Lidhje

Ngjarjet më të shënuara të vitit 2006


Janari i 2006-ës erdhi me shumë optimizëm dhe shpresë në Irak, pasi u konfirmua zyrtarisht rezultati i zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit. Shumë besonin se transformimi nga diktatura brutale e Sadam Huseinit në një demokraci të qëndrueshme ishte pranë. Por këto ëndrra u fashitën kur një shpërthim i fuqishëm shkatërroi një xhami shiite në Samara. Vendi luhatej në skaj të shpërthimit të luftës civile, pasi dhuna sektare mes shiitëve dhe sunive doli jashtë kontrollit. Edhe vrasja në qershor e udhëheqësit të Al Kaidës në Irak, Abu Musab Al Zarkaui, nuk pati ndikim në ndaljen e dhunës.

Trupat amerikane dhe irakiane filluan në gusht një operacion të fuqishëm për të vendosur rregullin në Bagdat. Por nga fundi i vitit, komandantët amerikanë pohuan se përpjekjet për të sjellë paqe në kryeqytet nuk kishin dhënë shumë sukses. Megjithatë u arrit përparim në nxjerrjen para përgjegjësisë të ish-presidentit irakian Sadam Husein për krime kundër njerëzimit, kur ai u shpall fajtor dhe u dënua me vdekje për ekzekutimin e 148 meshkujve shiitë nga qyteti Dujail në vitin 1980.

Dhuna në Irak kryesoi titujt e lajmeve në vitin 2006, duke bërë që Presidenti Bush të pranonte hapur në një konferencë për shtyp në dhjetor se gjendja në Irak është e keqe.

Iraku ishte një forcë vendimtare edhe në zgjedhjet e nëntorit për Kongresin amerikan, kur zgjedhësit me votën e tyre kërkuan ndryshim dhe u dhanë demokratëve kontrollin e të dyja Dhomave. Presidenti Bush shkarkoi nga detyra Sekretarin e Mbrojtjes Rumsfeld dhe filloi një analizë intensive të politikës amerikane në Irak. Ndërkaq në Afganistan përgjegjësitë e sigurisë dhe ruajtjes së paqes kaluan nga forcat amerikane në ato të Natos. Por forcimi i kryengritjes së mbeturinave talebane e ndërlikoi situatën e sigurisë duke bërë që Natoja të shtonte trupat në masë të konsiderueshme.

2006 ishte vit tranzicioni dhe trazirash në procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Pas hemorragjisë së rëndë cerebrale të kryeministrit izraelit Sharon në janar, Ehud Olmert mori në kontroll qeverinë me premtimin për të vazhduar përpjekjet e paqes me palestinezët. Por përpjekjet hasën në vështirësi disa javë më pas kur votuesit palestinezë i siguruan grupit ekstremist Hamas një fitore të fuqishme në zgjedhje. Në përgjigje, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara ndërprenë ndihmat që u kishin premtuar palestinezëve në bazë të marrëveshjeve të paqes në Oslo në vitin 1993. Tensionet ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve u shkallëzuan duke çuar në ballafaqimin e qershorit pasi ekstremistë palestinezë rrëmbyen një ushtar izraelit. Dy javë më pas ekstremistët e Hezbollahut në Libanin jugor rrëmbyen dy ushtarë të tjerë. Kryeministri Olmert e cilësoi ngjarjen si akt lufte. Nat sound Avionët dhe trupat izraelite u futën në Liban dhe sulmuan objektet e Hezbollahut. Dhuna që vazhdoi mbi një muaj la mbi 1 mijë e 400 të vdekur dhe shkaktoi dëme masive në Liban.

Në anën tjetër të globit, Koreja e Veriut nuk përfilli thirrjet e fqinjëve dhe fuqive botërore dhe aktivizoi bombën bërthamore në tetor. Komuniteti ndërkombëtar e dënoi këtë akt dhe në tetor Këshilli i Sigurimit miratoi sanksione ndëshkuese kundër Phenianit. Në dhjetor Koreja e Veriut ra dakord të kthehet në tryezën e bisedimeve gjashtë palëshe për çarmatim. Programi bërthamor i Iranit vazhdoi dhe u zgjerua më tej gjatë vitit 2006, ndërkohë që synimi i tij mbetet i paqartë. Teherani këmbëngul që ka synime paqësore për prodhim energjie. Por fuqitë perëndimore mendojnë se Teherani synon të prodhojë armë bërthamore, gjë që ka zgjuar shqetësimin se ambicje të tilla mund të çojnë në një garë armatimesh në rajon. Irani iu përgjigj kërkesës së Këshillit të Sigurimit për të ndalur pasurimin e uraniumit me vonesa dhe një sërë masash gjysmake, duke bërë që ekspertët të arrijnë në përfundimin se Irani nuk ka në plan të ndalë programin e tij të pasurimit. //rd//

XS
SM
MD
LG