Lidhje

Ryker: 2007-ta nuk do të zhgënjejë qytetarët e Kosovës


Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se viti 2007, do të jetë periudhë e zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë Besim Abazi, ai ka theksuar se komuniteti ndërkombëtarë është i përcaktuar për zgjidhjen e statusit dhe nuk ka nevojë për asnjë veprim të njëanshëm që do të ishte i rrezikshëm për procesin politikë në Kosovë

Zëri i Amerikës: Zoti Ruecker, Kosova po e përmbyllë këtë vit në pritje që vitin e ardhshëm të zgjidhet statusi i saj politikë. Kur prisni ju se do të mund të ndodhë kjo?

Johakim Ryker: Mendoj se komuniteti ndërkombëtarë, Grupi i Kontaktit dhe në veçanti, i dërguari i posaçëm Martti Ahtisaari, është i vendosur që statusi i Kosovës të jetë i zgjidhur shumë shpejtë dhe unë besoj plotësisht në procesin e drejtuar prej tij.

Zëri i Amerikës: Por kohëve të fundit janë shprehur shqetësime se propozimi i zotit Ahtisaari nuk do ta qartësojë në masë të duhur çështjen e statusit dhe kjo mund t’u lihet vende të ndryshme që të vendosin secili për qëndrimin e tyre ndaj statusit. Si mund të pasqyrohet kjo në zhvillimet në Kosovë?

Johakim Ryker: Së pari mendoj se duhet të presim propozimin e të dërguarit të posaçëm Martti Ahtisarri, i cili do të hidhet menjëherë pas zgjedhjeve serbe dhe pastaj do t’u prezantohet të dyja palëve dhe më pas do të mblidhen komentet e tyre për të shkuar pastaj në New York. Pas kësaj mund të bëhen gjykime dhe unë besoj plotësisht në këtë proces dhe ajo që do të hedhë ai në tavolinë, do të jetë e pranueshme për të dyja palët. Ai i ka drejtuar negociatat për dhjetë muaj dhe i di pozicionet thelbësore të palëve dhe ka bërë një punë të hollësishme në çështjet kryesore të negociatave siç janë decentralizimi, vetëqeverisja lokale, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, të drejtat e pakicave kur flitet për interesat jetike dhe çështjet ekonomike se çfarë duhet të bëhet me pasuritë nëse duhet ndarë ato. Ajo që dua të them është se pakoja e zotit Ahtisaari tashmë dihet dhe për çështjet tjera duhet pritur derisa ajo të jetë në tryezë dhe siç thashë, unë besoj se propozimi do të jetë i pranueshëm për palët.

Zëri i Amerikës: A ka hapësirë për veprime të njëanshme të institucioneve vendase të Kosovës nëse ndodhë një shtyrje e re e mundshme e zgjidhjes së statusit?

Johakim Ryker: Siç kam thënë edhe në të kaluarën, mendoj se çfarëdo aluzioni në ndonjë veprim të njëanshëm, do të ishte kundër produktiv dhe i rrezikshëm. Ne duhet të kemi besim të plotë tek procesi i zotit Ahtisaari dhe jam i bindur se i dërguari i posaçëm dhe komuniteti ndërkombëtare janë të përcaktuar për ta parë zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Në mënyrë hipotetike, a e kërcënon stabilitetin në Kosovë një shtyrje e mundshme e statusit?

Johakim Ryker: Unë i kam shpjeguar komunitetit ndërkombëtarë se shtyrjet e tjera do të kenë çmimin e tyre politik dhe ekonomik. Vetëm mendoni tërë ato projekte në ekonomi që presin investime sepse njerëzit presin zgjidhjen e statusit për të pasur qasje në institucionet financiare ndërkombëtare. Pra unë preferoj të flas për çmimin politik dhe ekonomik nëse ka shtyrje të tjera. Ndryshe, unë mendoj se qytetarët e Kosovës kanë mirëkuptim të plotë se statusi mund të zgjidhet vetëm nëse shoqëria dëshmon maturi dhe nëse ka një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet me të cilat përballet Kosova është integrimi i komuniteteve posaçërisht komunitetit serb, si i shihni ju zhvillimet në këtë çështje?

