Lidhje

Milano: Seancë paraprake gjykimi ndaj disa agjentëve amerikanë e italianë të zbulimit


Një gjykatë në Milano është duke vendosur nëse do të padisë 25 persona që dyshohen si gjentë të CIA-s dhe disa italianë, nën akuzën për rrëmbimin e një kleriku musliman në vitin 2003. Gjatë seancës së ditës së martë, avokatja e ish-shefit të degës së CIA-s në Milano, u tërhoq nga gjykimi, duke thënë se çështja duhet zgjidhur politikisht.

Agjentë amerikanë dhe italianë të zbulimit po nxisin qeveritë përkatëse të parandalojnë dërgimin e tyre në gjyq për rrëmbimin, në vitin 2003 në Milano, të një të dyshuari për terrorizëm. Imam Osama Mustafa Hassan, i njohur gjithashtu dhe si Abu Omar, u rrëmbye në rrugët e Milanos dhe sipas tij është dërguar në Egjipt, ku është torturuar.

Sot një gjykatës italian, nisi seancat e dëshmive, për të parë në se ka prova për ngritje akuzash ndaj 6 italianëve dhe 26 amerikanëve, shumica agjentë të CIA-s. Asnjë prej të dyshuarve nuk ishte i pranishëm në seancën e dëshmive, që u mbajt me dyer të mbyllura.

Prokurorët thonë se mbasi është rrëmbyer në Milano, Imami është çuar në bazën ushtarake të Avianos në veri të Italisë dhe më pas është dërguar me avion nga Gjermania në Egjipt, ku është marrë në pyetje dhe është torturuar. Sipas prokurorëve, rrëmbimi është organizuar nga shërbimet e fshehta italiane në bashkëpunim me CIA-n.

Incidenti besohet të jetë një rast i pazakontë, i cili përfshin transferimin e një të dyshuari për terrorizëm në një vend të tretë për t’u marrë në pyetje. Prokurorët italianë thanë se operacioni ishte shkelje e sovranitetit të Italisë, që dëmtoi vetë përpjekjet anti-terroriste të Italisë.

Me prokurorët duhet të përballet dhe ish-shefi i degës së CIA-s në Milano, Robert Seldon Lady, i cili ka dalë në pension, dhe që u kthye menjëherë në Shtetet e Bashkuara sapo rrëmbimi u bë publik.

Pak kohë pas nisjes së seancës së sotme, avokatja e zotit Lady dha dorëheqjen nga çështja, duke thënëse ish-shefi i CIA-s, nuk pranonte të bashkëpunonte. Avokatja tha se klienti i saj beson se çështja duhet të ketë një zgjidhje politike dhe jo zgjidhje juridike. Mes italianëve të akuzar për rrëmbim është edhe ish drejtori i zbulimit të ushtrisë Nicolo Pollari, i cili gjithashtu ka humbur vendin e punës.

Avokati Titta Madia, i cili mbron Zotin Pollari, tha se ai kërkon që dëshmia të dëgjohet nga kryeministri i tanishëm Romano Prodi, si dhe ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi, për të verifikuar sekretet shtetërore që mund të dalin gjatë procesit.

Asnjë vendim nuk u morr pas seancës së ditës së martë. Një senacë tjetër dëshmish është planifikuar për në 29 janar.

XS
SM
MD
LG