Lidhje

Pesë vjet më pas, baza e Guantanamos ende burim debatesh


Një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes është vënë në shënjestër nga bashkësia juridike për deklaratën kritike për avokatët që përfaqësojnë të arrestuarit që mbahen në bazën amerikane të marinës në gjirin Guantanamo të Kubës.

Gjatë një interviste në një stacion radioje në Uashington, Kalli Stimson, që drejton çështjet e të arretuarve në Pentagon, tha se është skandaloze që disa firma të mëdha amerikane avokatësh po ofrojnë shërbime ligjore falas për të burgosurit. Ai përmendi disa nga firmat e avokatëve dhe sugjeroi se korporatat e mëdha që janë klientët e tyre do t’i detyrojnë ata të zgjedhin midis përfaqësimit të terroristëve ose firmave me reputacion.

Përkrahësit e sistemit juridik thonë se avokatët po zbatojnë të drejtën amerikane bazë të përfaqësimit të barabartë të çdo njeriu përpara ligjit. Njëri prej tyre i cilëson komentet e zotit Stimson të turpshme dhe të papërgjegjshme dhe e akuzon atë se po mundohet të frikësojë avokatët dhe firmat e tyre.

Këtë javë ishte pesë vjetori i qendrës së Guantanamos. Përvjetori po rizgjon debatin mbi këtë objekt që ndodhet në Gjirin e Guantanamos në Kubë. Organizatat e të drejtave të njeriut po mbajnë demonstrata duke bërë thirrje për mbylljen e qendrës ndërsa qeveria amerikane po u del në mbrojtje politikave të saj për qendrën.

Baza e madhe e marinës amerikane në Gjirin e Guantanamos ka shërbyer për shumë qëllime në historinë e saj mbi 100 vjeçare, duke filluar që nga furnizimi me karburant i anijeve të marinës e deri tek strehimi i refugjatëve haitianë. Por sulmet e 11 shtatorit në vitin 2001 ishin fillimi i një sërë ngjarjesh që do t’i jepnin një rol të ri Guantanamos, një rol që do ta bënte emrin e saj të njohur në gjithë botën dhe për shumë vetë, përfshirë aktivisten e të drejtave të njeriut Xhumana Musa të Amnesty International.

“Kushtet në Guantanamo përbëjnë trajtim mizor, çnjerëzor dhe degradues”.

Ka patur shumë akuza për keqtrajtim të të ndaluarve në Guantanamo, por vitet e fundit ato janë pakësuar dhe zyrtarët amerikanë thonë se sipas hetimeve akuzat janë të rreme. Zyrtarët thonë se kanë punuar intensivisht për të përmirësuar kushtet e jetesës në Guantanamo dhe e kanë hapur këtë qendër për mijëra vizita nga gazetarët, anëtarë të Kongresit dhe veprimtarë ndërkombëtarë. Një ligj që u miratua në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar kërkon respektimin e Konventave të Gjenevës.

Xhumana Musa e pranon se kushtet e jetesës në Guantanamo janë përmirësuar vitet e fundit, por ajo është kundër ndalimeve me kohë të pacaktuar.

“Pas pesë vjetësh, duke u bërë gjashtë vjet periudhë e pacaktuar ndalimi, nëse nuk paraqiten akuza, ose kryhen procese gjyqësore njerëzit duhet të lirohen”.

Zyrtarët amerikanë nuk janë në një mendje. Calli Stimson është ndihmës sekretar i Mbrojtjes për Çështjet e të Ndaluarve.

“Sipas ligjit të luftës, ne kemi të drejtën ta mbajmë të ndaluar armikun, si çdo vend tjetër përsa kohë të vazhdojë konflikti”.

Zyrtarët amerikanë thonë se ndryshe nga një burg civil, Guantanamo nuk ka si synim ndëshkimin apo rehabilitimin, por të mos lejojë luftëtarët armiq që të sulmojnë përsëri Shtetet e Bashkuara dhe të mbledhë gjithë informacionin që ata mund të japin.

Zoti Stimson gjithsesi thotë se Shtetet e Bashkuara jo vetëm kanë liruar rreth 380 të ndaluar nga Guantanamo, por ka në plan të fillojë gjyqet ushtarake për të paktën disa nga 395 personat nga dhjetra vende që vazhdojnë të jenë atje. Gjyqet do të ndjekin një procedurë të re të miratuar nga Kongresi vitin e kaluar pasi Gjykata e Lartë e shpalli këtë plan jokushtetues.Personi përgjegjës për gjyqet është brigadier gjeneral Thomas Hemingway.

“Nëse sistemi lejohet të funksionojë pa pengesa do t’i tregojë të gjithëve se është një proces i drejtë”.

Veprimtarët e të Drejtave të Njeriut nuk janë të bindur. Jumana Moussa e Amnesty International thotë se i gjithë sistemi është difektoz sepse të pandehurit nuk do të kenë të drejta të mjaftueshme në gjyqet ushtarake dhe shton se ky është problem si për të ndaluarit, ashtu edhe për qeverinë amerikane.

Zyrtarët amerikanë thonë se procedurat e gjyqit do të publikohen javën e ardhshme dhe do t’u sigurojnë të pandehurve të njëjtat të drejta që ushtarët amerikanë kanë në gjyqet ushtarake.

Guantanamo ka qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes dhe kjo nuk duket se do të ndryshojë gjatë viteve të ardhshme. Zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se do të vazhdojnë ta mbajnë në funksionim qendrën e ndalimit përsa kohë të ketë qeveria nevoja. Por askush nuk mund të thotë nëse ajo do ta arrijë përvjetorin e 10-të dhe nëse po, me sa të ndaluar dhe me ç’status.//kk//

XS
SM
MD
LG