Lidhje

SHBA: Debat mbi koston e luftës kundër terrorizmit

  • Jela Françeski

Para më pak se një dekade, sigurimi i objekteve industriale, tregtare dhe qeveritare në Shtetet e Bashkura realizohej vetëm nga një numër i kufizuar kompanish private. Por në 2006-n numri i tyre u rrit në rreth 67mijë.

Që nga viti 2003, kompanitë private morën rreth 130 miliardë dollarë kontrata të qeverisë federale dhe vendore për të ndihmuar në sigurimin e Amerikës. Industria amerikane e sigurimit u ngrit kryesisht bazuar në orientimet e Departamentit të Sigurimit Kombëtar, i krijuar në 2003-shin me një buxhet fillestar prej 28 miliardë dollarësh. Për 2007-ën, buxheti i këtij departamenti pritet të shkojë në gati 43 miliardë dollarë - rreth 0,5 përqind e prodhimit të përgjithshëm kombëtar.

Në vitin 2003, Departamenti i Sigurimit Kombëtar hartoi një listë prej rreth 160 objektivash të mundshme të akteve terroriste në Shtetet e Bashkuara. Ky numër është rritur në më shumë se 300 mijë, që nga objektet tregtare e parqet argëtuese e deri tek centralet bërthamore.

Analisti Ian Lustik në Universitetin e Pensilvanisë, thotë se shtimi i ankthit të publikut dhe rritja e shpenzimeve për shkak të shtimit të administratës pas sulmeve të 11 shtatorit, kanë dëmtuar Shtetet e Bashkuara.

“Lufta kundër terrorizmit dëmtoi një stil jetese, sepse, kur u tha se ishte diçka e barabartë me Luftën e Dytë Botërore dhe duhej zhvilluar për të parandaluar një sulm tjetër si ai i 11 shtatorit, atëherë çdo organizate që përfaqëson interesa të veçanta dhe çdo politikani i duhej të përcaktonte programin e tij të nevojshëm për luftën kundër terrorizmit, pasi të gjithë duan të përfshihen patriotikisht në luftë. I gjithë sistemi është ngujuar në garën: Unë jam më i përkushtuar ndaj luftës kundër terrorizmit se ti”.-thotë ai.

Analisti argumenton se një përgjigje e tepruar ndaj 11 shtatorit mund të rezultojë në efekte negative.

“Al-Qaida mori peng avionët tanë nga sistemi më i mirë i trasnportit në botë për të rrëzuar ndërtesat tona dhe sulmuar Pentagonin. Por kjo nuk është pengmarrja më serioze. Ata kanë marrë peng sistemin tonë politik dhe po e përdorin për të shpenzuar burimet tona”.

Shumë ekspertë mendojnë se dëmi që mund të shkaktojë terrorizmi duhet të vihet në kontekstin e duhur. John Muller, analist në Universitetin Shtetëror të Ohios, argumenton se nuk ka prova të forta për prani grupesh terroriste në tokën amerikane. Sipas tij, kërcënimi bërthamor gjatë Luftës së Ftohtë ishte më serioz për Shtetet e Bashkuara se terrorizmi në ditët tona.

“Kërcënimi që përbënte Bashkimi Sovjetik dhe komunizmi ndërkombëtar i cili do të kishte fshirë dhjetra-miliona amerikanë me anë të armëve bërthamore, ishte ndjeshëm më serioz se gjithçka që terroristët do të mund të arrinin ndonjëherë”,- thotë ai.

Ekspertë të tjerë, përfshirë specialistin në çështjet e politikës së jashtme, Xhejms Fillips, të Fondacionit Heritixh në Uashington, argumenton të kundërtën dhe thonë se rënia e komunizmit erdhi kryesisht për hir të përgatitjes dhe fuqisë ushtarake amerikane.

Megjithatë, ekspertë të tjerë paralajmërojnë se Amerika, me kufijtë e hapur dhe portet e saj, si dhe centrale bërthamore e fabrika kimike ende të pambrojtura mirë, mbetet një objektiv joshës për al-Kaidën dhe terroristë të tjerë.//lk

XS
SM
MD
LG