Lidhje

Rajs: Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë kompromise me Iranin dhe Sirinë


Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, i kundërshtoi dje thirrjet për bisedime me Iranin dhe Sirinë, pasi administrata e Presidentit Bush ka bindjen se ato vende përpiqen ta destabilizojnë Irakun. Në dëshminë që dha dje në Senat, Sekretarja Rice tha se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të paguajnë çmimin diplomatik për kontakte të tilla.

Sekretarja Rice këmbëngul se në qoftë se Irani dhe Siria duan me të vërtetë të ndihmojnë në stabilizimin e Irakut, ato duhet ta bëjnë vetë këtë. Ajo u tha senatorëve se në qoftë se Shtetet e Bashkuara do të hynin në dialog me këto vende vetëm për të biseduar, atëhere ato do të viheshin në pozita inferioriteti dhe do të ndesheshin me kërkesa për kompromise lidhur me programin bërthamor të Iranit apo rolin e Sirisë në Liban.

Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Teheranit e Damaskut ishte një nga rekomandimet e grupit studimor, dy partiak, Baker-Hamilton për Irakun, rekomandim që e mbështetën edhe senatorë nga të dy partitë në Komisionin e Senatit për punët e jashtme që dëgjuan dëshminë e zonjës Rice.

Senatori demokrat, Christopher Dodd tha se Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, foli me tone pajtuese për Irakun gjatë një vizite që ai dhe Senatori John Kerry bënë në Damask muajin e kaluar dhe se ia vlen që të eksplorohen çështjet me interes të përbashkët.

“Asnjë nga ne nuk po sugjeron se ne duam të angazhojmë Iranin apo Sirinë si të ishin aleatët ose miqtë tonë, dhe as po flasim për konferenca në të cilat t’u japim atyre një status që ato nuk e meritojnë. Por është tepër e vështirë për të kuptuar, zonja sekretare, se përse ne nuk përpiqemi të angazhojmë drejt për drejt njerëz që mund të lujanë një rol kritik për vendosjen e stabilitetit në rajon”.

Zonja Rice tha se përpjekjet e Shteteve të Bashkuara në të kaluarën për të angazhuar Sirinë, nuk kanë dhënë ndonjë rezultat dhe se nuk ka ndonjë shenjë që të tregojnë se një metodë e re do të japë rezultate pozitive.

Sekretarja Rice përsëriti propozimin e saj për t’u takuar me homologun e saj iranian në çdo kohë dhe kudo që të jetë, në qoftë se Irani respekton kërkesat ndërkombëtare për t’i dhënë fund aktivitetit të tij për pasurimin e uraniumit.

Por ajo tha se angazhimi i Teheranit dhe Damaskut nën presion lidhur me Irakun do të kërkonte kompromise të tilla që administrata e Presidentit Bush nuk është e predispozuar t’i bëjë.

“Për mendimin tim, ne duhet të pranojnë se në qoftë se Irani dhe Siria duan të luajnë një rol stabilizues për interesat e tyre, ato do ta bëjnë këtë. Nga ana tjetër, në qoftë se ato synojnë të ofrojnë një rol stabilizues sepse besojnë se për shkak të gjendjes aktuale në Irak ne jemi të gatshëm të paguajmë një çmim, kjo nuk është diplomaci, ajo është shfrytëzim”.

Zonja Rice tha se do të priste që në rrethana të tilla, Irani të kërkonte uljen e presionin ndërkombëtar lidhur me programin e tij bërthamor, ndërsa Siria do të kërkonte ndërprerjen e hetimeve për vrasjen e ish Kryeministrit të Libanit, Rafik Hariri, në të cilën kanë qënë të implikuar zyrtarë sirianë.

Presidenti Bush kritikoi ashpër Iranin dhe Sirinë në fjalimin për strategjinë e re në Irak që mbajti të mërkurën, ku tha se ato vende lejojnë terroristët dhe kryengritësit të përdorin teritoret e tyre për të hyrë dhe dalë nga Iraku.

Ai akuzoi gjithashtu Iranin se ka dhënë ndihmë materiale për sulmet ndaj trupave amerikane dhe tha se Shtetet e Bashkuara do ta bllokojnë ndihmën që Irani dhe Siria u japin terroristëve.

Por kur u pyet nga Kryetari i Komisonit të Marrëdhënieve me Jashtë, Joseph Biden, Sekretarja Rice u duk se përjashtoi variantin e ndërhyrjes ushtarake në këto dy vende.

“Ajo që ne kemi në mend në raport me këto grupe është se ne po bëjmë në Irak atë që duhet. Është e qartë se Presidenti nuk do të përjashtojë asgjë për të mbrojtur trupat tona atje. Por plani është që të shkatërrohen grupe të tilla në Irak”.

Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, gjenerali Peter Pace, bëri deklarata të ngjashme më parë dje, por në debatin në Senat, Senatori republikan, Chuck Hagel, tha se kishte rezerva serioze për garanci të tilla.

Senatori nga Nebraska, veteran i luftës së Vietnamit, vuri në dukje se administrata e Presidentit Nixon gënjeu në përpjekje për të fshehur ndërhyrjen ushtarake në Kamboxhia në vitin 1970, duke thënë se përpiqej të ndalte furnizimet për forcat komuniste në ish Vietnamin e Jugut.

Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Senatori Joseph Biden, tha se rezolutat e Kongresit në vitin 2002 që autorizonin pushtimin e Irakut, nuk parashikojnë veprime ushtarake ndërkufitare kundër Iranit dhe Sirisë dhe shtoi se çdo përpjekje e administratës Bush për t’i interpretuar ato si të tilla do të shkaktonte një krizë kushtetuese.

XS
SM
MD
LG