Lidhje

Zyrtarë të BE-së vijnë në Uashington për bisedime tregëtare


Nuk është e rastit që këta diplomatë të lartë evropianë po fillojnë vitin 2007 me një vizitë në Uashington. Ata kërkojnë arritjen e një marrëveshjeje tregëtare botërore sa më shpejt dhe mendojnë se Shtetet e Bashkuara po bëhen pengesë.

Raundi 5 vjeçar i Dohas për bisedimet mbi tregëtinë botërore u pezullua verën e kaluar, kryesisht për shkak të subvencioneve të fermerëve amerikanë, të cilat Shtetet e Bashkuara nuk pranuan t’i zvogëlojnë deri në nivelin e pranuar nga Evropa. Negociatat private u kanë dhënë shtytje bisedimeve.

Piter Pauër, zëdhënës për komisionerin e tregëtisë Piter Mandelson, thotë se delegacioni evropian do t’i bëjë thirrje presidentit Bush të arrijë tani një marrëveshje.

“Ne do të bazohemi tek fakti se tani është një moment i rëndësishëm dhe duhet shfrytëzuar. Duhet treguar aftësia e udhëheqjes duke arritur marrëveshjen në mënyrë të drejtë.”

Shtetet e Bashkuara thonë se vende të tjera nuk kanë marrë masa të mjaftueshme për të siguruar një zvogëlim më të madh të subvencioneve bujqësore. Por zoti Pauër nuk pajtohet me këtë.

“Shtetet e Bashkuara duhet të paraqiten me një ofertë të vërtetë dhe serioze për veprimet që mund të ndërmarrin në këtë drejtim.”

Evropianët po shpresojnë edhe për një mbështetje nga demokratët që kanë tani kontrollin e Kongresit. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Piter Pauër, thotë se komisioni e cilëson Partinë Demokrate si më tolerante sesa republikanët, drejt liberalizmit të tregjeve dhe shërbimeve mbarëbotërore.

“Është fare e qartë se demokratët janë të shumëanëshëm. Ne besojmë se ata janë me të vërtetë të vendosur për këtë dhe duhet vetëm një nxitje e vullnetit të mirë politik.”

Zyrtarët evropianë thonë se delegacioni mund të takohet me udhëheqjen e re demokrate përpara takimit me presidentin Bush. //ze//

XS
SM
MD
LG