Lidhje

Ndikimi i televizionit satelitor dhe internetit në informimin publik


Televizioni satelitor dhe fuqia gjithnjë në rritje e internetit nuk po ndryshojnë vetëm mënyrën si jepen lajmet, por edhe konceptimin e lajmit dhe mënyrës se si gazetarët duhet të kryejnë funksionin e tyre. Këto ndryshime kanë një ndikim të madh në biznesin e medias dhe njëkohësisht i ofrojnë publikut më shumë informacion që mund të ndihmojë për forcimin e demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut.

Kur Uragani Katrina goditi bregdetin jugor të Shteteve të Bashkuara në vitin 2005, duke shkatërruar New Orleansin dhe duke lënë dëme të mëdha në Louisiana dhe Mississippi, agjencia e lajmeve Night Rider u hodh në veprim për të mbështetur një nga gazetat kliente të saj. Redaksia e agjencisë Knight Rider në Uashington ndihmoi gazetën Sun Herald në qytetin e shkatërruar Biloksi të Misisippit që të transmetonte informacionin përmes internetit.

Xhim Van Nostrand, redaktor në kompaninë e medias McClathy Interactive, e cila zotëron agjencinë Knight Rider, shpjegon: “Përdorëm regjistrime zanore dhe pamje si dhe material që vinte nga vetë lexuesit për të transmetuar informacion. Përdoruesit ishin në gjendje të publikonin në internet fotografi të shtëpive të tyre, të lagjeve, mesaxhe të ndryshme ku kërkonin informacion nga të afërmit. Shumë nga këto informacione që kishim publikuar në internet, nuk ishin të një natyre që mund të botoheshin në gazetë”.

Zoti Van Nostrand shpjegon se interneti e ka ndryshuar lexuesin nga konsumator në pjesëmarrës në informacion.

Por me rënien e tirazhit të gazetave deri në 2 për qind në vit, interneti ka edhe anën e tij negative. Xhefri Dvorkin i shoqatës Komiteti i Gazetarëve të Shqetësuar, thekson se kjo prirje sjell edhe sfida të vështira: “Me rënien e tirazhit një numër gjithnjë e më i vogël njerëzish lexojnë gazetën, ose shohin kanalet kryesore në televizion dhe radio. Një pjesë e mirë e shikuesve apo lexuesve, sidomos të rinjtë po zgjedhin internetin”.

Përmbajtja e informacionit në internet shpesh ndikon edhe në politikat qeveritare. Vitin e kaluar media raportoi mbi një regjistrim filmik ku shihej policia malejziane duke keqtrajtuar një grua të kombësisë kineze, të ndaluar në Kuala Lumpur. Publikimi i regjistrimit detyroi ministrin e brendshëm malejzian të fillonte një proces hetimor.

Përhapja e shpejtë e informacionit po sjell ndikim rrënjësor mbi shoqëritë. Profesori i gazetarisë në Universitetin Amerikan Christopher Simpson thotë se një ndër këto ndikime është forcimi i të drejtave të njeriut. “Ka një numër prirjesh dhe një prej tyre është forcimi i lëvizjeve për të drejtat e njeriut, i grupeve joqeveritare të cilët mbledhin informacion dhe e përhapin atë përmes medias elektronike. Në këtë mënyrë është më e lehtë të thehet heshtja për abuzimet policore”.

Pikërisht për këtë arsye interneti është nxjerrë jashtë ligji në vende si Kina, dhe kanalet televizive satelitore janë të ndaluara. Por siç tregoi hapja e kanaleve si Al Jazeera apo “France 24” ka një kërkesë në rritje për kanale satelitore që transmetojnë lajme dhe informacion.

Medias tradicionale do t’i duhet të përshtatet me prirjet e reja për t’u mbijetuar ndryshimeve teknologjike. Ajo që nuk pritet të ndryshojë është fuqia e fjalës së shkruar, siç thekson Xhim Van Nostrand: “Pavarësisht se çfarë ofron interneti, ai mbetet një mjet i fjalës së shkruar. Kjo nuk do të zhduket. Ende do të ketë nevojë për gazetarë që shkojnë në terren, bëjnë pyetje dhe raportojnë mbi ngjarje. Interneti na jep një formë të re për të treguar këto ngjarje, por fjala e shkruar nuk do të vdesë”.

Për sa kohë që kjo është e vërtetë, do të vazhdojë edhe përhapja e ideve dhe informacionit. //az//

XS
SM
MD
LG