Lidhje

Selami: Në demokraci shkohet me respekt për idetë ndryshe

  • Intervistoi: Konda

Për të diskutuar mbi krizën zgjedhore në Shqipëri, Zëri i Amerikës intervistoi një prej figurave të para të pluralizmit në Shqipëri, ish-kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Eduard Selami.

Zëri i Amerikës: Zoti Selami, duke i hedhur një vështrim krizës më të fundit zgjedhore në Shqipëri, ndërsa partitë kryesore kanë dy ditë që po takohen me Presidentin Moisiu në përpjekje për t’i gjetur një zgjidhje krizës, sot patëm një zhvillim interesant: Kryeminsitri Berisha sot u takohet me ish-kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nano. Si do ta komentonit ju këtë zhvillim?

Eduard Selami: Në radhë të parë, më lejoni të përshëndes iniciativën e Presidentit Moisiu për t’i dhënë fund një krize të tillë dhe njëkohësisht edhe vullnetin e të gjithë palëve për t’u ulur dhe për ta zgjidhur këtë krizë në mënyrë insitucionale. Unë mendoj se kjo është e vetmja rrugë që do ta kthejë këtë krizë në një arritje, pra në zgjidhjen përfundimatre e problemit të zgjedhjeve në Shqipëri, të problemit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ndërsa, pavarësisht nga si të thuash, përmasat e saj, takimi midis zotit Berisha dhe zotit Nano, ky është një takim që mendoj se është e drejta e tyre për të dhënë kontributin në të. Por për mendimin tim personal, aty ku po vendosen gjërat është pikërisht tryeza e Presidentit, dhe forcat politike mendoj që duhet ta vazhdojnë këtë rrugë të kompromisit me njeri tjetrin, që ta gjejnë një zgjidhje sa më të afërt, që unë shpresoj se do të jetë shumë pranë.

Zëri i Amerikës: Ju keni qenë një nga aktorët e politikës në Shqipëri, sidomos gjatë viteve të para të tranzicionit, megjithatë, megjithëse kanë kaluar 16 vjet nga ky tranzicionik, i ashtuquajtur tranzicion, tashmë, duket se nuk vihet re një bashkëpunim reciprok mes pozitës dhe opozitës, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar, Bashkimi Evropian i kanë vënë si kusht Shqipërisë pikërisht edhe bashkëpunimin midis forcave politike. Si e shpjegoni ju faktin, që rivalët politikë në Shqipëri duket se e kanë të vështirë bashkëjetesën?

Eduard Selami: Eshtë e vërtetë, është për të ardhur keq, se shpenzohet një energji shumë e madhe për këtë lloj mungese bashkëpunimi dhe mirëkuptimi. Natyrisht, që demokracia nuk është forma më e lehtë e qeverisjes; por ajo është forma më e suksesshme. Edhe në këtë aspekt, përderisa të gjithë politikanët në Shqipëri kanë shprehur pikëpamjen e tyre për demokracinë, ata duhet të respektojnë edhe rregullat e lojës. Në demokraci nuk shkohet me luftë, me prita, me pusira dhe me diversione, por shkohet me respekt për idetë ndryshe, shkohet me bashkëpunim, shkohet me një besim reciprok. Kur mungon besimi, atëhere dyshimi ze vend dyshimi sa vjen e shtohet dhe të gjitha gjërat bëhen më të vështira, prandja dhe arritjet janë edhe më të vogla. Unë mendoj se shqetësimi i kominitetit ndërkombëtar është i drejtë, që duhet një frymë tjetër, duhet me të vërtetë një frymë e re; dhe jo vjen me një bashkëpunim dhe mirëkuptim të të gjitha palëve.

Zëri i Amerikës: A mendoni ju se klasa politike është në nivelin e interesave të vendit?

