Lidhje

SHBA: Iraku të luajë rol serioz në ofensivë

  • Al Pessin

Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts thotë se Irakut do t’i duhet të tregojë se gëzon aftësinë për të siguruar trupa të tjera për në Bagdad dhe për të kufizuar ndikimin politik të fraksioneve të armatosura para se pjesa më e madhe shtesë e trupave amerikane të dislokohet në Irak. Sekretari Gejts in bëri komentet në një konferencë shtypi dhe një seancë me pyetje-përgjigje në kongres ditën pas njoftimit nga Presidenti Bush të strategjisë së tij në Irak, me objektiv kryesor vendosjen e sigurimit në Bagdad, përfshirë dislokimin e më shumë se 20 mijë forcave të tjera amerikane.

Sekretari Gejts thotë se shtimi i trupave ameriikane në Irak do të ndodhë gjatë disa muajve dhe se do të ketë mjaft kohë për të vendosur nëse qeveria dhe ushtria irakiane po i përmbushin angazhimet e tyre. “Besojmë se do t’i përmbushin angazhimet, por nëse vëmë re se nuk i përmbushin si duhet, do të sigurohemi që e kanë kuptuar synimin tonë dhe sa të vendosur jemi në në pretendimet tona”.

Sekretari Gejts tha se nëse irakianët do të vazhdojnë të mos i mbajnë premtimet, Shtetet e Bashkuara do të rivlerësojnë përsëri strategjinë e tyre në Irak, por la të kuptohej se nuk mendon që diçka e tillë do të jetë e nevojshme. “Besoj se kjo është kryesorja në Irak, ndërsa qeveria e vendit ngul këmbë të marrë rol drejtues në përpjekje për të rivënë kontrollin në kryeqytetin e vet”.

Oficeri i lartë i ushtrisë, gjenerali Piter Pejs, thotë se qeveria irakiane propozoi fillimisht një nismë të re për sigurimin dhe deri tani ka përmbushur gjithçka që ka premtuar, përfshirë caktimin e një komandanti nga ana e saj për operacionin e Bagdadit dhe ka filluar të lëvizë forcat drejt kryeqytetit. “Ndryshimi kryesor ndërmjet këtij plani dhe të tjerëve është mjedisi politik ku po zbatohet”.

Sekretari Gejts la të kuptohej se zyrtarët amerikanë do të jenë posaçërisht të shqetësuar në lidhje me premtimin e Kryeministrit Nouri al-Maliki që fushata ushtarake nuk do të pengohet nga politikanë me ndikim të lidhur me fraksionet e armatosura. Sekretari tha se kjo ka qenë problem në të kaluarën. “Një nga anagazhimet më të rëndësishme që kryeministri ka marrë është se në këtë ofensivë ushtria do të ketë mandatin të ndjekë të gjithë shkelësit e ligjit. Nuk ka përjashtime”.

Sekretari Gejts nuk tha nëse operacioni ushtarak do të godasë udhëheqës shiitë si Moktada al-Sadrin, por tha se të gjithë shkelësit e ligjit do të ndiqen, përfshirë të gjitha rrethinat e Bagdadit.

Ai u pyet gjithashtu se sa do të zgjasë shtimi i numrit të trupave amerikane. “Nuk menedoj se ndokush ka një ide të përcaktuar për këtë. Shumica e zyrtarëve amerikanë, mendojnë se është çështje muajsh dhe jo 18 muaj apo 2 vjet”.

20 mijë trupa shtesë në Irak e çojnë numrin e forcave amerikane në diçka më tepër se ai që ka qenë herëpashere për shkak të dublimit të forcave apo të misioneve të posaçme gjatë zgjedhjeve irakiane. Por zëdhënësi i Pentagonit, Brajën Uitman, thotë se ky shtim është i ndryshëm për shkak se trupat-shtesë do të jenë brigada luftarake dhe do të shtojë kapicetin luftarak të komandantëve amerikanë në 33 për qind, dhe se rritja më e madhe do të jetë në Bagdad. //az//
XS
SM
MD
LG