Lidhje

Amerika nderon ish-Presidentin Xherald Ford


Kudo në Shtetet e Bashkuara flamurët janë ngritur në gjysmë-shtizë ndërkohë që vendi përgatitet për varrimin e ish Presidentit Xherald Ford. Zoti Ford vdiq të martën në shtëpinë e tij në Ranço Mirazh të Kalifornisë ku jetonte me bashkëshorten Beti.

Zyrtarët thonë se ceremonitë funebre do të fillojnë të premten në Kaliforni para se të vazhdojnë në Kapitol Hill dhe në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit të martën. Varrimi do të bëhet të mërkurën në shtetin e tij të lindjes, Miçigan. Homazhet nga publiku do të bëhen në Kaliforni, Uashington dhe Miçigan.

Zoti Ford ishte 93 vjeç. Ai vdiq pas problemeve të shkaktuara nga pneumonia dhe pasi u ishte nënshtruar dy ndërhyrjeve në zemër gjatë këtij viti. Ai ishte i vetmi president apo nënpresident amerikan që nuk u zgjodh me votim në këto poste.

Zoti Ford u emërua nënpresident në vitin 1973 nga Presidenti Nikson, kur nënpresidenti Spiro Agnew dha dorëheqjen pas akuzave për korrupsion financiar.

Në gusht të vitit 1974, zoti Ford u bë presidenti i 38-të i Shteteve të Bashkuara kur Richard Niksoni dha dorëheqjen pas skandalit politik të Uotergejtit.

Presidenti Bush e vlerësoi lart zotin Ford si personalitet me integritet të plotë që meritoi respektin e shumë njerëzve.

REAGIME NGA SHBA DHE NGA BOTA

Personalitete nga i gjithë spektri politik amerikan po përkujtojnë ish presidentin Xherald Ford.

Ish presidenti Bill Klinton tha se zoti Ford i bashkoi amerikanët gjatë një periudhe shumë të vështirë në epokën e pas Vietnamit dhe pas Uotergejtit.

Ish Presidenti Xhimi Karter e quajti atë një ndër njerëzit më të admirueshëm që ka njohur ndonjëherë. Zoti Karter fitoi ndaj zotit Ford në zgjedhjet presidenciale të vitit 1976.

Ish Presidenti George Herbert Uoker Bush e quajti zotin Ford një njeri dinjitoz dhe të ndershëm.

Ish senatori Bob Dole e cilësoi zotin Ford si njeri të mirë të cilin do të dëshiroje ta kishe komshi. Në zgjedhjet e vitit 1976, zoti Dole kandididoi për postin e nënpresidentit në një fushatë me zotin Ford.

Mbretëresha e Anglisë, Elizabet tha se flamuri britanik do të qendrojë sot në gjysmë shtizë mbi Pallatin e Bakingemit për nder të zotit Ford. Një zëdhënës i Pallatit tha se mbretëresha u hidhërua nga vdekja e tij dhe i ka dërguar një mesazh personal ngushëllimi zonjës Ford.

Presidenti rus Vladimir Putin e vlerësoi lart ish presidentin Ford për kontributin e tij të ndjeshëm që, sipas tij, ai dha për forcimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe ish Bashkimit Sovjetik.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan tha se Presidenti Ford do të kujtohet për mbështetjen që u dha Kombeve të Bashkuara dhe për afirmimin që u bëri të drejtave të njeriut.//ii

XS
SM
MD
LG