Lidhje

Tiranë: pozita dhe opozita vazhdojnë negociatat për çertifikatat


Parlamenti i Shqipërisë njoftoi thirrjen e një tjetër seance plenare për sot pasdite, në përpjekje që forcat kryesore politike të gjejnë gjuhën e përbashkët për reformën zgjedhore.

Seanca parlamentare e mbrëmjes së kaluar nuk u arrit të zhvillohej pasi deputetët e opozitës nuk u paraqitën. Deputetët e mazhorancës pritën më kot për afro 6 orë, deri afër mesnatës, kolegët e tyre opozitarë për të shqyrtuar paketën e ndryshimeve kushtetuese dhe të amendameteve në Kodin Zgjedhor.

Partia Socialiste kishte njoftuar më parë që nëse maxhoranca nuk merr parasysh kërkesën për çertifikata të posaçme identifikimi për votuesit, grupi i saj parlamentar nuk do të ishte i pranishëm në sallën e parlamentit. Dhe ashtu ndodhi; nga socialistët u paraqit vetëm kryetari i grupit parlamentar Pandeli Majko.

Kjo është seanca e tretë në të cilën opozita përfaqësohet në parlament vetëm me kryetarët e grupeve parlamentare. Ashtu si në seanca të mëparshme, deputetët e opozitës nuk i kanë zënë vendet e tyre në sallë, për ta bërë të pamundur nisjen e procedurave të votimit për paketën e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe në Kushtetutë.

Zoti Majko tha në takimet me gazetarët, se opozita nuk heq dorë nga kërkesa për çertifikata speciale, sepse ky, tha ai, është një standard zgjedhor, dhe se për këtë çështje e gjithë opozita ka një qëndrim të përbashkët.

Sapo maxhoranca dha mirëkuptimin për shtyrjen e datës së zgjedhjeve brenda muajit shkurt, opozita e përqëndroi vëmendjen te çertifikatat ku filluan sërish mospajtimet. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se maxhoranca do të votojë amendamentin për ndryshimin e datës së zgjedhjeve brenda muajit shkurt, si afat i fundit kushtetues. Ai tha se maxhoranca do të votojë të gjithë amendamentet ligjore dhe kushtetuese që parashikon marrëveshja dypalëshe e gushtit për reformën zgjedhore.

Ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mirëpriti kompromisin e maxhorancës për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, dhe e quajti atë një hap të rëndësishëm për plotësimin e standarteve zgjedhore, mes të cilave mbetet për t'u zgjidhur edhe çështja e çertifikatave.

Maxhoranca ka propozuar zgjidhjen e çështjes së çertifikatave përmes një vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për një formë të veçantë paraqitjeje, apo bashkëshoqërimi i saj me mjete të tjera identifikuese. Por opozita këmbëngul që problemi i çertifikatave të marrë një zgjidhje përfundimtare me një nen të vecantë në kodin zgjedhor, i cili do t'u shërbente qytetarëve në çdo kohë.

Në mesin e këtyre debateve, parlamenti po organizon sot një tjetër senaca plenare me shpresat për ta shndërruar krizën zgjedhore në një reformë zgjedhore të besueshme nga palët.//ii

XS
SM
MD
LG