Lidhje

Policia greke fillon hetimet rreth sulmit ndaj Ambasadës Amerikane


Autoritetet greke thonë se policia po kryen hetime rreth një pohimi që merr përgjegjësinë për sulmin me predhë kundër ambasadës amerikane në Athinë. Ministri grek i rendit tha se hetimet lidhen me grupin e majtë ekstremist "Lufta Revolucionare". Ai tha se sulmi i së premtes ishte një akt simbolik dhe një përpjekje për rigjallërimin e aktivitetit terrorist në Greqi. Sipas autoriteteve, personat e dyshuar e hodhën predhën nga një kantier ndërtimi në anën tjetër të rrugës. Predha shkaktoi dëme materiale, por jo viktima. Ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis u takua në ambasadë me ambasadorin amerikan, Çarls Ris dhe e dënoi sulmin. Zoti Ris e quajti incidentin një akt të çmendur dhune. Në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se autoritetet amerikane dhe greke po bashkëpunojnë në përpjekjet për të sqaruar se kush është përgjegjës për ngjarjen.

Të premten në mëngjes, një raketë antitank goditi ambasadën amerikane në Athinë. Raketa goditi pjesën e përparme të ndërtesës por nuk shkaktoi viktima. Ministri grek i Rendit Publik, Viron Polidoras tha se një organizatë vendase ka shumë mundësi të jetë prapa këtij sulmi. Polydoras tha gjithashtu se policia po analizon vërtetësinë e disa telefonatave që marrin përgjegjësinë në emër të një grupi ekstremist të majtë.

Pas shpërthimit, i cili ndodhi pak përpara orës 6, policia bllokoi rrugët përreth ndërtesës. Raketa goditi katin e tretë dhe ra fare pranë emblemës së ambsadës, duke shkaktuar thyerje xhamash në ndërtesat e tjera. Pas shpërthimit, në ambasadë shkoi Ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis:

"Ne po përpiqemi ta zgjidhim këtë problem në vështrimin afatgjatë sepse ai dëmton interesat e popullatës dhe përpjekjet tona për unitet, dëmton demokracinë, Jemi të vendosur të shkatërrojmë çdo aktivitet të tillë në vendin tonë,” tha ministrja Bakojanis.

Hetuesit po analizojnë një mekanizëm që ata mendojnë se u përdor për të hedhur raketën nga një kantier ndërtimi pranë ambsadës. Zyrtarët e ambasadës amerikane konfirmuan se askush nuk është’ dëmtuar nga shpërthimi. Ambasadori Çarls Ris tha se dëmet ishin minimale:

"Nuk mund të ketë asnjë justifikim për një akt të tillë të çmendur dhune,” tha ai.

Zoti Ris tha gjithashtu se sulmi ishte bërë pa asnjë paralajmërim. Autoritetet po kontrollojnë në ndërtesat pranë ambasadës, si dhe në një spital aty pranë, për të mbledhur prova.

Zoti Polidoras tha se policia do të ngrejë për këtë qëllim një ekip të posaçëm të kryesuar nga një ish shef i antiterrorizmit i cili në vitin 2002 eliminoi grupin ultra të majtë 17 nëntori.//lk

XS
SM
MD
LG