Lidhje

Rusi-Bjellorusi: Bisedime për shmangien e krizës së gazit natyror


Negociatorët rusë dhe ata bjellorusë po zhvillojnë takimet e minutës së fundit në Moskë, në përpjekje për të shmangur ndërprerjen e eksportit të gazit natyror.

Kryenegociatori bjellorus, Zëvendëskryeministri i parë i vendit, Vladimir Semashko, mbërriti sot në Moskë për bisedime. Monopoli shtetëror rus i gazit natyror, Gazprom, ka kërcënuar se do ta ndërpresë nesër furnizimin e Bjellorusisë me gaz natyror, nëse nuk arrihet një marrëveshje lidhur me rritjen e çmimit. Gazpromi i ka kërkuar Bjellorusisë të paguajë çmimin prej 105 dollarësh për 1 mijë metra kub gaz nga 1 janari.

Duke qenë një aleate e ngushtë e Rusisë, Bjellorusia ka paguar deri tani rreth 46 dollarë për 1 mijë metra kub gaz. Zyrtarët në Minsk thanë sot se kishin arritur një marrëveshje mbi çmimin, por zyrtarët e Gazpromit e mohuan këtë deklaratë.

Zyrtarët bjellorusë kanë kërcënuar se do hakmerren për ndërprejen e furnizimit me gaz, duke mos lejuar gazin rus të shkojë në tregjet evropiane.//lk

XS
SM
MD
LG