Lidhje

SHBA: Fillon punimet Kongresi i ri me shumicë demokrate


Kongresi i Shteteve të Bashkuara u mblodh sot për herë të parë pas zgjedhjeve të nëntorit, në kushtet kur demokratët kanë shumicën në të dyja dhomat, për herë të parë në 12 vjet.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësja demokrate Nancy Pelosi e Kalifornisë, u prit me duartrokitje, si e para Kryetare grua e Dhomës së Përfaqësuesve.

Në Senat, Nënpresidenti Dick Cheney, i cili është gjithashtu President i kësaj dhome të Kongresit, mori pjesë në betimin e senatorëve të rinj. Senati amerikan është tani i ndarë me një diferencë tepër të ngushtë, 51 me 49, ku shumicën e kanë demokratët.

Në seancën e re të Kongresit, mori pjesë edhe myslimani i parë i zgjedhur në Kongres, si dhe dy anëtarë të besimit budist.

Demokratët u zotuan se do të përpiqen për realizimin e planit të tyre elektoral, në aspektin e brendshëm: lehtësimi i kufizimeve për kërkimet mbi qelizat embrionale, rritja e pagës minimale dhe rregullat që do ta lejonin qeverinë të negocionte me kompanitë farmaceutike për çmime më të ulëta për ilaçet.

Por përparësi në programin e demokratëve është legjislacioni për vënien në zbatim të shumicës së rekomandimeve të komisionit që bëri hetimin mbi sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.

Po ashtu pritet që Kongresi i udhëhequr nga demokratët të propozojë rregulla më të forta etike për ligjvënësit, mes tyre ndalimi me ligj i pranimit të dhuratave, apo udhëtimet e lobistëve. Lidhur me Irakun, Pelosi dhe udhëheqës të tjerë demokratë i kanë hedhur poshtë thirrjet e ligjvënësve të tjerë demokratë, për ndërprerjen e fondeve për operacionet ushtarake. //kk//

XS
SM
MD
LG