Lidhje

Partitë politike në Shqipëri fillojnë përgatitjet për fushatë zgjedhore


Partitë politike në Tiranë, si rrallë ndonjëherë, turbulluan festat e fundvitit në Shqipëri me mospajtimet e tyre dhe me shpresat disaorëshe që ngjallën për një marrëveshje lidhur me organizimin e zgjedhjeve vendore dhe regullimin e çertifikatave të votuesve.

Mijëra fishekzjarre dhe urime të lëshuara nga qytetarët për Krishtlindje, Bajram dhe Vitin e Ri për një jetë më të mirë dhe më të begatë nuk gjetën përgjigje pozitive nga politikanët dhe negociatorët e shumtë që shkonin e vinin sa në selitë e partive kryesore e në parlament po aq edhe në zyrat e OSBE-së.

Mbrëmjen e 30 dhjetorit përfaqësues të maxhorancës dhe të opozitës nënshkruan një marrëveshje për çertifikatat, e cila hasi menjëherë, brenda pak minutash, kundërshtimet e para në parlament sapo filloi puna për kodifikimin e marrëveshjes si pjesë e amendamenteve të Kodit Zgjedhor.

Forcat kryesore politike kanë rënë dakord t'i kërkojnë presidentit Alfred Moisiu që të shtyjë datën e zgjedhjeve edhe një muaj tjetër pas asaj të dekretuar, pra nga 20 janar për në 18 shkurt, me qëllim që ndërkohë të përfundojnë listat e votuesve, ndërsa zv.kryeministri Ilir Rusmajli i maxhorancës dhe Ben Blushi i opozitës nënshkruan një marrëveshje që parashikon zgjidhjen e problemeve që mund të dalin nga përdorimi i dyshimtë i çertifikatave të votuesve, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se pas kësaj marrëveshjeje gjithçka ishte sheshuar, dhe se ai e ftonte maxhorancën e udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha në një garë zgjedhore të barabartë, në një fushë beteje të çminuar, sipas tij, nga shanset për manipulim të procesit dhe rezultateve zgjedhore.

Por, entuziazmi i marrëveshjes zgjati fare pak sepse, sapo deputetët shkuan në parlament, aty dolën probleme me shndërrimin e marrëveshjes së nene të përpikta ligjore, dhe seanca plenare e thirrur katër ditë rresht për të formalizuar marrëveshjen, u shpërnda pa asnjë rezultat.

Kriza parazgjedhore mori përmasa të tjera kur në negociatat ndërmjet pozitës dhe opozitës u përfshinë edhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Ishin OSBE dhe KE ata që organizuan takimet mes zv. kryeministrit, Ilir Rusmajli, dhe përfaqësuesit të PS, Ben Blushi, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të minutave të fundit lidhur me çështjen e çertifikatave të votuesve.

Në shumë prononcime të mëpërparshme, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare kishin deklaruar se ata nuk as nuk do të merrnin rolin e arbitrit dhe as do të ndërmjetësonin bisedime midis pozitës dhe opozitës për reformën zgjedhore dhe se zgjidhjen duhet ta gjenin vetë forcat kryesore politike, të cilat, në një mënyrë ose në një tjetër, ishin vetë shkaktare të kësaj gjendjeje.

Sipas analistëve të shtypit vendas, me hapat që po hedhin, forcave politike më së shumti po u interesojnë rezultatet pjesore të zgjedhjeve vendore se sa vlerësimi i tyre tërësor nga vëzhguesit ndërkombëtar si një raund zgjedhor i lirë dhe i rregullt. Situata politike në Tiranë, pohojnë ata, mbetet e mbingarkuar nga dyshimet dhe mosbesimi mes palëve, të cilat si zakonisht kësisoji bëjnë gati kundërshtimin e rezultateve në fund të procesit zgjedhor. //rd//

XS
SM
MD
LG