtarak të Virginias dhe më pas u fut në radhët e ushtrisë amerikane. Më 1 shtator 1939 ai u bë Shefi i Shtatmadhorisë, pra kishte nën kontroll të tërë ushtrinë amerikane, një detyrë shumë e madhe kjo gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1944 ai u bë një ndër gjeneralët e paktë me 5 yje në ushtrinë amerikane.

Në kulmin e karrierës së tij, kur Marshalli tërhiqte vëmendje të madhe publike, ai dhe e shoqja filluan të kërkonin një vend të qetë për të jetuar. Cut out Bite Katherine Marshall ia vuri syrin kësaj shtëpie në rrëzë të vargmalit Blue Ridge Mountains në vitin 1941. Kristie Lalire është cicerone për vizitorët në Vilën Dodona: "Këtu jemi në korridorin e Vilës Dodona. Kjo është një shtëpi e shekullit të 18, së cilës i janë bërë 2 shtesa në shekullin e 19. Ky korridor është tipik i stilit federal arkitektural, me një korridor qendror në mes të shtëpisë. Që nga mobilimi e deri tek ngjyrat letrës së mureve, të gjitha janë restauruar për të ruajtur origjinalitetin e shtëpisë."

Ciceronia shpjegon se vizitorët mund të shohin nga mobilimi i dhomës së gjumit se sa jetë të thjeshtë bënte Marshalli: "Ai nuk kërkonte shumë për të jetuar. Në këtë dhomë kemi vetëm një orendi kryesore, këtë raft me sirtare pranë shtratit, ku ai mbante këmishat."

Në librin me kujtime “Së Bashku”, e shoqja e tij Katherine Marshall kujton kur i shoqi u kthye nga Evropa pas luftës, u fut në Vilën Dodona dhe i tha “Kjo është një shtëpi e vërtetë për mua, pas 41 vjetësh që kam kaluar rrugave.”

Në vilën Dodona, Marshalli kishte dy vende të preferuara: kopshtin dhe bibliotekën, ku ai kalonte orë të tëra duke shqyrtuar në qetësi çështje me rëndësi ndërkombëtare. Afro gjysmë shekulli pasi ky burrë shteti ishte ulur në këtë stol të vrarë nga koha duke menduar problemet globale, trashëgimia e tij mbetet e pashlyeshme. //ad//

XS
SM
MD
LG