Lidhje

Çfarë solli 2006-a në shkencë dhe teknologji?


Gjatë 25 vjetëve të ardhshëm pritet që Sida të jetë një ndër 3 shkaktarët kryesorë të vdekjeve në botë. Ky parashikim i zymtë vjen nga shkencëtarë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Klimatologët bëjnë parashikime edhe më të zymta për ndikimin që pritet të ketë rritja e temperaturës në planetin tonë. një vështrim arritjeve kryesore në mjekësi dhe shkencë gjatë vitit 2006.

Kohët e fundit epidemiologët thanë se do të bëhet gjithnjë e më e vështirë për të financuar programet e mjekimit nëse nuk ulet numrin e infektimeve të reja me virusin HIV. 25 milion vetë kanë vdekur nga kjo sëmundje. 39 milion të tjerë jetojnë aktualisht me Hiv ose me Sidë. Zyrtarët e shëndetësisë theksojnë zbatimin e praktikave seksuale që shmangin infektimet, si përdorimin e profilaktikëve.

Në vitin 2006 Organizata Botërore e Shëndetësisë anuloi një vendim që pat marrë vite më parë dhe futi përsëri në përdorim pesticidin DDT për të spërkatur ambjentet e banimit kundër mushkonjave që përhapin malarjen. DDT u pat ndaluar si pesticid bujqësor për 30 vjet pasi dyshohej se rriste rrezikun për kancer. Megjithatë zyrtarët e shëndetësisë mendojnë se varianti i ri i këtij produkti nuk është i rrezikshëm për njerëzit.

Gjatë 2006-s pati një shqetësim në rritje për përhapjen e gripit të shpendëve tek njerëzit, dhe në veçanti shqetësime se virusi H5N1 mund të fillonte të transmetohej nga një njeri tek tjetri. Shkencëtarët po përpiqen tani të prodhojnë një vaksinë kundër tij.

Në përfundim të 2006-s zyrtarë të shëndetësisë në Kombet e Bashkuara bënë thirrje për shpërndarjen e një vaksine të re me kosto të ulët kundër virusit HPV i cili shkakton 70 për qind të rasteve të kancerit në qafën e mitrës. Ky lloj renditet në vend të dytë në kanceret më të ndeshura tek gratë. Mbipesha doli në skenë si shqetësim global. Për këtë u fajësua mënyra sedentare e jetesës dhe ushqimet me përqëndrim të lartë yndyre dhe sheqeri. Por u ngrit gjithashtu edhe shqetësimi për prirjen e rrezikshme për humbje peshe në industrinë e modës.

Në fushën e kërkimeve mjekësore gjatë 2006 ishin në qendër të vëmendjes kërkimet me qeliza embrionale. Presidenti Bush vuri veton për të mos lejuar përdorimin e fondeve federale për kërkime në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa në Korenë e Jugut një shkencëtar u diskretitua pasi kishte pretenduar suksese të paqena. Megjithatë kërkimet vazhdojnë në mbarë botën.

Në vitin 2006 sinjale shqetësuese për ngrohjen globale tërhoqën vëmendje ndërkombëtare. Zbulime se si Poli i Veriut ashtu edhe ai i Jugut po shkrijnë i shtangën shkencëtarët. Një studim afat-gjatë arriti në përfundimin se Groenlanda kishte humbur 100 miliardë tonë akull nga viti 2003 deri në vitin 2005.

Rritja e çmimeve të karburantit ndihmoi që burimet alternative të energjisë, si era dhe energjia diellore të bëheshin sektorët energjetikë me rritjen më të madhe në Shtetet e Bashkuara.

Në fillim të vitit 2006, u shënua një zbulim i rëndësishëm arkeologjik. Në Luginën e Mbretërve në Egjipt u zbulua një varr 3 mijë vjeçar. Në shtator shkencëtarët njoftuan se kishin zbuluar skeletin e një paraardhësi të njeriut që ka jetuar 3 milion vjet më parë.

Nasa rifilloi në 2006-n udhëtimet në hapësirë për zgjerimin e Stacionit Orbital Ndërkombëtar. Sondat planetare zbuluan në Mars gjurmë se ka pasur rrjedha uji. Një tjetër sondë dërgoi në Tokë pamje mahnitëse të Saturnit dhe unazave të tij. Ndërsa në gusht, një konferencë e astronautëve i hoqi Plutonit statusin e planetit, megjithatë Nasa nuk e ka braktisur atë, pasi do të dërgojë atje një sondë që arrin në vitin 2015. Ndërkohë Nasa njoftoi se ka në plan të fillojë punën për prodhimin e flotës së re të anijeve të hapësirës dhe për ndërtimin e një stacioni ndërkombëtar në Hënë brenda vitit 2020. //rd//

XS
SM
MD
LG