Lidhje

Raporti vjetor i organizatës për të drejtat e njeriut


Raporti vjetor i organizatës Human Rights Watch, që u publikua sot, i bën një paraqitje të zymtë gjendjes së të drejatve të njeriut në botë, dhe kritikon në veçanti Shtetet e Bashkuara.

Në raportin e kësaj organizate me seli në Nju Jork, thuhet se Shtetet e Bashkuara e kanë humbur besueshmërinë si mbrojtëse e të drejtave të njeriut, për shkak të trajtimit të ashpër ndaj të dyshuarve si terroristë. Human Rights Watch i bën thirrje Bashkimit Evropian të marrë këtë rol udhëheqës që ka mbetur bosh.

Megjithatë në raport thuhet se politika e Bashkimit Evropian për të vepruar vetëm me konsensus e pengon atë të jetë efektiv. Sipas raportit, të drejta e njeriut në Kinë e Rusi po keqësohen dhe qeveritë e këtyre dy vendeve mbështesin masa shtrënguese, si mënyrë për të shtuar ndikimin e tyre.

Në kapitullin që flet për Kosovën në raportin e Organizatës Human Rights Watch, thuhet se bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës i lanë në hije problemet serioze për të drejtat e njeriut gjatë vitit 2006.

Bllokimi i bisedimeve mes palëve e bën idenë e imponimit të statusit gjithnjë e më të besueshme. Ndërkohë, thuhet në raport, pakicat jetojnë në mospërfillje dhe herë pas here në rrethana të rrezikshme; kthimi i refugjatëve dhe i personave të shpërngulur pothuajse është ndalur plotësisht, kurse sistemi i drejtësisë vazhdon t’i zhgënjejë viktimat.

Zyrja e zotit Marti Ahtisarit, është kritikuar nga organizatat e shoqërisë civile për shkak të konsultimeve të pamjaftueshme me pakicat joserbe dhe me gratë, dhe për shkak të mungesës së transparencës në punë. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, thuhet në raport, vëmendjen ia kanë kushtuar planifikimit të pranisë së ardhshme ndërkombëtare në Kosovë pas përcaktimit të statusit. //rd//

XS
SM
MD
LG