Lidhje

SHBA ngritën shqetësime mbi procedurat dhe kohën e ekzekutimit të Sadam Huseinit


Zyrtarë të departamentit të shtetit u shprehën hapur se çështja e Sadam Huseinit do të ishte trajtuar ndryshe në se Shtetet e Bashkuara do të ishin në krye të procesit.

Megjithatë ata thanë se ekzekutimi i ish udhëheqësit irakian, i cili u tall nga të pranishmit në momentet e fundit të jetës, u krye nën kontrollin e plotë të zyrtarëve irakianë dhe se regjistrimi i paautorizuar i ekzekutimit nga një telefon celular nuk duhet të mjegullojë krimet e kryera nga vetë Sadam Huseini apo drejtësinë e gjyqit të tij.

Gjatë një konference shtypi, zëdhënësi i departamentit të shtetit Shan Mekormek tha se Shtetet e Bashkuara kishin ngritur shqetësime rreth kohës së ekzekutimit, pak para festimeve të myslimanëve me rastin e Bajram kurbanit, si dhe nëse procedurat e caktuara nga irakianët për kryerjen e ekzekutimit ishin ndjekur plotësisht.

Zëdhënësi Mekormek tha se autoritetet irakiane i morën në konsideratë shqetësimet e Shteteve të Bashkuara, por më në fund vendosën vetë rreth kohës dhe mënyrës së procedurave.

Zoti Mekormek tha se ata njerëz, që janë shqetësuar nga rregjistrimi me telefon celular i ekzekutimit të Sadamit, nuk duhet të harrojnë drejtësinë në përgjithësi të procesit, që e çoi Sadam Huseinin në varje.

“U ndoqën procedura kriminale fare të rregullta në të cilat i pandehuri, në këtë rast Sadam Huseini, mund të shikonte provat, kishte të drejtën e avokatit, madje ishte një gjyq që përmbushi standartet e drejtësisë ndërkombëtare. Prandaj asgjë nga ç’ndodhi gjatë ekzekutimit nuk duhet të largojë vemendjen nga ky fakt. Edhe vetë qeveria irakiane ka shprehur shqetësime rreth mënyrës sesi shkuan gjërat në momentet e fundit. Është e qartë se ata mbetën të pakënaqur me momentet e fundit të ekzekutimit dhe si rezultat kanë filluar hetimet, ashtu siç duhet.”

Një zyrtar i lartë amerikan tha se autoritetet amerikane në Irak, që kishin shërbyer në burgun ku mbahej Sadam deri para ekzekutimit, kishin ngritur pikpyetje në se certifikata e ekzekutimit për ish udhëheqësin irakian ishin nënshkruar si duhej nga udhëheqja e lartë e qeverisë irakiane.

Ai tha se zyrtarëve amerikanë u ishte thënë se sipas interpretimit irakian, të gjitha kërkesat ligjore ishin përmbushur dhe Sadam Huseini, i gjetur fajtor për krime kundër njerëzimit, u ishte kaluar autoriteteve për ekzekutim.

Më parë, zëdhënësi i ushtrisë amerikane në Bagdat tha se Shtetet e Bashkuara do ta kishin trajtuar ndryshe çështjen, por ekzekutimi ishte krejtësisht përgjegjësi e irakianëve.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk kishin të bënin fare me vendin ku u krye ekzekutimi dhe se personeli amerikan as nuk ishte i pranishëm dhe as nuk mori pjesë në kontrollin e irakianëve, që ishin të pranishëm gjatë ekzekutimit. //ze//

XS
SM
MD
LG