Lidhje

Cili ishte Sadam Huseini?


Vdekja e Sadam Huseinit i jep fund një kapitulli të përgjakshëm dhe të dhimbshëm për popullin irakian. Sidoqoftë, gjurma që la Sadami është bërë një pjesë e pashlyeshme e historisë së Irakut. Saddam Husseini sundoi për më shumë se dy dekada, duke e futur vendin në tre luftra katastrofike, përfshirë njërën që vazhdon edhe sot.

Saddam Husseini lindi në një kasolle prej balte në Tikrit në vitin 1937. Familja e tij ishte e varfër dhe fëmijëria e tij e vështirë. Ja ç’thotë Dr. Jerrold Post, profesor në Universitetin George Washington dhe autor i një përshkrimi psikologjik të Sadamit për Agjencinë Qendrore të Zbulimit.

"Vështirësitë e tij filluan që në barkun e nënës. Babai i vdiq kur e ëma ishte në muajin e katërt të shtatzanisë. Një vëlla më i madh i kishte vdekur në barkun e nënës me operacion. Kuptohet që e ëma ka qenë në depresion të madh dhe u përpoq ta abortojë fëmijën që priste madje të bëjë edhe vetvrasje por pa sukses. Kështu që kur Sadami erdhi në jetë, ajo e braktisi foshnjen e porsalindur."

Sadami i kaloi dy vitet e para të jetës i ndarë nga e ëma.

"Kur ai u rikthye tek e ëma për herë të parë në moshën 2 vjeç e gjysmë, njerku u tregua brutal ndaj tij si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht."

Disa thonë se pika e kthesës erdhi në moshën 8 vjeçare kur Sadami zbuloi fuqinë e librave dhe të arsimit. Ai shkoi të jetonte me të ungjin, i cili i nxiti djalit imagjinatën.

"I ungji e mbushi me ëndrra lavdie dhe i tha se një ditë ai do të luante një rol heroik në historinë e popullit të Irakut dhe se do të ecte në gjurmët e Nebukadnezarit e të Saladinit dhe do të çlironte Jerusalemin."

Nën ndikimin e të ungjit, në vitin 1957 Saddami hyri në Partinë Socialiste Baath dhe filloi të ngjitej në hierarkinë e saj. Në moshën 22 vjeçare, mori pjesë në atentatin e dështuar kundër sunduesit irakian Abdul Qerim Kassim. U përpoq të mërgojë në Egjipt dhe më vonë u burgos. Në vitin 1968, pas arratisjes nga një burg irakian, Saddami u bë nën sekretar i përgjithshëm i Partisë Baath, kur kjo parti erdhi në fuqi me grusht ushtarak shteti.

Dr. Louai Bahry, ish profesor i Universitetit të Bagdatit, thotë se Sadami, i cili në atë kohë studionte për drejtësi, nuk ishte ndonjë student i shkëlqyer por ishte karizmatik.

"Ai kishte një ecje plot siguri në vetvete, si një njeri që zotëronte fuqi, fliste ngadalë dhe përdorte shprehje apo fjalë që imitoheshin nga të tjerët."

Bahry, i cili tani është analist në Institutin për Lindjen e Mesme, tregon se në vitin 1979, pasi mori kontrollin e Partisë Baath, Saddami përdori frikën dhe kërcënimin për të çimentuar sundimin e tij.

"Ai sundoi me shpatë por pa harruar të përdorë edhe karrotën. Pasuesve të tij, njerëzve që e rrethonin ai u jepte rroga të mira, poste, makina apo shtëpi ndërsa ndëshkonte cilindo që e pengonte në rrugën e tij."

Kritikët e quanin kasap dhe të çmendur, por Sadami e shihte veten si njërin prej udhëheqësve të mëdhenj socialistë, krahas Fidel Kastros, Ho Shi Minit dhe Stalinit, të cilin ai e kishte si modelin e tij. Endrra e Sadamit ishte të bashkonte botën arabe dhe në verën e vitit 1990, ai mendoi se rasti i erdhi shumë pranë.