Johakim Ryker: Mendoj se është shumë me rëndësi që serbët e Kosovës publikisht të përfshihen në institucionet e Kosovës dhe në jetën e saj politike dhe ekonomike, sepse kjo është si në një lojë futbolli, nëse merrni pjesë ju mund të ndikoni në rezultat, ndërsa nëse rrini anash nuk mund të ndikoni në asgjë. Tash shumë serb të Kosovës e kanë kuptuar këtë dhe nuk janë të lumtur që Beogradi ende po i ndalon dhe po i pengon që të integrohen në jetën politike dhe ekonomike të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së Mitrovicës që ka mbetur një ndër problemet me të mprehta të pasluftës në Kosovë?

Johakim Ryker: Duhet të presim derisa zoti Ahtisaari të hedhë mbi tryezë pakon e tij dhe propozimet për decentralizimin. Por, në afat të mesëm dhe të gjatë, Mitrovica për mua është një qytet i vetëm, prandaj çfarëdo që del nga propozimi duhet të jetë njëfarë lloj ombrelle për qytetin.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruecker, t’u kthehemi pak zhvillimeve të brendshme. Përplasjet ndërmjet pozitës dhe opozitës janë shtuar ditëve të fundit. A e kërcënon kjo stabilitetin e brendshëm?

Johakim Ryker: Mendoj se është shenjë e demokracisë së shëndetshme nëse opozita luan rolin e saj ndërsa qeveria luan rolin e saj. Nuk do të thosha medoemos që nëse keni një gjendje të tillë në Parlament ku opozita dhe qeveria paraqesin qëndrimet e tyre është një shenjë e destabilizimit. Mendoj se duhet të jemi më të bindur se kjo është shenjë e funksionimit të demokracisë.

Zëri i Amerikës: Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në Kosovë në dritën e zhvillimeve të fundit si paraqitja e njerëzve me maska dhe zbulimi i një sasie armësh ilegale në një fshat të Kosovës qendrore?

Johakim Ryker: Të gjitha zhvillimet duhet të merren seriozisht dhe kriminelët duhet të sillen para drejtësisë, Janë bërë arrestime rreth incidenteve dhe do të ketë hetime të mëtejshme dhe jam plotësisht i sigurt që drejtësia dhe policia do të jenë në gjendje të merren me këtë çështje.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruecker, një pyetje e zakonshme për fundin e vitit, cila është porosia juaj për qytetarët e Kosovës dhe a kanë ata arsye për të besuar në vitin tjetër?

Johakim Ryker: Mendoj se qytetarët e Kosovës kanë kaluar një rrugë të qartë dhe kanë të drejtë të dinë ta kenë të qartë të ardhmen e tyre. Unë e admiroj mënyrën se si e shprehin besimin në të ardhmen më të mriz dhe kjo shpresë nuk duhet zhgënjyer dhe nuk do të jetë e zhgënjyer. Unë jam plotësisht i bindur se do të shohim rezultatet përfundimtare sa i përket statusit në vitin 2007. Presim një vit të mriz dhe kjo është porosia ime për qytetarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruecker, keni thënë se do të jeni shefi i fundit i UNMIK-ut, a mbeteni edhe më tej pranë këtij qëndrimi?

Johakim Ryker: Unë kam thënë se pres të jem shefi i fundit i UNMIK-ut dhe pres që do të kemi statusin të zgjidhur vitin e ardhshëm. Nuk ka garanci në politikën ndërkombëtare. Duhet të punojmë shumë të gjithë së bashku, qytetarët e Kosovës, institucionet e përkohshme, UNMIK-u, çdo kush që dëshiron rezultate të mirë, por nuk ka garanci. Megjithatë unë besoj se do të kemi rezultate të mira vitin e ardhshëm. //rd//

XS
SM
MD
LG