Lidhje

2006 – Vit zhvillimesh dramatike në Kosovë

  • Linda Karadaku-Ndou

  • Negociatat për statusin e Kosovës, vdekja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, ndërrimet në krye të dy institucioneve, qeverisë dhe parlamentit, zgjedhja e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe organeve drejtuese të kësaj partie, ishin disa nga ngjarjet e rëndësishme të politikës në Kosovë gjatë vitit 2006. Megjithë zhvillimet dramatike, vendi tregoi se është i aftë të menaxhojë kriza dhe të ruajë stabilitetin, i cili është parakusht edhe për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ndërkohë viti 2007 është përsëri vit pritjeje: pritet marrja e vendimit për statusit, largimi i UNMIK-ut, vendosja e misionit të ri ndërkombëtar, zgjedhje të reja ndoshta në fund të vitit. Në vitin 2007 pritet të fillojë edhe gjykimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nga gjykata e Hagës. Fundi i vitit 2007, pritet të qartësojë shumë gjëra dhe ta fusë Kosovën në një fazë të re të procesit.

Në fillim të vitit 2006 dhe në vazhdimësi, shqiptarët e Kosovës pritën me entuziazëm fundin e vitit, që pritej t’u sillte një qartësi përfundimtare për statusin e vendit, që për shqiptarët duhet të jetë vetëm pavarësi, ndërsa për serbët, mbetja e Kosovës si pjesë e Serbisë. Në fund të vitit presidenti Marti Ahtisari, kryenegociatori për statusin, njoftoi se dhënia e propozimit të tij do të shtyhej deri pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Serbi, në fund të muajit janar.

Grupi negociator i Kosovës, zhvilloi negociata në disa nivele me grupin negociator të Serbisë, ndër të cilat negociatat për çështje teknike, si decentralizimi, trashëgimia kulturore dhe fetare, çështje ekonomike dhe të tjera.

Në nivelin më të lartë, përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit u takuan në të ashtuquajturin, “takimi i elefantëve”, që në fakt nuk prodhoi asgjë. Bisedimet për çështjet teknike u përqëndruan më gjatë në decentralizim dhe në trashëgiminë kulturore dhe fetare, për të cilat, megjithatë, nuk pati ndonjë marrëveshje përfundimtare.

Bisedimet, në fakt, nuk pritej të sillnin ndonjë marrëveshje midis palëve, që kanë qëndrime diametralisht të kundërta për statusin përfundimtar të Kosovës.

Zoti Ahtisari, pritet të paraqesë propozimin e tij më së largu në fillim të muajit shkurt, dhe më pas, në muajin mars, do të duhej të miratohej një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit, e cila do të zëvëndësonte rezolutën 1244. Rezoluta e re do t’i jepte dritën e gjelbër vendosjes së një misioni të ri ndërkombëtar në Kosovë, me dy pjesë, pjesën politike dhe atë të mbikqyrjes së sistemit të rendit dhe drejtësisë, misione që do të kenë një dominimin të Bashkimit Evropian.

Skena politike në Kosovë ka kaluar nëpër ndryshime dramatike. Në fund të janarit të vitit 2006, presidenti Ibrahim Rugova, i cili ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri, ndërroi jetë. Udhëheqësi shumë-vjeçar i Lidhjes Demokratike, partisë më të madhe në vend, la pas me vdekjen e tij zbrazëtirë brenda partisë, zbrazëtirë në skenën politike në Kosovë, së cilës ai i kishte shërbyer shumë gjatë, dhe zbrazëtirë në kreun e Grupit të Unitetit që vazhdonte negociatat me Beogradin me ndërmjetësim ndërkombëtar.

Pasuesi i tij, presidenti Fatmir Sejdiu, fitoi në fund të vitit 2006, edhe postin e kryetarit të partisë, në një kuvend, që u shoqërua me tensione të mëdha, përleshje dhe thyerje karrigesh, dhe që përfundoi me konsolidimin e dy grupimeve brenda partisë, ai i udhëhequr nga presidenti Sejdiu, i cili është pranuar zyrtarisht si kryetar i partisë edhe nga kundër-kandidati i tij Nexhat Daci dhe grupimi i zotit Daci.

Zhvillimet brenda LDK-së, të shoqëruara edhe me pasojat e akt-akuzës së gjykatës së Hagës ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, dobësuan institucionet në vend, veçanërisht qeverinë.

