Lidhje

FMN marrëveshje të re me Shqipërinë për reforma ekonomike


Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehu sot vlerësime lidhur me trajtimin që autoritetet shtetërore dhe ekonomia shqiptare po i bëjnë krizës energjitike për ta tejkaluar atë.

Përfaqësuesja e FMN në Tiranë, Ann Margaret Uestin, deklaroi se kjo krizë energjitike nuk do ta pengojë rritjen ekonomike të Shqipërisë. "Kriza energjitike dhe kriza politike - thotë zonja Uestin - kanë ndikimin e tyre mbi rritjen ekonomike. Në vitin e kaluar vështirësitë e sektorit energjitik - tha përfaqësuesja e FMN - u mbuluan nga faktorë të tjerë të ekonomisë që ecën mjaft pozitivisht, dhe kështu që pati rritje dhe progres, dhe u plotësuan parashikimet mbi rritjen ekonomike që u bë në vjeshtën e 2005". Sipas saj, e njëjta gjë do të ndodhë edhe për vitin 2007. "Nuk ka asnjë dyshim - thotë zonja Uestin - se Shqipëria do të arrijë në 2007 rritjen ekonomike e parashikuar në 6%. Ekonomia shqiptare është plot me dinamizëm dhe fuqi zhvillimi" - tha përfaqësuesja e FMN.

Sipas saj, qeveria shqiptare po bën përpjekje të mëdha që të plotësojë nevojat me energji, por ka disa faktore të tjerë të pakontrollueshëm që e pengojnë... Zonja Uestin i bëri këto komente sot gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje të re bashkëpunimi mes FMN dhe Shqipërisë në kuadrin e programit CARD edhe për dy vjet të tjera. Kjo është marrëveshja e tretë e FMN me Shqipërinë. Ajo do të shqyrtohet në ditët e para të shkurtit në zyrat qendrore të Fondit, në mënyrë që më tej t'i hapet rruga reformave të tjera ekonomike, sociale, reformave në zbutjen e varfërisë përmes rritjes së pagave të vogla dhe pensioneve, si dhe forcimit të administratës tatimore. //rd//

XS
SM
MD
LG