Lidhje

Robotët dhe inxhinieria bio-mjekësore


Arritjet në teknologjinë mjekësore nuk janë të rastësishme. Neuro-kirurgu James Burgess në Spitalin e komunës Allegëni mendon se fillimisht lind frymëzimi. Prandaj ai ka hapur një kurs me titull “Kirurgjia për Inxhinierët.” Studentët vijnë në këtë kurs për të marrë mësime mbi sistemin Da Vinci të Kurirgjisë.

"Kjo është një teknologji shumë e avancuar që sapo kemi filluar ta fusim në përdorim në sallat e operacioneve. Por kjo teknologji mund të frymëzojë inxhinierët biomjekësorë, duke iu zgjuar ide të reja për të përmirësuar teknologjinë ekzistuese".

Dr. Marco Zenati e përdor shpesh sistemin Da Vinci për bypass në zemër. Në këtë rast ai po e provon sistemin jo në një pacient real, por në një model kirurgjie në laborator.

"Kirurgjia e ndihmuar nga robotët ka bërë që tani mes dorës së kirurgut dhe tehut të bisturisë të ketë një kompiuter të vogël, i cili i jep mjekut aftësi mbinjerëzore. Një prej aftësive të sistemit është eliminimi i dridhjeve të dorës".

Gjatë semestrit 4 mujor studentët shohin kirurgët gjatë operacioneve. Në sesione 3 orëshe çdo javë, ata ndjekin operacione që varen tek mjete robotike dhe pajisje kompiuterike të krijuara nga inxhinierët.

Duart e kirurgut Zenati nuk e prekin kurrë pacientin. Ai ulet në një pult komandimi dhe mbi duar dhe këmbë ka pajisje kontrolluese kompiuterike përmes të cilave drejton krahët robotikë të pajisur me kamera dhe instrumente kirurgjikale. Pamjet 3-dimensionale që ai sheh mes lenteve zmadhuese dalin 10 herë më të mëdha se origjinalet.

"Është disi e frikshme, por shpejt zhytesh në këtë veprim si magjistari me shkopin magjik. Ky është një operacion i vërtetë dhe mbi të gjitha ka rëndësi shëndeti i pacientit".

Studentët ulen me radhë tek një pult komandimi që funksionon nga lëvizjet e duarve dhe këmbëve të tyre si një lojë elektronike. Por James Burges thotë se kjo është një përvojë shumë e rëndësishme, pasi i ndihmon ata të mendojnë si kirurgë të vërtetë:

"Pikërisht këtë duam të arrijmë, pra t’i angazhojmë studentët që në fillimet e studimeve në këtë teknologji që t’i frymëzojmë dhe ndoshta t’i nxisim të punojnë në projekte të tjera teknologjike jashtë kësaj klase".

Michael Despenza dhe Frank Hamond, si shumë studentë të tjerë, ndjekin studimet pasuniversitare në inxhinieri mekanike dhe janë shumë të interesuar në këtë teknologji. Ata e shohin veten si pjesë përbërëse të një ekipi bio-mjekësor në të ardhmen. //ze//

XS
SM
MD
LG