Mungesa në institucione e dy udhëheqësve kryesorë që kishin krijuar koalicionin qeveritar, presidentit të ndjerë Rugova dhe ish-kryeministrit Haradinaj, ndjehej qartë dhe pasqyrohej në punën e institucioneve. Pas vdekjes së presidentit Rugova, kryeministri Bajram Kosumi u zëvëndësua në këtë post nga ish-komandanti i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Agim Çeku, ndërsa kryetari i parlamentit, Nexhat Daci, u zëvëndësua nga Kolë Berisha. Zoti Kosumi u largua nga posti i kryeministrit pa tensione dhe në fund të vitit 2006, u rikthye në AAK, si një nga nënkryetarët e partisë. Zoti Daci luftoi brenda partisë dhe ishte kundër-kandidati kryesor i zotit Sejdiu, duke humbur ndaj tij, me 29 vota më pak.

Zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike, dhe krijimi i grupimit të udhëhequr nga Nexhat Daci, lanë hapësirë për mundësinë e rënies së qeverisë së kryeministrit Ceku, sepse ende nuk ishte e qartë nëse koalicioni qeveritar vazhdonte të kishte shumicën kontrolluese në parlament. Por miratimi i buxhetit për vitin 2007 në fund të muajit dhjetor 2006, i dha qeverisë së kryeministrit Ceku edhe njëherë mbështetjen e shumicës së deputetëve.

Udhëheqësit kryesorë politikë në Kosovë ruajtën pozitat e tyre në krye të partive përkatëse, me gjithë mënyrën e ndryshme sesi u zhvilluan kuvendet e tyre zgjedhore. Presidenti Sejdiu fitoi postin e kryetarit të partisë në LDK, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, partneri i tij në koalicion, ruajti gjithashtu postin e tij në krye të partisë.

Hashim Thaci dhe Veton Surroi në opozitë, ruajtën po kështu pozitat udhëheqëse në krye të partive të tyre. Forcimi i Grupit të Unitetit, i cili ka marrë mandat edhe për të bërë kushtetutën e re të vendit dhe për të vendosur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale, i përfaqëson të gjithë, institucionet dhe partitë kryesore politike, duke u kthyer në një institucion më vete.

Serbët e Kosovës vazhduan të mos marrin pjesë në institucione dhe i vetmi ndryshim brenda rradhëve të tyre ishte dorëheqja e ministrit për kthim dhe komunitete, Sllavisha Petkoviç, dhe zëvëndësimi i tij nga një ushtrues detyre, Branisllav Gërbiq.

Serbët e Kosovës morën pjesë në referendumin për kushtetutën e re serbe, e cila e përfshin Kosovën si pjesë të saj dhe vazhdojnë të kundërshtojnë çdo lloj forme të pavarësisë së Kosovës. Beogradi vazhdon të ushtrojë ndikimin më të madh tek ta.

Gjatë vitit 2006, Kosova pa gjithashtu shkuarjen e kryeadministratorit ndërkombëtar, Sorren Jessen-Petersen, i vlerësuar gjerësisht në vend, dhe zëvëndësimin e tij nga Joakim Rucker, që deri atëherë kishte shërbyer si shef i shtyllës së katërt të UNMIK-ut që merret me çështje ekonomike.

Gjatë vitit 2006, u intensifikua edhe kalimi i pushtetit nga administrata ndërkombëtare tek autoritetet vendase.

Zhvillimet politike lanë pothuaj në hije problemet e mëdha ekonomike, përballjen me mungesën e energjisë elektrike, nivelin e lartë të papunësisë, problemet në sistemin shëndetsor, korrupsionin, mungesën e profesionalizmit në administratë.

Shtyrja e zgjidhjes së statusit, problemet e mëdha ekonomike, brishtësia e institucioneve, rritën pakënaqësinë dhe zhgënjimin e qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, nuk pati incidente të rënda që do të kishin pasur ndikim të madh në procesin politik.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, vazhdoi protestat duke kulmuar në fund të nëntorit, me një protestë me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve që hodhën bojë të kuqe dhe gurë në ndërtesat e UNMIK-ut, qeverisë dhe parlamentit.

Viti 2007 është përsëri vit pritjeje: pritet marrja e vendimit për statusit, largimi i UNMIK-ut, vendosja e misionit të ri ndërkombëtar, zgjedhje të reja ndoshta në fund të vitit.

Në vitin 2007 pritet të fillojë edhe gjykimi i ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, nga gjykata e Hagës.

Fundi i vitit 2007, pritet të qartësojë shumë gjëra dhe ta fusë Kosovën në një fazë të re të procesit. //az//

XS
SM
MD
LG