Lidhje

Ban Ki-Moon fillon detyrën si Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së


Zoti Ban u prit dje me duartrokitje nga personeli i OKB-së ndërsa filloi detyrën e Sekretarit të tetë të Përgjithshëm të organizatës botërore.

Para se të zhvillonte një takim me dyer të mbyllura me punonjësit, shefi i Kombeve të Bashkuara foli rreth sfidave të vështira me të cilat ai përballet në pika të turbullta të globit.

“Unë e filloj punën time në një kohë të vështirë të çështjeve ndërkombëtare, duke filluar nga Darfuri në Lindjen e Mesme, në Liban, Iran, Irak, Korenë e Veriut dhe shumë kriza të tjera që trazojnë botën tonë.”

Kur u pyet rreth ekzekutimit të ish diktatorit irakian, Sadam Husein, zoti Ban i zgjodhi fjalët me kujdes. Ai u tërhoq nga kritikat e mëparshme lidhur me dënimin kapital në vendet anëtare të OKB-së.

“Sadam Huseini ishte përgjegjës për kryerjen e krimeve të urryera dhe mizorive të tmerrshme kundër popullit irakian dhe ne nuk duhet t’i harrojmë kurrë viktimat e krimeve të tij. Çështja e dënimit me vdekje është diçka që duhet vendosur nga çdo vend anëtar i OKB-së.”

Zoti Ban u tha gazetarëve se ai po punon tashmë mbi krizën në rajonin Darfur të Sudanit. Ai tha se do të takohet sot me të dërguarin e tij të posaçëm për atë rajon, Jan Elliason dhe ka në plan të shkojë në Afrikë nga fundi i këtij muaji, ku shpreson të takohet me presidentin e Sudanit, Omar al-Bashir.

“Do të takohem sot në mëngjes me të dërguarin e posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm, Jan Eliason. Synoj të marr pjesë në takimin e nivelit të lartë të Bashkimit Afrikan, që zhvillohet nga fundi i muajit. Atje shpresoj të këshillohem me presidentin e Sudanit dhe me udhëheqës të tjerë afrikanë.”

Ish ministri i jashtëm i Koresë së Jugut tha se programi bërthamor i Koresë së Veriut do të mbetet një prej përparësive në rendin e tij të ditës. Ai tha se ka në plan të bëjë çdo përpjekje për vazhdimin e bisedimeve 6-palëshe me pjesëmarrjen e dy Koreve së bashku me Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën dhe Japoninë.

Zoti Ban pritet të emërojë këtë javë anëtarët kryesorë të administratës së tij. Ai ka emëruar tashmë gazetarin e shquar haitian Michele Montas si zëdhënësin e tij dhe Vijay Nambiar nga India si shefin e personelit të tij. Zoti Nambiar ka shërbyer më parë si këshilltar i posaçëm i ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Kofi Anan. //ze//

XS
SM
MD
LG