Lidhje

Thaçi: Viti 2007, periudhë e zgjidhjes së statusit të Kosovës


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës, se viti që po vjen është periudhë e zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës, por nuk dëshiron ta lidhë këtë çështje me muaj, ditë apo me stinë. Ai shpreh bindjen se edhe Rusia do të jetë pjesë e vendimit pozitiv të komunitetit ndërkombëtarë për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, si e vlerësoni vitin që po lëmë pas i cili po përmbyllet me pritjet e qytetarëve të Kosovës për zgjidhjen e statusit vitin e ardhshëm?

Hashim Thaçi: Unë mund të them se viti 2006 ka qenë një vit i përkushtimit për përfundimit të kornizimit juridik të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ka qenë vit I suksesit të ekipit të unitetit në përkushtimet tona për të bindur bashkësinë ndërkombëtare se Kosova është e përgatitur për pavarësi, se qytetarët e Kosovës e meritojnë pavarësinë, se politika kosovare ka orientime të qarta perëndimore, e lidhur ngushtë me vlerat civilizuese. Por, edhe në anën tjetër se ne jemi të përkushtuar të ndërtojmë Kosovë demokratike për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe natyrisht, orientimin tonë të sigurt e të dëshmuar deri tash për integrime euroatlantike. Ka qenë vit i suksesit solid, me vështirësitë, me sfidat e veta me të cilat jemi përballur të gjithë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, këtë vit ndodhi një shtyrje e zgjidhjes së statusit politikë. A keni shqetësim për shtyrje të tjera dhe nëse po, a ka rrezik që ajo të kërcënojë qëndrueshmërinë në Kosovë?

Hashim Thaçi: Po, realitetin e Kosovës së pavarur e kemi ndërtuar në qershor të vitit 1999. Tash është duke u punuar me seriozitetin më të lartë për nxjerrjen e vendimit nga komuniteti ndërkombëtarë për Kosovën e pavarur, që është edhe sakrificë e gjithë qytetarëve të Kosovës, por është edhe vullneti I tyre. Në anën tjetër, të gjithë jemi të bindur se pavarësia e Kosovës, është në interesin e rajonit, të stabilitetit të tij, por edhe në interesin e komunitetit ndërkombëtarë, sepse Kosova do të jetë partner I botës perëndimore. Shtyrja e zgjidhjes së statusit edhe për disa muaj, mund të them se ka qenë edhe dëshpëruese edhe shqetësuese. Por unë besoj se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, së shpejti do të unifikojnë qëndrimin për statusin politikë dhe natyrisht se edhe Rusia, do të jetë pjesë e vendimit pozitiv të komunitetit ndërkombëtarë për Kosovën. Unë nuk dua dhe nuk dëshiroj që zgjidhjen e statusit politikë ta lidhë me muaj, ditë, apo me stinë. Por, me rëndësi është substanca, me rëndësi është që Kosova të jetë shtet i mirëfilltë, modern dhe demokratik.

Zëri i Amerikës: Për të qenë e tillë Kosova, duhet trajtuar posaçërisht pozitën e pakicave kombëtare në Kosovë, veçanërisht të pakicës kombëtare serbe. Si e shihni ju një gjë të tillë dhe a ka bërë Kosova mjaft për këtë?

Hashim Thaçi: Kosova si shtet nuk do të jetë vetëm e një komuniteti. Kosova do të jetë vend demokratik në të cilin do të jetojnë të gjithë qytetarët e saj pa dallim të përkatësisë etnike. Do të respektohen dhe garantohen të drejtat e komuniteteve në kuptimin më afirmativ dhe në kuadër të kësaj, unë besoj se edhe ata do të jenë pjesë e jetës së re, pjesë e përkushtimeve tash për nxjerrjen e kushtetutës së re të Kosovës, për nxjerrjen e simboleve të unitetit shtetëror dhe qytetarë, pastaj të nxjerrjes së ligjit zgjedhor, do të jenë pjesë e jetës së re demokratike, të pjesëmarrjes së tyre në zgjedhjet e ardhshme demokratike e të lira, por natyrisht se do të jenë edhe pjesë e parlamentit të ardhshëm pas zgjidhjes së statusit dhe pjesë e qeverisë. Kështu që mund të konkludojmë se viti 2007, do të jetë, kam besim të plotë, do të jetë viti i vendimit, viti i Kosovës së pavarur, pra do ta bëjmë atë të pavarur.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, t’i kthehemi pak jetës së brendshme politike. Fundi I vitit 2006, ndoshta për herë të parë, ka nxjerrë në shesh përplasje pak më të rrepta ndërmjet pozitës dhe opozitës. A e dëmtojnë këto procesin politik, apo thjeshtë është, siç është thënë disa herë, pasqyrim i funksionimit të demokracisë në Kosovë?

Hashim Thaçi: Pasi që është edhe fundi I vitit, nuk dëshiroj të ndërlidhem me relacionet pozitë opozitë në spektrin politikë kosovar, por mund të them se fundi I vitit 2006, ka nxjerrë në dritë dobësitë skajshmërisht të larta të koalicionit aktual por edhe pakënaqësinë e madhe të popullit të Kosovës me qeverisjen aktuale. Por, përsëri po e ri theksoj se ne kemi edhe objektiv politik por edhe mision, ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Përkushtimi ynë është i qartë: sot të gjithë duhet të investojmë për shtet, pastaj hapen perspektiva të reja në Kosovën e pavarur.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, e zakonshme për fundin e vitit, cila është porosia juaj për qytetarët e Kosovës për vitin që po vjen dhe cilat janë pritjet tuaja?

Hashim Thaçi: Porosia ime për qytetarët e Kosovës, por edhe për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, në veçanti për qytetarët në vend, është që të gjithë edhe si qytetarë edhe si politikë, të investojmë për stabilitet, për rend e qetësi me urtësinë më të madhe të investojmë në unitetin e qëndrueshëm politikë dhe qytetar, por edhe të thellojmë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, e në veçanti me Washingtonin, si bartës i procesit për zgjidhjen e drejtë të statusit politikë. Ne duhet të investojmë të gjithë, duke shpresuar me optimizmin më të lartë për zgjidhjen më të drejtë që është pavarësia e Kosovës si e vetmja zgjidhje për popullin e Kosovës. Dhe përkushtimi ynë si liderë politikë është vetëm zbatimi në jetë, apo zyrtarizimi I këtij vullneti për Kosovën e pavarur. //kk//

XS
SM
MD
LG