Lidhje

Konkurrencë për tubacionin e naftës në Evropën Juglindore


Në Ballkan po zhvillohet një garë për ndërtimin e një naftësjellësi të eksportit që do të shmangë Ngushticat Turke. Një linjë e propozuar do të shkojë nga Bullgaria në Shqipëri, e dyta midis Bullgarisë dhe Greqisë dhe e treta, nga Rumania në Itali. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Barry Wood sjell më shumë hollësi nga gara për të ndërtuar të parin tubacion për eksportin e naftës në Evropën Juglindore.

Ngushticat e ngarkuara turke nuk mund të mbajnë më shumë çisterna nafte. Me çmimet e larta dhe ekportin në rritje të naftës nga Kazakistani, mbështetësit e projekteve konkurruese po kërkojnë të gjejnë avantazhe. Ted Ferguson drejton konsorciumin për të ndërtuar linjën AMBO 850 kilometra nga Bullgaria për në Shqipëri.

“Mendoj se do të na duhen 6 deri në 18 muaj për të qënë gati për fillimin e ndërtimit”.-thotë ai.

Bankieri nga Nju Jorku, Riçard Enis po reklamon linjën rivale rumune, Naftësjellësin PanEvropian, PEOP që do të shtrihet 1 mijë e 300 kilometra nga Rumania në perëndim përmes Serbisë, Kroacisë dhe Sllovenisë për në Itali. Kjo linjë do të kushtojë më shumë se AMBO, por do të transportojë dy herë më shumë naftë. Zoti Enis e pranon se vetëm njëra nga linjat rivale mund të ndërtohet.

“Linja që do të ndërtohet e para do të fitojë. Edhe pse projektet e tjera mund të jenë më pak të suksesshme sesa PEOP, në se arrin të ndërtohen më parë, do të fitonin."- thotë ai.

Gligor Toskoviç, ministri maqedonas për investimet e huaja dhe ish zyrtar i AMBO-s, ka besimin se AMBO do të fitojë. Ai thotë se thjesht mungon angazhimi financiar i një kompanie nafte.

"Të gjitha propozimet kërkojnë një kompani nafte. Askush nuk e ka një të tillë, pavarësisht nga çfarë mund të thonë mediat. Ne do të jemi të parët”.- thotë ai.

Por një linjë e tretë, më e lirë dhe më e shkurtër që lidh Bullgarinë me Greqinë mund të jetë më pranë sigurimit të mbështetjeve financiare. Kjo linjë 280 kilometra mbështetet nga Greqia e Rusia dhe kjo e fundit përmes Gazpromit do të ketë 51 përqind të pronësisë së tubacioneve. Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Ivailo Kalfin thotë se të dyja linjat nga Greqia dhe Shqipëria janë të nevojshme.

“Mendoj se të dyja projektet janë të realizueshme. Ato janë shumë të rëndësishme për Bullgarinë dhe ne po punojmë shumë për to”- thotë ai.

Ish drejtuesi i një kompanie nafte, Frenk Verrastro, thotë se tubacionet në vetvete nuk janë fitimprurëse. Kjo, thotë ai, është arsyeja e vështirësisë së ndërtimit të tyre, veçanërisht kur ato kalojnë në më shumë se një vend.

“Sa më shumë aksionerë dhe vende të jenë të angazhuar, aq më i vështirë dhe më shumë zgjatet projekti për t'u ndërtuar”.

Të paktën një nga tubacionet rivale të naftës ka të ngjarë të ndërtohet. Por fituesi i garës ende nuk mund të përcaktohet.//lk

XS
SM
MD
LG