Lidhje

Shefi i jashtëm i BE-së bën thirrje për qetësi në Kosovë

  • Elvir Bucalo
  • Bruksel

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana tha sot në Bruksel se në fazën e fundit të procesit për përcaktimit të statusit të Kosovës kërkohet qetësi dhe qendrime të përgjegjshme. Ai i bëri komentet pas një takimi që pati me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu. Nga ana e tij zoti Sejdiu la të kuptohet se ofertat e palës shqiptare për diskutime tashmë janë shterruar.

Zoti Solana përgëzoi Presidentin Sejdiu për punën e bërë si President i Kosovës. Ai tha se e respekton mënyrën se si e trajtoi Presidenti Sejdiu situatën e komplikuar në periudhën pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova.

Zoti Solana tha se Bashkimi Evropian ka punuar shumë për sa i takon pjesës së tij lidhur me zgjidhjen e çështjes së statusit, por tha ai, pjesa kryesore e punës nuk është vetëm në Bashkimin Evropian por në Nju Jork. Ai tha se kishte biseduar për çështjen e Kosovës me administratën amerikane dhe të dyja palët, theksoi ai, janë në harmoni të mirë.

Zoti Solana tha gjithashtu se sekretari i ri i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e ka studiuar çështjen. Presidenti Ahtisari, tha ai, do ta paraqesë propozimin për statusin në fillim të shkurtit dhe pastaj do të duhet një farë kohe për diskutimin e propozimit. Zoti Solana nuk tha se sa mund të zgjasë ky diskutim, sepse kjo, tha ai, është përgjegjësi e Kombeve të Bashkuara.

"Përsa i përket Bashkimit Evropian,- tha zoti Solana, -ne do do të vazhdojmë ta rrisim angazhimin tonë, sepse ne e duam Kosovën një rajon të qendrueshëm. Eshtë në interesin tonë dhe të Kosovës që të ketë marrëdhënie të mira mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të rajonit."

Zoti Solana bëri thirrje për qetësi dhe përgjegjshmëri, "nëse kërkohet që pjesa e fundit e këtij procesi të zhvillohet pa probleme", siç u shpreh ai. Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu la të kuptohet se ofertat e Prishtinës për diskutime të mëtejshme janë shterruar.

Për Prishtinën, tha zoti Sejdiu, është shumë e rëndësishme që të bashkëpunojë me zotin Ahtisari si dhe në nivele të tjera të komunikimeve ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG