Lidhje

Solana: Shqipëria dha një shembull të keq për çështjen e zgjedhjeve


Shefi i politikës së jashtëme të Bashkimit Evropian, Havier Solana kritikoi ashpër zhvillimet rreth zgjedhjeve në Shqipëri, të cilat e acaruan situatën politike deri sa u arrit një marrëveshje e minutës së fundit.

"Mendoj se ajo që ndodhi në Shqipëri nuk ishte një shembull i mirë," u tha gazetarëve zoti Solana.

Kjo nuk është ndër ato gjëra që ndihmojnë. Kjo ndihmon vetëm për ta çuar Shqipërinë akoma më larg Evropës dhe jo më pranë saj. Kjo nuk duhet përsëritur. Nuk duhet përsëritur kjo mungesë bashkëpunimi mes qeverisë, opozitës dhe kryebashkiakut, tha Solana.

"Zgjedhjet, tha ai, u shtynë dhe për fat të mirë u arrit një zgjidhje por me shumë ndërhyrje nga ana jonë."

Ne u angazhuam së tepërmi në përpjekjet për zgjidhjen e problemit dhe më në fund do të zhvillohen zgjedhje në muajin shkurt, por ajo që ndodhi ishte shumë për të ardhur keq. Nuk ishte ajo mënyra se si duhet vepruar, tha zoti Solana.

Duke bërë një lidhje mes procesit të statusit në Kosovë dhe Shqipërisë, zoti Solana tha se në këtë periudhë kur statusi i Kosovës po shkon drejt zgjidhjes, ajo që kërkohet është qetësi dhe përgjegjshmëri.

Gjërat, tha ai, mund të zgjasin pak më shumë se sa shpresohet. Punët në Këshillin e Sigurimit nuk ecin ashtu siç do të dëshironim ne, disa herë ka vështirësi sepse jo të gjithë janë dakord për çdo gjë. Unë e di mirë se sa i vështirë është debati në Këshillin e Sigurimit. Pra kërkohet qetësi dhe përgjegjshmëri.

"E thashë këtë, sepse shembulli që dha Shqipëria ishte një shembull mjaft i keq," theksoi shefi i politikës së jashtëme të Bashkimit Evropian, Havier Solana.

XS
SM
MD
LG