Lidhje

Reagimi ndërkombëtar ndaj Kongresit me shumicë demokrate


Media ndërkombëtare po reagon me interesim ndaj kongresit të ri amerikan me shumicë demokrate dhe kryetares së parë grua të Dhomës së Përfaqësuesve, por me skepticizëm ndaj politikës së re të presidentit Bush për Irakun. Presidenti bëri thirrje për dërgimin në Irak të më shumë se 20 mijë trupave të tjera amerikane, ndërkohë që demokratët kishin lënë të kuptonin që para fjalimit se do ta kundërshtonin një plan të tillë. Strategjia e re e zotit Bush përfshin një paketë ekonomike prej 1 miliardë dollarësh si dhe objektiva politike për qeverinë irakiane.

Shumica e reagimeve në Evropë kanë qënë pozitive ndaj kongresit të ri amerikan, por skeptike ndaj planit të presidentit Bush për të fituar luftën në Irak. Filip Zheli, shefi i byrosë amerikane për gazetën Lë Figaro, thotë se tipikisht francezët i shikojnë politikat amerikane nëpërmjet lentes së Xhorxh W. Bushit.

“Kongresi i ri shikohet si humbje për presidentin dhe si një kundërpeshë ndaj politikave të tij, kryesisht në Irak. Mendoj se në Evropë shumica e njerzve mendojnë se në politikën amerikane do të ketë ndryshime sepse demokratët do t’i kundërvihen prirjes së presidentit për të vazhduar kursin e tanishëm. Nuk jam i sigurtë në se ndryshimi do të bëhet sepse për një gjë të tillë duhet guxim politik, veçanërisht kur një vend ka dislokuar 150 mijë trupa.”

Por Nadia Bilbasi, korrespondente e televizionit al-Arabija, thotë se popujt në botën arabe mendojnë se me një kongres të ri demokrat, presidenti Bush nuk do të ketë më pushtet të plotë në Irak.

“Sesa do të jenë demokratët të aftë të ndryshojnë politikat mbetet për t’u parë sepse njerëzit e dijnë që në fund të fundit presidenti Bush merr vendimet e politikës së jashtme, megjithatë demokratët do të krijojnë probleme për presidentin. Mendoj se njerzit do të mirëpresin çdo pikpyetje rreth politikave të tanishme në Irak. Nenci Pelosi në postin e kryetares së Dhomës së Përfaqësusve është një lajm i mirëpritur dhe shumë komentatorë menduan se ajo do të jetë një shembull i mirë për botën arabe.”

Por Mathias Rueb, shefi i zyrës së Uashingtonit të gazetës Frankfurter Allgemaine Caitung, thotë se njerzit në Gjermani vënë në dyshim nëse kongresi i ri me shumicë demokrate mund të ndryshojë ndjeshëm kursin në politikën e Irakut. Për shumicën e evropianëve Iraku është një çështje mbizotëruese.

“Njerëzit me të vërtetë menduan se zgjedhjet e 7 nëntorit ishin një shenjë e fillimit të fundit të luftës në Irak, madje kushdo ka mbetur i habitur se duket se hapi i parë drejt tërheqjes së trupave amerikane nga Iraku është shtimi i tyre. Në Gjermani ekziston mendimi se lufta në Irak është një kauzë e humbur dhe shtimi i trupave është vetëm një përpjekje për të shtyrë të pashmangshmen.”

Filip Zheli i gazetës Lë Figaro është dakord me zotin Rueb lidhur me vendimin e presidentit për të dërguar trupa shtesë në Irak.

Redaktori amerikan i gazetës The Times të Londrës, Xherard Bejkër, thotë se britanikët janë habitur me vendimin e presidentit Bush për të kërkuar dërgimin e më shumë trupave në Irak. Zoti Bejkër vuri në dukje se qeveria britanike mbështeti raportin e Grupit Studimor për Irakun, i cili bëri thirrje për një tërheqje graduale të trupave amerikane nga Iraku.

“Thirrja e këtij grupi për ripërtëritjen e diplomacisë amerikane në Lindjen e Mesme u prit me entuziazëm, bisedimet me Iranin dhe Sirinë si dhe përparimi i mëtejshëm në bisedimet e paqes midis Izraelit dhe palestinezëve. Tani këto rekomandime po injorohen nga presidenti Bush dhe qeveria britanike do të mbetet e zhgënjyer, megjithatë reagimi zyrtar do të jetë plotësisht në mbështetje të politikës amerikane.”

Nadia Bilbasi e televizionit al-Arabija thotë se edhe shumica e njerzve në botën arabe e vënë në dyshim mundësinë e rivendosjes së sigurisë në Irak. Shumica e njerzve në botën arabe, shton ajo, vënë në dyshim nëse adnministrata e presidentit Bush do të jetë në gjendje të ringjallë procesin izraelito-palestinez të paqes, i cili sipas tyre është kyç për përparimin në Lindjen e Mesme. //kk//

XS
SM
MD
LG