Eduard Selami: Pyetje e vështirë. Kam qenë në politikë në Shqipëri dhe kam qenë në pozicionin e tanishëm që janë politikanët për t’i kritikuar, prandaj unë nuk dua ta përdor këtë rast thjesht për një kritikë të sipërfaqshme. Shqipëria është një vend i vështirë, por nga ana tjetër edhe politikanët duhet t’i vendosin prioritetet atje ku janë. Unë mendoj se prioritet kanë ndërruar pak. Nuk duhet parë thjesht interesi personal, apo interesi i ngushtë familjar. Por kur merr përsipër për të drejtuar punë publike, je shërbëtor i publikut, je shërbëtor i atij procesi që ti beson; dhe në këtë mënyrë duhet parë që interesi i vendit, interesi i demokracisë dhe interesa të tjera, janë më të rëndësishme se interesat personale. Unë mendoj që nëqoftëse do të shikohet në këtë plan, atëhere shumë gjëra do të zgjidhen edhe më mirë; dhe ka mjaft politikanë në Shqipëri që janë të arsyeshëm, janë patriotë dhe të cilët unë mendoj që i kanë forcat për ta ndërruar këtë klimë dhe për ta kthyer Shqipërinë në rrugë më të mbarë.

Zëri i Amerikës: Zoti Selami, analistë dhe zyrtarë ndërkombëtarë i kanë cilësuar të pakuptimta mosmarrëveshjet mes pozitës dhe opozitës. Sa mendoni se është dëmtuar imazhi dhe aspiratat integruese të Shqipërisë nga kriza zgjedhore?

Eduard Selami: Varet se nga ç’këndvështrim e shikon. Unë nuk mendoj që kjo krizë është e pakuptimtë, në sensin që problemi i zgjedhjeve nuk është një problem në Shqipëri. Mbase nuk ka parasysh deklarata konkrete, por nëqoftëse këto shikohen se janë zgjidhje që mund të kryhen lehtësisht, ndoshta kjo është e vërtetë. Po të ndahen gjërat politike nga gjërat teknike, atëhere kjo do të jetë më e lehtë, sepse si pozita, edhe opozita janë për ygjedhje të lira dhe të ndershme; kështuqë kërkesa e opozitës që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme, është një kërkesë legjitime e saj. Po kështu, edhe kërkesa e pozitës, që këto zgjedhje të bëhen në mënyrë ligjore dhe në afate të caktuara. Pra, po t’i shikojmë, ky është një problem i madh dhe palët në fakt nuk janë aq larg. Po të shihen gjërat me syrin që përse kjo krizë po zgjatet, une nuk jam jurist dhe nuk jam teknik që ta them përse kjo gjendje po zgjatet kaq shumë. Sugjerimi, në se do të më lejohej të jepja, është që të mos i japim më shumë peshë gjërave teknike, por të shikohen në planin e përgjithshëm për zgjedhje të lira dhe të drejta, dhe të ndershme: që zgjedhjet e 2005-ës ishin një hap përpara; që këto zgjedhje të shkojnë akoma dhe më përpara, dhe të kthehemi tek çështja e rëndësishme, që ato ta afrojnë Shqipërinë drejt integrimit euroatlantik dhe jo ta pengojnë. Zhgënjimi i ndërkombëtarëve, është për mendimin tim legjitim, sepse kanë investuar kaq shumë dhe kanë dhënë kaq shumë për Shqipërinë dhe nuk janë dakord që për gjëra që mund t’i quash jo të rëndësishme dhe teknike, të shkojnë kaq larg. Por unë mendoj që klasa politike ka mësuar nga kjo gjë, fakti që ata po ulen në bisedime, fakti që ata po punojnë ditë natë për ta zgjidhur, mendoj që ka qenë një mësim dhe që duhet zgjidhur dhumë shpejt. Kjo është në interes, në radhë të parë, të qytetarëve, të votuesve shqiptarë, në interes, të mos harrojmë edhe çështjes së rëndësishme të Kosovës, e cila është pak ditë para zgjidhjes së një aspirate historike të saj. Dhe kështuqë, unë mendoj që në këtë aspket, kjo do të shkojë në rrugën e duhur.

