Lidhje

Kongresi i ri përballet me sfida në politikën e jashtme


Anëtarët e rinj të Kongresit të 110-të amerikan bënë sot betimin. Kongresi i ri i kontrolluar nga demokratët përballet me sfida në drejtim të politikës së jashtme dhe marrëdhënieve midis legjislativit dhe ekzekutivit në qeverinë amerikane.

Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me jashtë, dega ekzekutive që përfaqësohet nga presidenti, vendos mbi politikën e jashtme, por nëpërmjet sistemit të kontrollit dhe balancave, Kongresi vëzhgon nga afër vendimet e presidentit.

Por në zgjedhjet që u zhvilluan nëntorin e kaluar, partia republikane e presidentit Bush humbi shumicën në të dyja dhomat e Kongresit ndaj demokratëve të opozitës. Si do të ndikojnë rezultatet e zgjedhjeve të fundit tek politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara? Ja si shprehet Dejvid Kin, drejtor i Bashkimit Konservator Amerikan, organizata më e vjetër dhe më e madhe politike konservatore e vendit.

“Çështja kryesore në mendjet e votuesve ishte pakënaqësia me luftën në Irak. Administrata e presidentit Bush ishte shprehur që në fillim se kjo do të ishte një përpjekje e gjatë, por mungesa e një plani zemëroi votuesit duke u dhënë kështu një përfitim të madh demokratëve. Elektorati u dha atyre votën sepse kërkonte tërheqjen nga Iraku dhe përfundimin e luftës, por problemi i demokratëve është se ata nuk kanë një qëndrim dhe nuk dinë se si të veprojnë”, shpjegon zoti Kini.

Uill Marshall, presidenti i Institutit për Politikën Progresive, që synon të krijojë dhe përhapë politika liberale këtu në Shtetet e Bashkuara parashikon ndryshime të mëdha të mundshme në politikën e jashtme përsa i përket Irakut dhe luftës kundër terrorizmit.

“Mendoj se ne i kemi vënë re tashmë këto ndryshime. Zgjedhjet nuk ishin miratimi i alternativës demokrate, por një votë kundër veprimeve të republikanëve, me Irakun në krye të listës. Pra zgjedhësit votuan për ndryshime. Unë shikoj një debat të thellë brenda krahut republikan për të gjetur gabimet në Irak. Ky debat ka zjerë përbrenda gjatë vitit të fundit dhe tani është afër shpërthimit.”

Zoti Kini shpjegon:

“Mendoj se debati do të zhvillohet midis palëve në Kongres. Demokratët përfituan nga pakënaqësia e popullit ndaj luftës në Irak, por nuk parqitën ndonjë rrugëdalje. Fakti që del nga Grupi Studimor mbi Irakun dhe të tjerë, është se rreziqet në botë janë shtuar dhe kemi përballë një luftë që nuk po shkon si duhet dhe nuk jam i sigurt se autorët e raportit të Grupit Studimor mbi Irakun ose ligjvënësit nga të dyja partitë politike kanë të qartë se çfarë duhet bërë. Mendoj, tha zoti Kini, se debati do të ketë ide të shumta ideologjike, të cilat do ta bëjnë të vishtirë të arrihet një zgjidhje e përbashkët.”

I pyetur në se pragmatizmi do të triumfojë ndaj ideologjisë për demokratët në Kongres, Uill Marshall, presidenti i Institutit për Politikën Progresive thotë:

“Mendoj, se kjo është vënë në provë më parë. Zoti Kini ka të drejtë. Të dyja partitë janë të përçara mbi luftën në Irak. Por publiku ka qenë kontradiktor. Populli mendon se administrata e presidentit Bush nuk ka një plan për sukses në Irak, ndërkohë publiku nuk e ka pritur mirë idenë e abandonimit të përgjegjësive tona ndaj popullit irakian dhe të interesave tona të sigurisë. Ne duhet të sigurohemi që nëse largohemi nga Iraku nuk duhet të lemë prapa një situatë që përfaqëson një ofendim të patolerueshëm për vendin.”

Në përfundim analisti konservator Dejvid Kini, thotë se nuk duhet të shikosh rezultatet e zgjedhjeve për të parë se çfarë do të ndodhë pas tyre, sepse çështja është shumë më e komplikuar. Në situata të tilla partitë duhet të bashkëpunojnë më shumë me njëra-tjetrën, në të kundërt do të ketë më shumë mosmarrëveshje në vitet e ardhshme.

Ndërsa zoti Marshall përfundon se këto zgjedhje treguan se votuesit u thanë republikanëve se nuk po punojnë siç duhet dhe u dhanë mundësinë demokratëve ta provojnë, megjithëse nuk kanë besim të plotë tek ata. //kk//

XS
SM
MD
LG