Lidhje

Tensionet politike në Shqipëri në vitin 2006, lanë në hije arritjet


Në Shqipëri viti 2006 rregjistroi një tension të lartë politik. Në parlament krizat pasuan njëra tjetrën. Ndarja e fortë mes shumicës së djathtë e cila mbushi vitin e saj të parë në pushtet dhe opozitës së majtë u thelluan edhe më tej. Gjatë 12 muajve partitë u morën me debate për reformën zgjedhore e cila shpesh gjeneroi konflikte të ashpra. Në këtë sfond përplasje të tjera u shfaqën në mënyrë ciklike, si çështja për shkarkimin e prokurorit të Përgjthshëm apo dhe ajo e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Megjithatë në qershor pas më shumë se tre vjet bisedimesh Shqipëria mundi të firmosë marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian duke shënuar një hap të rëndësishëm për të ardhmen e saj.

Vitit 2006 rrodhi i gjithi nën shenjën e zgjedhjeve. Ai nisi dhe u mbyll me debatet për ndryshimin e kodit. Pas një tryeze të thirrur nga presidenti Alfred Moisiu partitë politike do të fillonin përpjekjet për të përgatitur zgjedhjet për pushtetin vendor. Parlamenti vendos më 19 janar ngritjen e Komisionit të Reformës Elektorale. Një akt i cili për muaj të tërë do të mbetet në letër. Asnjë hap nuk do të ndërmerret. Partitë e vogla të të dy krahëve kundërshtuan fuqimisht pasi ndjeheshin të përjashtuara nga procesi. Më 18 Maj paraqitet një formulë e re dhe parlamenti voton për ngritjen këtë herë të një Komisioni të Posacëm për reformën. Mbledhjet e tij do të jenë të pakta dhe dy bashkëkryetarët demokrati Bujar Nishani dhe socialisti Ben Blushi do të shihen më tepër duke akuzuar njëri tjetrin për bllokim sesa duke punuar për reformën elektorale. Sërish muaj të tjerë do të shpenzohen pa asnjë rezultat. Situata acarohet në mënyrë të tejskajshme në fund të muajit korrik kur një manovër e së djathtës shmang nga përfaqësimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Lëvizjen socialiste për Integrim, dhe i jep një anëtar partisë republikane. Revolta e opozitës përfundon në skena të ralla dhune. Po atë mbërmje për herë të parë parlamenti nuk do të zhvillojë seancën e tij në sallën plenare, por në një nga ambientet e adminstratës. Në mesnatë shumica e vetme miraton anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit dhe Këshillit Kombëtar të RadioTelevizioneve. Kriza është në kulmin e saj. Me ndërhyrjen e përfaqësuesve të Komisionit Europian dhe Osbe-së, një muaj më pas, në 30 gusht demokratët arrijnë një marrëveshje me socialistët. Por edhe kjo marrëveshja nuk sjellë gjë në dritë. Dy kampet nuk merren vesh me njra tjetrën. Reforma mbetet e Bllokuar. Në mungesë të një konsensusi më 2 dhjetor Presidenti Alfred Moisiu shpall datën e zgjedhjeve për pushtetin vendor

Opozita e quan të pamjaftueshme kohën në dispozicion. Për ditë tëra kryeministri këmbëngul se data nuk mund të preket. Ai do të tërhiqet më pas. Por nuk mjafton. Cështja e zgjedhjeve mbetet peng i certifikatave. Problemi zgjidhet pas negociatave te reja

Në mënyrë ciklike kriza të tjera do të linin shenjë në jetën politike të vendit. Më 22 shkurt opozita kërkon largimin e kryetares së parlamentit Jozefina Topalli. Një votim problematik në parlament e rikonfirmon atë por duke provokuar një reagim të fortë kundërshtues të opozitës. Për disa javë parlamenti thuajse nuk arrin të kalojë asnjë ligj të rëndësishëm dhe skenat e përplasjeve mes deputetëve të majtë dhe atyre të djathtë apo punonjësve të gardës kthehen në pamje të zakonshme, të shoqëruara me megafonë e bilbila që përdoren në shenjë proteste. Do të jetë ky moment që do të shënojë një kthesë për opozitën e majtë. E dalë e përcarë nga zgjedhjet e tre korrikut, ajo bashkohet. Muaj më pas, më 13 nëntor në parlament do të diskutohet për herë të dytë shkarkimi i kryetares Topalli. Por ajo do të rikonfirmohet sërish.

Struktura të sistemit të Drejtësisë u vunë gjatë këtij viti në konflikt të hapur me qeverinë dhe shumicën në pushtet. Për muaj të tërë Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku u akuzua nga kryministri për mbështetje dhe lidhje të tij me botën e krimit. Akuzat do të materializohen në muajin prill në një kërkesë të një grupi deputetësh të djathtë për shkarkimin e tij. Për dy muaj një komision parlamentar do të hetojë për më shumë se 80 raste të konsideruara shkelje flagrante të ligjit dhe të kushtetutës. Më 24 korrik me votat e së djathtës presidentit Alfred Moisiu i kërkohet shkarkimi i kryeprokuorit. Kreu i shtetit për më shumë se dy muaj merr në shqyrtim cështjen, ndërkohë që shpërthen skandali Albatros, kompanisë ajrore një nga pronarët e së cilës është i afërm i presidentit Moisiu. Albatrosit i hiqet licenca e fluturimit. Përgjimi i një bisede të drejtorit të Aviacionit civil me drejtuesit e kompanisë tregon për presione ndaj presidentit në këmbim të shkarkimit të kryeprokurorit. Kreu i shtetit i cilëson të turpshme këto shantazhe. Më 13 tetor ai refuzon shkarkimin. Një vendim i cili do të provokonte një furtunë të vërtetë ndaj presidentit. Zëdhënëi i Partisë Demokratike e akuzon atë deri për përfshirje në trafiqe droge. Por në 4 dhjetor edhe gjykata kushtetuese do ta konsideronte hetimin e komisionit parlamentar si tejkalim të kompetencave nga ana e parlamentit.

Përbërja dhe emërimet në Këshillin e lartë të Drejtësisë do të provokojnë një tjetër periudhë tensioni. Shumica akuzon njërin prej anëtarëve të porsaemëruar, artan Germenji të lidhur me bandën e Aldo Bares. Të djathtët kërkojnë zëvendësimin e dy anëtarëve, por me 20 korrik, Këshilli e rrëzon këtë kërkesë. Edhe një herë tjetër e djathta lëshon akuza të rënda ndaj këtij institucioni dhe presidentit Alfred Moisiu që e drejton atë

Megjithatë gjatë këtij viti Shqipëria do të rregjistrojë edhe një ngjarje të rëndësishme për të ardhmen e saj. Pas tre vjet bisedimesh të stërzgjatura për shkak të problemeve të brendshme, Komisioni europian vendos të firmos marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Shqipërinë. Më 12 qershor teksti firmoset nga kryeministri Sali Berisha gjatë një ceremonie në Luksemburg. Vendi hyn në një fazë të re marrëdhëniesh me Brukselin. Çdo hap fals në këtë drejtim, tani e tutje, do të ishte me kosto mjaft të larta për perspektivën e tij. //kk//

XS
SM
MD
LG