Lidhje

Vazhdojnë mosmarrëveshjet për çmimin e naftës nga Gazpromi


Presidenti bjellorus Aleksander Lukashenko thotë se vendi i tij nuk do të dorëzohet para kërkesave ruse për të paguar çmim më të shtrenjtë për gazin natyror rus.

Zoti Lukashenko tha sot se Bjellorusia nuk do të përkulet para shantazhit të monopolit shtetëror rus Gazprom. Ai tha se nëse Rusia vazhdon të bëjë presion qytetarët bjellorusë do të shkojnë edhe në bunkerë, por nuk do të dorëzohen.

Ndërkohë një delegacion bjellorus shkoi në Moskë për përpjekje të minutës së fundit për zgjidhjen e mosmarrëveshjes që vë në rrezik furnizimin me energji të Evropës.

Gazpromi thotë se do të ndërpresë furnizimet me gaz për në Bjellorusi të hënën nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje. Kjo kompani po kërkon që vitin e ardhshëm Minsku ta blejë gazin me mbi dyfishin e çmimit aktual dhe të paguajë një pjesë të rritjes duke i dhënë Gazpromit 50 për qind të aksioneve të operatorit bjellorus të naftësjellësve, Beltransgaz.

Bjellorusia ka kërcënuar se do të kundërpërgjigjet duke ndërprerë furnizimet me gaz nga Rusia që kalojnë përmes territorit të saj për në Evropë. //rd//

XS
SM
MD
LG