Lidhje

Gjermania në krye të Bashkimit Evropian dhe G-8


Gjermania ka marrë drejtimin e radhës së Bashkimit Evropian si dhe të Grupit të Tetshes, vendeve më të industrializuara. Ambadasadori gjerman në Shtetet e Bashkuara thotë se qeveria e tij do të mundohet të punojë në drejtim të shumë sfidave politike dhe ekonomike.

Gjermania e filloi 2007-tën në pozicionin e përcaktuesit të rendit të ditës për fuqitë botërore ekonomike si dhe për Bashkimin Evropian prej 27 vendesh anëtare. Klaus Scharioth, ambadadori gjerman në Uashington, tha në një konferencë për shtyp se një nga synimet kryesore të qeverisë së tij do të jetë edhe forcimi i mardhënieve mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

“Na duhet një Evropë e fuqishme, por gjithashtu edhe mardhënie shumë të forta transatlantike. Sëbashku ne kemi 13 përqind të popullsisë së botës. Sëbashku jemi ata që njihemi për vlerat e Iluminizmit. Vetëm sëbashku, vetëm duke bashkuar forcat ne do të jemi në gjendje për të mbrojtur këto vlera”.

Duke pasur presidencën e radhës së BE-së, Gjermania do të mundohet të nxisë ratifikimin e kushtetutës së BE-së. 18 nga 27 vende e kanë miratuar atë. Ambasadori thotë se miratimi i kushtetutës është jetësor për të mundësuar organizatës të angazhohet në çështjet globale sëbashku me Shtetet e Bashkuara. Ambasadori gjerman thotë se çështja më e ngutshme është zgjidhja e statusit të Kosovës. Ai parashikon se i dërguari i posaçëm Ahtisari do ta shpallë propozimin e tij menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi me 21 janar.

“Duhet një zgjidhje e statusit për Kosovën, nuk mund ta shtyjmë më këtë çështje. Nuk do të jetë një pavarësi e plotë dhe e menjëhershme, por shumë pranë saj. Duhet të sigurohemi që kjo të realizohet në një mënyrë që të mos i kushtojë shumë pozitës që gëzojnë forcat e moderuara në Serbi. Kështu që duhet një zgjidhje që i jep Kosovës perspektivën evropiane, prandaj roli i Bashkimit Evropian është thelbësor”.

Ambasadori thotë se si shqiptarët ashtu edhe serbët nuk do të jenë plotësisht të kënaqur me propozimin për statusin e Kosovës.

“Askush në rajon nuk do ta pëlqejë atë 100 përqind. Shqiptarët e Kosovës do të thonë se nuk është i mjaftueshëm, ndërsa serbët do të thonë se është shumë. Mund ta parashikoj se nuk do të mirëpritet nga palët si zgjidhje që iu pëlqen atyre.

Përfshirja e Bashkimit Evropian në Kosovë, thotë ambasadori, do të përfshijë një forcë ushtarake si dhe një mekanizëm për të ndihmuar në thellimin e instutucioneve demokratike. Ndërtimi i marrëdhënieve konstruktive për energjinë me Rusinë dhe ripërtritjen e diplomacisë në Lindjen e Mesme zënë një vend të lartë në rendin e ditës së Gjermanisë që mban presidencën e radhës. Ndërkohë që presidenca e BE-së ndërrohet çdo gjashtë muaj, drejtimi i Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara dhe Rusisë zgjat 12 muaj. Drejtimi i dy organizatave nga Gjermania do t’i japë mundësinë këtij vendi për nisma të rëndësishme globale thotë ambasadori.

“Motoja për G-8 do të jetë rritje dhe përgjegjësi. Do të përqendrohemi në dy çështje: ekonominë botërore dhe rajonet e prapambetura, kryesisht Afrika”.

Ambasadori Scharioth thotë se sigurimi i burimeve të energjisë dhe problemi i ndryshimit të klimës globale do të zërë një vend të rëndësishëm në planin e punës së vendeve më të industrializuara për vitin 2007.

XS
SM
MD
LG