"Papritur ai pushtoi Kuvajtin. Çmimet e naftës hipën 20 dollarë për fuçi, bursa e Nju Jorkut ra 200 pikë. Të gjithë flisnin për të. Kësaj here ai e kishte kapur botën për fyti, pra më në fund ia kishte arritur ditës së tij."

Saddami e akuzoi Kuvajtin se prodhonte naftë mbi nivelin e lejuar duke bërë që çmimet të uleshin në një kohë kur atij i duheshin të ardhura për të rindërtuar vendin pas luftës me Iranin.

Por Saddami nuk e kishte llogaritur vendosmërinë e Këshillit të Sigurimit, i cili autorizoi përdorimin e forcës për dëbimin e ushtrisë irakiane nga Kuvajti. Megjithëse kishte shpenzuar miliarda dollarë për të ngritur ushtrinë e tij, Saddami pësoi një disfatë poshtëruese në Operacionin Stuhia e Shkretëtirës, një ofensivë e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara që e çliroi Kuvajtin në shkurt të vitit 1991. Bahry thotë se gabimi i Sadamit ishte se nuk i dëgjoi ekspertët e tij.

"Ai nuk dëgjonte njeri, ishte shumë mendjemadh dhe nuk merrte mendimin e askujt."

Me dobësimin e ushtrisë së tij, Saddami filloi të konsolidonte pushtetin, duke eliminuar sistematikisht çdo njeri që e kundërshtonte.

Por në skenën botërore nisi të zbulohej fakti që Sadami kishte përdorur armë kimike kundër popullit të vet. Një nga disa prej këtyre sulmeve të dokumentuar ishte ai i vitit 1988, kur helikopterët irakianë spërkatën fshatin kurd të Halabxhës me gaz nervor dhe mustard, duke vrarë 5 mijë burra, gra dhe fëmijë.

Nga fundi i vitit 2002, Iraku ishte në fokusin e luftës së Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit. Administrata Bush e lidhi regjimin e Sadamit me sulmet e 11 shtatorit 2001 dhe e akuzoi atë se po prodhonte armë të shkatërrimit në masë, akuza që më vonë dolën se ishin të gabuara. Kur Sadami nuk e përfilli ultimatumin e Shteteve të Bashkuara për t’u larguar nga vendi, forcat amerikane filluan një sërë sulmesh ajrore shkatërrimtare kundër Bagdatit më 20 mars 2003.

Pas një ndërhyrjeje tokësore masive të forcave të koalicionit, popullariteti që Sadami mendonte se gëzonte në Irak, u tret menjëherë. Kjo u prit me gëzim nga një pjesë e irakianëve, të cilët filluan të heqin portretet dhe statujat e tij.

Saddami u kap në dhjetor të atij viti pas vdekjes së djemve të tij Udai dhe Kusai.

"Dhe ironia e ironive ishte se ai u kap në një vrimë të vogël nën dhe në një kasolle prej balte. Pra, si të thuash u kthye përsëri në origjinën e tij."

Këto imazhe tronditën shumë irakianë që ishin mësuar ta mendonin Sadamin si të pathyeshëm, thuajse si një mit.

"Njerëzit qenë të detyruar të jetonin në regjimin e tij por nuk kishin zgjedhje tjetër. Megjithatë, ai u dha atyre në atë kohë sensin e vazhdimësisë së shtetit, të varësisë nga shteti."

Gjyqi i Sadam Husseinit filloi në tetor 2005. I akuzuar për krime lufte dhe gjenocid, Sadami mbeti sfidues dhe e përdori gjykatën si podium për të nxitur kryengritjen e arabëve suni.

Edhe pse përballej me dënimin me vdekje, Sadami vazhdonte të pretendonte se ishte president i Irakut.

Pas 24 vitesh në pushtet, ndikimi i Sadamit është bërë pjesë e peisazhit irakian. Megjithatë, disa historianë besojnë se Saddami do të kujtohet jo ashtu siç e përfytyronte ai – në pallatet luksoze që ndërtoi ose në monumentet gjigante që ngriti por si një udhëheqës dhelparak dhe brutal që e mbajti Irakun në darën e hekurt për më se dy dekada. //kk//

XS
SM
MD
LG