Lidhje

Analistët: Një treg i përbashkët transatlantik do të sillte përfitime


Kancelarja gjermane Angela Merkel, e cila mori presidencën e radhës të Bashkimit Evropian dhe Grupit të Tetëshes më 1 janar, deklaroi se përmirësimi i marrëdhënieve tregtare dhe nivelit të investimeve mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara janë ndër përparësitë e saj kryesore. Analistët amerikanë thonë se një treg i përbashkët transatlantik do të sillte përfitime të mëdha ekonomike.

Profesori i Universitetit Xhon Hopkins Daniel Hamilton, thotë se vëllimi i ekonomisë transatlantike është gjigand krahasuar me bashkëpunime të tjera ekonomike:

" Pa dyshim, është ekonomia më e madhe në botë, krahasuar me të gjitha partneritetet e tjera të globit. Sipas përllogaritjeve, ekonomia transatlantike i afrohet shifrës 3 presje 75 trilion dollarë. Ajo punëson rreth 14 milion vetë në të dyja anët e Atlantikut." - thotë ai.

Kancelarja gjermane Angela Merkel udhëheq vendin numër një në botë në eksporte dhe ekonominë më të madhe të Evropës. Në një intervistë botuar në shtyp ditët e fundit, zonja Merkel thekson se do ta bëjë nxitjen e partneritetit ekonomik ndërmjet Uashingtonit dhe Bashkimit Evropian një përparësi qendrore gjatë presidencës së Gjermanisë në bllok.

Profesori Hamlton thotë se zonja Merkel nuk po propozon një marrëveshje të re tregtare, por synon të krijojë një treg të përbashkët transatlantik, bazuar në një rregullore të përbashkët:

"Tregtia përbën vetëm 20 për qind të marrëdhënieve të biznesit transatlantik. Pjesa më e madhe e ekonomisë ushqehet nga investimet. Kjo ndryshon nga çdo marrëdhënie në botë. Në shtetin amerikan të Teksasit ka më shumë investime evropiane se sa ka investime amerikane në Kinë dhe Japoni të marra së bashku."- thotë ai.

Geri Litman është Nënpresident për Evropën dhe Euroazinë në Dhomën Amerikane të Tregtisë, e cila përfaqëson sektorin e biznesit privat. Ai thotë se ajo që po përpiqet të realizojë Angela Merkel duhej bërë prej kohësh:

"Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk mund t’i trajtojnë si fakt të kryer marrëdhëniet tona ekonomike. Ne na nevojitet edhe korniza ligjore për investime dhe tregti të ndërsjelltë, si dhe na nevojiten rregulla ekonomike. Ne na duhen rregullore të përbashkëta për të vepruar në tregun transatlantik."

Studimet e kryera nga Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin në Evropë tregojnë se sinkronizimi i rregulloreve të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara do të shtonte thuajse një për qind nivelin e rritjes së Prodhimit të Përgjithshëm. Kjo është njësoj sikur çdo individi në Amerikë apo në Evropë t’i jepje shpërblim rrogën e një viti pune gjatë karrierës së tij. Profesori Hamilton thotë se nisma e Kancelares Merkel do ta shtynte ekonominë transatlantike në krye të globalizimit:

"A nuk duhet që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa të bashkohen përsëri dhe të shndërrohen në udhërrëfyese për ekonominë globale? Përndryshe, alternativa do të jetë rritja e prirjeve proteksioniste, si dhe konkurenca ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në tregje si Kina, India apo Koreja. A nuk është mirë që të bashkohemi dhe të gjejmë mënyra për t’u përballur së bashku me globalizimin meqë kemi lidhje të forta me njëri-tjetrin?"

Geri Litman i Dhomës Amerikane të Tregtisë thotë se një treg i përbashkët transatlantik do të ndihmohte për të rritur cilësinë e produkteve, si të atyre materiale, ashtu edhe atyre financiare:

"Së bashku me Bashkimin Evropian ne bëhemi një pjesë shumë e madhe e tregut botëror. Ne bëhemi përcaktuesit e prirjeve. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian bin dakord mbi një rregullore transparente dhe të arsyeshme, mendoj se edhe pjesa tjetër e botës do ta ndjekë këtë shembull." - thotë ai.

Megjithëse ka kritikë ndaj kësaj nisme në të dyja anët e Atlantikut, muajin e kaluar Senati amerikan miratoi njëzëri rezoluta që mbështesin konceptin e një tregu të përbashkët transatlantik. Shumë ekspertë parashikojnë se tregu i përbashkët transatlantik mund të bëhet realitet në dekadën e ardhshme.//lk

XS
SM
MD
LG