Zëri i Amerikës: Mosmarrëveshja më e fundit ka të bëjë me zgjidhjen e problemit së çertifikatave. Disa analistë janë shprehur se ky është thjesht një justifikim, si nga Partia Socialiste, edhe nga ajo Demokratike. Në këto kushte, a mendoni që ky problem e ka një zgjidhje?

Eduard Selami: Atje ku ka një vullnet për zgjidhje, ka edhe një rrugë për zgjidhje. Unë nuk e njoh me detaje problemin e certifikatave dhe do ta rezervoja mendimin tim për të; nuk do ta quaja të rëndësishëm apo të pa rëndësishëm, por nga ana tjetër, unë mendoj se kur ka një vullnet politik, atëhere do të gjendet edhe rruga për të.

Zëri i Amerikës: A ju duket se fshihen interesat e partive prapa certifikatave, apo është ky thjesht një problem teknik?

Eduard Selami: Në frymën e saj që unë ju bëj thirrje atyre për mirëkuptim dhe që të kenë besim tek njëri tjetri, unë nuk mund të paragjykoj ndokënd. Nuk mund të paragjykoj shqetësimin e drejtë të opozitës, nuk mund të paragjykoj që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta dhe nuk mund të paragjykoj detyrimin dhe angazhimin që ka dhënë opozita për realizimin e zgjedhjeve të drejta dhe të lira dhe them që është një prolem, që përderisa është i rëndësishëm për një palë, duhet gjykuar si i rëndësishëm dhe nuk duhet paragjykuar në këtë drejtim. Kjo do t’i hapë rrugë pastaj një procesi të lirë dhe të ndershme; se ka shumë probleme që janë shumë më të rëndësishme, sepse janë probleme, të cilat në një farë mase janë edhe të trashëguara dhe që njerëzit përditë i vuajnë. Pikërisht, për hir të durimit që kanë treguar, për hir të vështirësive që kanë, politikanët shqiptarë duhet ta shtrijnë bashkëpunimin e tyre me njeri-tjetrin, që sa më parë, ta zgjidhin këtë problem.

Zëri i Amerikës: Kohët e fundit, pas shumë vitesh ju vizituat Shqipërinë dhe mes pyetjeve të shumta që ju bënë atje ishte, në se do të ktheheni në jetën politike të Shqipërisë dhe kjo është një pyetje që ka mbetur disi e paqartë. Si do t’i përgjigjeshit ju sot kësaj pyetjeje?

Eduard Selami: Ka qenë gjithmonë e qartë për mua. Jam larguar fizikisht, por asnjëherë nuk jam larguar shpirtërisht nga Shqipëria. Në se nuk i jam përgjigjur thirrjeve të caktuara për një pozicion të caktuar, siç e kam thënë edhe më parë, kanë të bëjnë me faktin është se unë nuk e shoh kthimin në Shqipëri si një kthim në karrierën politike, por si një përgjegjësi dhe si një detyrim për të kontribuar për vendin tim. Unë e quaj fat të madh që kam patur mundësi të jap një kontribut, qoftë edhe modest dhe nuk nuk do të ketë dëshirë më të madhe për mua që të kem edhe një herë mundësinë për të kontribuar për vendin tim, sepse shqiptarët kanë vuajtur, shqiptarët meritojnë edhe më shumë, prandaj unë mendoj që janë në rrugë të mbarë dhe ta kapërcejnë këtë krizë dhe të futen në drejtimin e duhur, në atë të integrimit euroatlantik.

Zëri i Amerikës: A ju është bërë ndonjë ftesë konkrete nga zyrtarët në Shqipëri, për t’u kthyer në politikën shqiptare?

Eduard Selami: Ka patur ftesa të mëparshme, por nuk bëhet fjalë për një ftesë kokrete dhe unë mbase i kam dekurajuar me këtë qëndrimin tim, që i shikoj punët pak ndryshe; duke i falënderuar, gjithmonë shikoj që si do të jetë kontributi më i madh për të ndihmuar vendin. Çdo njeri ka raportet e tij personale me vendin e tij. Kur unë ta ndjej që kjo i shërben vendit, unë patjetër që do të kthehem dhe do të jap kontributin tim.

XS
SM
MD
LG