Lidhje

Ish presidenti amerikan Gerald Ford u varros në qytetin Grand Rapids, Miçigan


Është ndoshta normale që një president i vlerësuar për vetitë e tij humane dhe për thjeshtësinë e tij, të nderohet nga familja si dhe nga miqtë dhe kolegët e tij të vjetër, në një kishë të thjeshtë disa kilometra larg nga shtëpia e tij e fëmijërisë.

Dy nga djemtë e presidentit të ndjerë lexonin pjesë nga Bibla dhe tre nga nipërit e tij luteshin ndërkohë që bashkëshortja e tij Beti qëndronte në rreshtin e parë të të pranishëmve.

Ish-sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Ramsfeld, i cili kishte shërbyer në administratën e presidenti Ford, kujtoi të pranishmit për trazirat që kishin përfshirë vendin kur zoti Xherald Ford mori përsipër presidencën nga paraardhësi i tij që dha dorëheqjen, Riçard Nikson, në vitin 1974.

“Shumë nga ne e mbajnë mend situatën në vend kur Zoti Xherald Ford mori postin e presidentit. Tensioni ishte i jashtëzakonshëm dhe interesat ishin të larta. Mbarë bota po shikonte ngjarjet në Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan priste me ankth, duke menduar se çfarë do të pasonte. Fjalët që ai përdori për të siguruar vendin dhe popullin amerikan ishin të thjeshta dhe të hapura. Sinqeriteti i tij u dha atyre elokuencë. Megjithëse vendi ishte i acaruar nga skepticizmi, vetëm pak njerëz vinin në dyshim nëse njeriu i nderuar nga Miçigani do të mbante fjalën.”

Xherald Fordi ishte i vetmi president amerikan i cili nuk u zgjodh me anë të votave në detyrën e presidentit dhe atë të nën-presidentit. Gjatë zgjedhjeve të vitit 1976, ai kandidoi për të mbajtur pushtetin, por u mund nga demokrati Xhimi Karter. Zoti Karter shkoi në Grand Rapids për të nderuar ish-kundërshtarin e tij politik dhe për të folur rreth miqësisë që ata kishin krijuar për më se 30 vjet.

“Mëson shumë për një person kur kandidon kundër tij në zgjedhjet presidenciale dhe kur merr përgjegjësitë që ai i ka kryer aq mirë. Të dy ne ishim të një mendimi se ishim bekuar nga miqësia që na karakterizoi pas largimit nga Shtëpia e Bardhë. Çdo herë që ai vinte në Uashington, unë e ftoja në Shtëpinë e Bardhë. Dëgjoja me kënaqësi këshillat e tij me vend. Shpesh, megjithëse duhet të theksoj se me gjysmë zemre, ai largohej nga opinioni i fuqishëm i partisë së tij politike, për të më dhënë mbështetje në disa nga sfidat më të vështira që kam hasur.”

Zoti Xherald Ford, i cili vdiq në moshën 93 vjeçare, u varros në muzeun e tij presidencial, ku përpara shërbimit të përmotshëm trupi i tij qëndroi për 18 orë për homazhe nga publiku. Më shumë se 57 mijë veta përballuan temperatura gati zero, duke qëndruar deri në 6 orë në radhë, për të kaluar pranë arkivolit të tij. Që nga dita që trupi i presidentit të ndjerë arriti në qytetin e tij të lindjes, Grand Rapids, dhjetra mijë njerëz dolën nëpër rrugë për të nderuar makinën që transportonte trupin e tij. Njëri nga banotër e qytetit tha me krenari dhe emecion të madh se Amerika duhet të nderojë një hero. //ze//

XS
SM
MD
LG