Lidhje

PD, PS - të gatshme për t'iu përgjigjur ftesës së Presidentit

  • Armand Mero
  • Tiranë

Në Shqipëri, dy forcat kryesore politike u shprehën të gatshme t’i përgjigjen ftesës së Presidentit Alfred Moisiu për një tryezë të partive për zgjidhjen e krizës zgjedhore. Në takim pritet të marrë pjesë kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Duket se qëndrimi i tyre dhe veçanërisht i demokratëve, u provokua nga deklarata e OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, ku shprehej mbështetja ndaj nismës së kreut të shtetit shqiptar dhe i bëhej thirrje të gjitha forcave politike që të marrin pjesë në takim, duke theksuar se kjo është në interes të Shqipërisë dhe reputacionit të saj ndërkombëtar.

Për herë të parë kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pritet të jenë nesër përballë njëri tjetrit në tryezën e partive politike të organizuar nga presidenti Alfred Moisiu. Dy forcat kryesore politike iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së kreut të shtetit për një takim mbi krizën e rëndë zgjedhore.

Menjëherë pas këtyre sinjaleve, në Presidencë nisën përgatitjet. Tryeza pritet të organizohet në mesditë. Në realizimin e saj duket se ka kontribuar qartë ndërhyrja e OSBE-së dhe Këshillit të Evropës. Nuk kishte kaluar as një orë nga deklarata e presidentit Alfred Moisiu, kur nga Vjena dhe Strasburgu, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Mark Perrën dë Brishambo dhe ai i Këshillit të Evropës, Terri Dejvis, me anë të një komunikate të përbashkët, u shprehën se e mirëprisnin nismën e kreut të shtetit shqiptar, për të thirrur një tryezë të partive politike për krizën zgjedhore.

Presidentit Moisiu i është kërkuar shpesh nga disa parti që të ndërhyjë, por përpjekjet e tij për të mbledhur bashkë forcat politike duket se kishin ngecur nga mosbesimi i demokratëve.

Kryeministri Berisha, disa herë kishte përsëritur se kreu i shtetit i kishte ezauruar kompetencat e tij dhe e kishte akuzuar atë se kishte mbajtur anën e opozitës në trajtimin e çështjes së zgjedhjeve. Ndërsa ditët e fundit, përfaqësues të tjerë demokratë e kishin sulmuar Presidentin për qëndrim pasiv, pasi nuk kishte ndërhyrë, sipas tyre, për të kritikuar bojkotin e opozitës.

Duket qartë, se OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës kishin parasysh këtë situatë, kur në deklaratën e tyre i bënë thirrje të gjitha partive politike të merrnin pjesë në takimin te presidenti dhe të dëshmonin shkallën më të lartë të mundshme të përgjegjësisë, në kërkim të një marrëveshjeje, duke nënvizuar se kjo është qartazi në interes të Shqipërisë dhe reputacionit të saj ndërkombëtar.

...Dhe efektet, siç duket, kanë qenë të menjëhershme. Pas dështimeve të bisedimeve mes palëve të ndërmjetësuara nga komuniteti ndërkombëtar, nesër do të jetë shansi i fundit për arritjen e një zgjidhjeje. Dy partitë më të mëdha do të përfaqësohen në nivelin e tyre më të lartë, gjë e cila do të hiqte mundësinë, që në rast të një kompromisi, palët të ndryshonin më pas qëndrimet e tyre, siç ka ndodhur rëndom.

Tashmë, kur të gjitha aspektet e reformës kanë marrë konsensusin, duhet të gjendet zgjidhja për çështjen e vetme të mbetur hapur, atë të certifikatave.//lk

XS
SM
MD
LG