Lidhje

Vitet e Presidencës së Xherald Fordit - si e kujtojnë bashkëkohësit


Xherald Fordi, President i Shteteve të Bashkuara nga viti 1974 deri më 1977, i cili vdiq në moshën 93-vjeçare, ishte presidenti që ka jetuar më gjatë në historinë amerikane.

Xherald Rudolf Ford ishte i vetmi president i Shteteve të Bashkuara i cili erdhi në këtë post pa u zgjedhur. Më 10 tetor 1973, Nënpresidenti Spiro Agnju dha dorëheqjen përballë akuzave për korrupsion. Presidentit Riçhard Nikson iu desh të emëronte një nënpresident të ri, siç parashikohet në Kushtetutë. Por Presidenti Nikson ishte i implikuar vetë në skandalin e Uotergejtit, i cili bëri që në Kongresin dhe në publikun amerikan të kërkohej shkarkimi i tij nga posti.

Xhejms Kanon, këshilltar politik dhe biograf i Fordit, thotë se në fakt, vendimi se kush duhet ta zëvendësonte nënpresidentin Agnju nuk ishte në dorën e Shtëpisë së Bardhë.

"Në të vërtetë, Fordi u zgjodh si nënpresident nga udhëheqësit e Kongresit, demokratë dhe republikanë, të cilët e dinin se ai mund të bëhej president. Ata ia imponuan këtë vendim presidentit Nikson duke i thënë se ky është njeriu të cilin ne do ta konfirmonim në Senat dhe kështu Niksonit nuk i mbetej tjetër veçse të pranonte Fordin."

Në atë kohë, Xherald Fordi kishte 25 vjet si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe ishte udhëheqës i republikanëve të Dhomës. Ai shihej me respekt nga kolegët si njeri i aftë për të bashkëpunuar me të dyja partitë politike. Në korrik 1974, Kongresi filloi procedurat e shkarkimit të Presidentit Nikson, të cilat çuan në dorëheqjen e tij më 9 gusht të atij viti. Vendin e tij e zuri Xherald Fordi, njeriu që ai zgjodhi si nënpresident.

Analisti i politikës publike Xhejms Pfiffner në Universitetin Xhorxh Mejsën, pranë Uashingtonit, thotë se zoti Ford erdhi në Shtëpinë e Bardhë i vendosur për të ndryshuar atmosferën e krijuar nga paraardhësi i tij.

"Kjo pati një ndikim të madh mbi mënyrën se si e shikonte ai postin e presidentit, duke i dhënë këtij posti më shumë transparencë. Në fakt, ky ishte një reagim ndaj Riçard Niksonit, i cili me kujdes e mbante kabinetin larg vendimeve të rëndësishme dhe mbante një qendrim mjaft konfrontues ndaj Kongresit."

Një muaj pasi u bë president, Xherald Fordi vendosi t’i japë fund “ëndrrës së keqe dhe të gjatë të vendit” siç e quante ai skandalin e Uotergejtit në të cilin u zhyt Niksoni. Ai e fali ish presidentin për t’i mbyllur shtegun ngritjes së procedurave penale apo edhe një gjyqi kundër Niksonit që sipas tij nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të vazhdonte ta përçante dhe ta dobësonte vendin.

Sekretari i Shtypit i Presidentit Ford, Ron Nessen, kujton se zoti Ford u përball qysh në fillim me një mal problemesh të brendshme dhe të jashtëme.

"Natyrisht, qysh në fillim problemi më i madh ishte falja e Niksonit. Problemet e tjera erdhën njëkohësisht me pëprfundimin e Luftës së Vietnamit. Ndër problemet e brendshme ishte ekonomia sepse inflacioni po bënte kërdinë. Ekonomia kishte përsuar rënien më të madhe qysh nga Depresioni i Madh i viteve 30."

Rënia ekonomike e vitit 1974 ishte shkaktuar në radhë të parë nga embargoja e naftës e imponuar nga OPEC-u si reagim ndaj mbështetjes amerikane për Izraelin në Luftën e Jom Kipurit të vitit 1973.

Këshilltari politik i Fordit, Xhejms Kanon, thotë se përpjekjet për të dalë nga kjo rënie ekonomike e dëmtoi karrierën politike të Presidentit Ford.

"Presidentit Ford iu desh të shkurtonte shpenzimet qeveritare dhe të përpiqej të ulte inflacionin dhe interesat bankare derisa ekonomia të merrte veten. Por kjo nuk ia përmirësoi imazhin në publik sepse atij iu desh t’u vinte veton një numri projektligjesh të miratuara nga Kongresi, ligje që në thelb parashikonin shpenzime në favor të publikut.”

Këshilltari i Sigurimit Kombëtar të Presidentit Ford, Brent Skoukroft kujton se tërheqja amerikane nga Vietnami i Jugut, i cili doli jashtë kontrollit në vitin 1975, i fuqizoi ambicjet e vjetra të Bashkimit Sovjetik megjithë përmirësimin e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Moskës.

"Politika e uljes së tensionit me Bashkimin Sovjetik e filluar nga Presidenti Nikson në vitin 1972, shihej në atë kohë si një politikë pothuajse e dështuar. Me fjalë të tjera, sovjetikët qenë në gjendje të shfrytëzonin atmosferën e shpenguar mes Uashingtonit dhe Moskës për të ndjekur të njëjtat qëllime që kishin edhe përpara uljes së tensionit."

Frenimi i komunizmit, sidomos i elementëve të mbështetur nga Moska, ishte një politikë e rëndësishme për administratën Ford. Në vitin 1975, kur Kamboxhia kapi anijen tregtare amerikane Mayaguez, Shtëpia e Bardhë u kundërpërgjigj me një operacion ushtarak shpëtimi, për t’i treguar botës se Amerika nuk ishte e dobët. Në korrik 1975, Presidenti indonezian Suharto kërkoi ndihmën e Uashingtonit për të eliminuar kërcënimin komunist që ai thoshte se drejtohej ndaj qeverisë së tij. Dokumentat e çarkivuara kohët e fundit tregojnë se në atë kohë Shtëpia e Bardhë dyshonte se Suhartoja synonte të pushtonte Timorin Lindor.

Zoti Brent Skoukroft thotë se kjo ishte një dilemë shumë e vështirë për presidentin.

"Fjala ishte për një grup mjaft radikal që ne kishim frikë se mos vinte në fuqi në Timorin Lindor. Ishte e qartë se ne nuk mund të bënim dot gjë për ta penguar Suharton ta pushtonte Timorin Lindor. Nëse do ta kishim kthyer Suharton në armik, kjo nuk do ta kishte bërë më të mirë gjendjen në’ Timorin Lindor."

Në vitin 1976, Xherald Fordi hyri në fushatën presidenciale kundër kandidatit demokrat Xhimi Karter, ish guvernator shteti pa ndonjë emër në politikë. Gjatë fushatës, zotit Ford iu desh të përballonte zemërimin e shumë votuesve për faktin se ai fali Riçard Niksonin. Karteri e mundi me vështirësi Fordin dhe kjo shënoi fundin e karrierës politike të presidentit të vetëm të pazgjedhur në historinë amerikane.

Sa për trashëgiminë që la pas, shumë historianë i njohin Fordit meritën se e qetësoi dhe e shëroi vendin pas një skandali shkatërrimtar, pas një krize ekonomike dhe një lufte përçarëse në Vietnam. Xherald Fordi, theksojnë ata, e vuri këtë detyrë jashtëzakonisht të vështirë mbi karrierën e tij si politikan.//ii

XS
SM
MD
LG