Lidhje

Vdes regjisori i njohur italian Karlo Ponti


Karlo Ponti, një nga regjisorët më të njohur të Italisë dhe bashkëshort i aktores Sofia Loren, vdiq në Gjenevë në moshën 94 vjeçare. Në karrierën e tij 50 vjeçare, Ponti drejtoi mbi 150 filma. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Sabina Kastelfranco njofton nga Roma:

Në të gjithë botën ai njihej si bashkëshorti i një prej aktoreve më të famshme italiane, Sofia Loren. Por Karlo Ponti ishte një nga producentët më të mirë të Italisë. Ai drejtoi realizimin e një sërë filmash klasikë si “La strada” e Federico Fellinit, “Doktor Zhivago” të David Lin-it dhe “Blowup” të Mikelanxhelo Antonionit. Karlo Ponti vdiq në moshën 94 vjeçare në një spital në Gjenevë, pas komplikacioneve në mushkëri. Ai ishte shtruar në spital para 10 ditëve.

Ponti lindi pranë Milanos në vitin 1913. Ai studioi për drejtësi dhe punoi si avokat para se t’i hynte rastësisht karrierës së producentit në vitin 1938, kur një producent filmash, klient i firmës së tij u largua nga Italia në kohën e fashizmit dhe i kërkoi që të zinte vendin e tij.

Pontit i ra në sy Sofia Loren kur ajo mori pjesë në një konkurs bukurie, në moshën e adoleshencës. Ai ishte mbi 20 vjet më i madh. Ajo ishte e varfër dhe vinte nga një rrethinë e Napolit. Ai ishte bërë ndërkohë një producent i njohur dhe ishte i martuar. Ponti e ndihmoi atë të kthehej në një yll kinemaje dhe vetë ndenji në hije, ndërsa Sofia Loren u bë e para simbol seksi në Itali dhe më pas një aktore e njohur në Hollivud.

Në vitin 1957, martesa e tyre e parë shkaktoi skandal në Itali. Në atë kohë nuk kishte ligje për divorcin në Itali dhe Ponti ishte akoma i martuar. Ai kishte kërkuar një anulim të martesësh së tij nga Vatikani, por pa sukses.

Ponti u martua në mungesë me Sofia Lorenin në vitin 1957. Në Itali ai u akuzua per bigami. Skandali rreth martesës i detyroi ata të largoheshin nga vendi dhe të zhvendoseshin në Hollivud. Ata kanë dy djem dhe njëri prej tyre është bërë regjisor filmash. Katër vjet pasi u martua, Sofia Loren fitoi çmimin Oskar për filmin “Dy gra”, drejtuar nga i shoqi.

Disa vjet më pas, ai u kandidua për çmimin Oskar për filmin “Doktor Zhivago”. Ponti ishte producent i filmave të regjisorëve Federico Fellini, Vittorio De Sika, Xhorxh Cukor dhe Sidney Lumet. Mes klasikëve që mbajnë firmën e tij janë “Martesë italiane” dhe “Një ditë e veçantë”.

Ministri italian i Kulturës Francesko Rutelli tha se vdekja e tij shënon fundin e një epoke të kinematografisë, pasi ai mishëronte një nxitjen për e madhe dhe të guximshme për ide të reja, ndihmoi në rritjen profesionale të talenteve të paharrueshme dhe pati një sukses të jashtëzakonshëm.//lk

XS
SM
MD
LG